Nishani mbështet Metën: Referendum popullor edhe për Vettingun në politikë

521
Sigal

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka folur në emisionin 5 pyetje për Babaramon edhe për referendumin e kërkuar nga Presidenti Ilir Meta

Ish-kreu i shtetit mbështet Metën, ndërsa propozon edhe pyetjen për referendumin e parë, që lidhet me vettingun në politikë.

“Prezantimi i rëndësisë që ka referendumi si ushtrimi i të drejtës së vendimmarrjes së drejtpërdrejt nga qytetarët. Sa më shumë të hapej shoqëria drejt referendumit është mirë. Por nuk ka një propozim konkret, duke ngritur çështje në parim.  Referendumi është i pamundur, pasi janë disa klauzola që e vakin, shuajnë mundësinë për t’u shprehur me referendum. Nëse do të ketë mundësi të bëhet një ligj, është një mundësi jashtëzakonisht e mirë. Unë do të dëshiroja që sa më parë shqiptarët të shprehen nëse janë dakord të kemi një vetting për politikën. Referendumi i parë do të duhet të ishte nëse duhet kemi vetting në politikë. Nëse nuk do të kemi një rotacion politik, cilido referendum të kemi…Të gjitha sondazhet kërkojnë një ndryshim. Nuk them cila parti ka shumicën apo pakicën, por shqiptarët kërkojnë ndryshim. Presidenti nuk fton protestë, por ka ftuar për tubim në 8 dhjetor” tha ai.

Por a mund ta shpërndajë Presidenti, parlamentin me një dekret, sikur ka thënë Ilir Meta? Nishani në këtë pikë i del kundër Presidentit. Meta deklaroi pak ditë më parë se me një dekret mund të shpërndajë parlamentin, por Nishani thotë se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë në kushtet aktuale dhe se ka vetëm një rast kur mund të ndodhë një gjë e tillë. “Presidenti ka kompetencë të lëshojë dekretin kur në parlament nuk ka shumicë për të miratuar qeverinë. Kjo është e vështirë për ndryshimet e 2008 se nuk mjafton vetëm mocioni i mosbesimit, duhet edhe i besimit. Nëse nuk ka një qeveri të re. Kur rrëzohet qeveria dhe nuk ka mundësi të krijohet tjetër dhe vetëm në këtë rast, me kërkesë të kryeministrit, Presidenti mund të shpërndajë parlamentin. Ky është rasti i vetëm që Presidenti mund të shpërndajë parlamentin” tha ai.

Nishani kishte një këshillë edhe për lidershipin e opozitës, kur tha se beteja me qeverinë duhet të bëhet me votë dhe jo me përplasje civile. “Nuk është e lehtë të jesh në opozitë. Ka vetëm fjalën dhe kontaktin me njerëzit. Ka mundësi për të demonstruar forcën kur shkohet në betejë elektorale, nuk jemi një vend që ta çojmë drejt përplasjes civile dhe pushkëve. Do të shkojmë drejt një ballafaqimi elektoral dhe opozita po shkon drejt këtij procesi duke qenë në komunikim për sfidat ka me qytetarët. Kjo është rruga e vetme. Nëse dikush mendon se duhet të përplaset me dhunë apo forcë mbetet për t’u diskutuar” përfundoi ai. Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, zbuloi bisedën që pati me Presidentin pak ditë më parë dhe shqetësimet që kishte Meta. “Na informoi mbi shqetësimet që kishte, për komunikimet që kishte pasur, na shprehu shqetësimet për disa çështje që e kishin vendosur në presion të paprecedent, që nuk i ka bërë publike. Ishin të karakterit për kompromentuar dhe për të korruptuar presidentin me aktet e tij institucione” tha ai.