Nis sezoni i ri i mbjelljes së pemëve, Veliaj: “Mbjellja e një peme, thirrje për më shumë bashkim e dashuri”

360
Sigal

Fillimisht dy tërmete, e më pas pandemia, krijuan jo pak vështirësi për Tiranën, por qyteti ia doli t’i menaxhojë ato. Ndaj, si simbol i fitores së jetës, në Kodrat e Liqenit Artificial, Ana dhe Orgesi, prindërit e rinj të Kajanit vogël që mbushi 1 vjeç, mbollën një pemë ulliri për djalin e tyre, e cila është edhe pema e parë për sezonin e ri të mbjelljeve në Tiranë.

Nismës iu bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili shprehu nevojën për më shumë bashkim e dashuri. “Kemi shumë gjëra të përbashkëta me Anën dhe Orgesin. Së pari, dy djemtë tanë quhen Kajan dhe na kanë zbukuruar jetën. Por, ajo që na bën bashkë është edhe qytetaria. Një i ri, një fëmijë ose familje që mbjell pemë, nuk shan, nuk përçan, nuk fyen, nuk shpif, nuk ndot, nuk vandalizon, nuk e prish të bukurën. Besoj se hapja e këtij sezoni të mbjelljeve flet më shumë për bashkim, për dashuri, e më pak helme e toksina që hidhen pa karar”, tha ai.

Veliaj shtoi se vendimet duhen marrë në interes të gjeneratës së re. “Ne duhet të mendojmë për gjeneratën tjetër, jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme. Mbjellja e një peme mund të mos jetë gjëja më e rëndësishme, por në afatgjatë, ky gjest i vogël, i bërë vazhdimisht e i shumëfishuar, mund të prodhojë me durim, një pajë për qytetin”, theksoi ai.

Kryebashkiaku tha se edukimi i të rinjve me dashurinë për natyrën dhe të bukurën është paja më e mirë që mund t’i lëmë gjeneratës tjetër. “Tërmetet, pandemia na treguan se natyra është e brishtë. Në një botë që po ndryshon shumë, është e rëndësishme që ne të rilidhemi me natyrën. Dhe këtë mund të na i mësojnë fëmijët sepse ata e përqafojnë më shpejt të renë, të drejtën, të pastrën dhe të bukurën. Nëse në disa qytete u themi fëmijëve mësoni nga prindërit, Tirana është ndoshta qyteti unik ku u themi prindërve të mësojnë nga fëmijët. Nëse kjo gjeneratë e re do të rritet si Kajani, i cili çdo përvjetor do të kujtojë se ka mbjellë një pemë, dhe nuk e ka këputur atë, është paja më e madhe që mund t’i lëmë gjeneratës tjetër”, përfundoi ai.

Ana, mamaja e Kajanit, falenderoi kryebashkiakun Veliaj që iu bashkua gëzimit të tyre. “Vendosëm t’i bëjmë një dhuratë më të madhe sesa një lodër apo një veshje, t’i bëjmë dhuratë një pemë, që fëmija ynë të rritet me ndjesinë për ta dashur qytetin, që kur të rritet të kujdeset për pemën e tij”, u shpreh ajo.

Për të gjithë të interesuarit, gjithkush mund të mbjellë një pemë përmes faqes online të APR, në link-un “Dhuro një pemë”.