Nishani: Dialog me Serbinë, por mos prekni kufijtë!

469
Sigal

Presidenti Bujar Nishani në vizitën e parë në Kosovë nënvizon se Pavarësia e Kosovës është një realitet i pamohueshëm

Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane është sot jo vetëm një realiteti i pakthyeshëm, por një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit, deklaroi dje në Prishtinë presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, në cilësinë e presidentit, Nishani është pritur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Të dy presidentët mbajtën një konferencë për mediat pas takimit. Ndërkohë, po dje në nder të kreut të shtetit shqiptar, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne.

Nishani-Thaçi: Prioritet, përshpejtimi i axhendës integruese
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi priti po dje Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për procesin e integrimit evropian të dy vendeve.
Konferenca Nishani-Jahjaga
Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se Kosova e pavarur është tashmë një realitet i pamohueshëm, duke nënvizuar përparimin e madh që  është bërë së fundi. Në konferencën e përbashkët me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, i pyetur se cili është qëndrimi i tij për formati e ri të bisedimeve në dialogun politik me Serbisë dhe Kosovës, kreu i shtetit shqiptar shprehu qëndrimin se komunikimi është i vetmi mjet për të zgjidhur problemet mes 2 shteteve. Nishani theksoi se mbështet këto angazhime të Kosovës.
Nishani-Krasniqi: Hapësira të reja bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri
 Duke e uruar Presidentin Nishani për detyrën me përgjegjësi që ka marrë në krye të shtetit shqiptar, Krasniqi, falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e saj të pakursyer dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimeve. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka quajtur privilegj të madh që vizitën e parë të tij, si president, po e bën pikërisht në Kosovë, rruga e së cilës për liri dhe dinjitet ka qenë e vështirë dhe me shumë sakrifica të sa e sa brezave.
Nishani-Mustafa: Shkëmbimi i përvojave nevojë dhe interes i përbashkët
Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, priti dje në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe kryeqyteteve. Mustafa e njohu Presidentin Nishani me zhvillimet në qytetin e Prishtinës dhe u shpreh se shkëmbimi i përvojave mes dy kryeqyteteve është një nevojë dhe interes i përbashkët.