Nis operacioni i arrestimeve për “peshkaqenët”, pranga hajdutëve që vodhën paratë e shqiptarëve

580
Sigal


Ish -zyrtarët e lartë në rresht drejt bankës së të akuzuarve, për të marrë në dorëzim batanijet e burgut

Qeveritarët shqiptarë nuk do të kenë më kurajën për të vjedhur në mënyrë kaq të hapur pasuritë publike të vendit tonë dhe as paratë e taksapaguesve shqiptarë, sepse së shpejti një pjesë e ish- qeveritarëve do të vihen në pranga. Dhe ky do të jetë një shembull i mirë sesi do të përfundojnë më tej të gjithë ata që me gjakun dhe varfërinë e shqiptarëve, ngrenë vila, apo blejnë makina luksoze. Deklarata e djeshme e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli për dërgimin e dosjes së ish- ministrit Imamit, në Prokurori, tregoi se, më në fund nisi epoka e re e ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që e kanë rrjepur pasurinë publike. Tani e tutje hajdutët e politikës, duhet të mendohen mirë se pas mandatit qeveritar i pret supa e burgut dhe racioni i çajit të mëngjesit me pak sheqer. Por fati i keq i Imamit në këtë sezon ka të bëjë me temperaturën e ftohtë, kështu që atij i duhet të kërkojë një batanije më shumë në ngarkim, për acarin që po afrohet. Deklarata e djeshme e Kodhelit e bërë nën trysninë e ndërkombëtarëve, të cilët këtë radhë kanë kërkuar me ngulm arrestimin e ministrave ët korruptuar, tregon qartë se aspirata jonë që “e duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, ka shumë shanse që të realizohet. Por që të ndodhë kjo, vala e arrestimeve që do të nisë me Imamin, duhet të vazhdojë më tej edhe me ish- ministrat e tjerë që janë përfolur aq shumë në media gjatë periudhës  së drejtimit të ministrive. Sipas informacioneve mësohet se, së shpejti, lista e të arrestuarve VIP do të jetë shumë e gjatë, sepse aty do të përfshihen të gjitha ata që zhvatën tenderat, fondet e rrugëve, të blerjeve të pajisjeve për institucionet, të mashtrimit për minierat, naftën, termocentralet, korrupsionin në Ministrinë e Jashtme dhe paratë e hedhura për riparimin e ambasadave, tona jashtë shtetit. Sepse një pjesë e madhe e zyrtarëve shqiptarë që kanë punuar në emër të qeverisë, brenda apo jashtë vendit, kanë grabitur me të dy duart, duke përfshirë këtu edhe paturpësinë e vjedhjes së fondeve për romët, invalidët, apo shtresat e varfra të shoqërisë.  Siç kemi mësuar një pjesë e ish-zyrtarëve që kanë bërë kërdinë me paratë e shtetit, tani ia kanë mbathur dhe jetojnë të fshehur nëpër bodrume, nga frika e drejtësisë. Sepse duhet thënë që me ardhjen e Nasip Naços, në krye të drejtësisë, shumë gjëra kanë filluar ët vihen në vendin e vet, duke përfshirë këtu edhe ndëshkimin për hajdutët.

Akuza për Imamin   

Ministrja Mimi Kodheli tha dje se, dosja në Prokurori përfshin 3 akuza shumë të rënda për Arben Imamin. Ministrja e Mbrojtjes deklaroi se, në Prokurori do të dërgohen padi penale, jo vetëm për ish- ministrin Imami, por edhe për zyrtarë të tjerë të këtij dikasteri. Kodheli shtoi se, është përgatitur një dosje e plotë me akuzat për korrupsion, shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Për të treguar qartë se pas denoncimit, janë gati prangat, ajo tha se nuk kemi të bëjmë me një kallëzim të zakonshëm, por me një padi të mirëargumentuar nga ana e ekspertëve, që kanë shqyrtuar situatën e gjetur në institucion, e nga e cila rezultoi se përgjegjësit duhet të përgjigjen para ligjit. “Kallëzimi penal ndaj ish- ministrit Imami është bërë për shpërdorim të detyrës, shpërdorim kontributesh dhe shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tender dhe ankand publik”,- tha Kodheli. Me këtë rast, ajo i bëri apel Prokurorisë së Përgjithshme të investigojë mirë lidhur me padinë e bërë. Në fakt rasti i Imamit është bërë në mënyrë aq të dukshëm saqë këtë e kanë konstatuar edhe ushtarët e thjeshtë, e jo më gjeneralët, kolonelët, apo majorët e kësaj ministrie. Madje, thuhet se, “ku shkel Imami, nuk mbin as bari”. E njëjta gjë ndodhi, edhe kur Arben Imami ishte ministër i Drejtësisë, me PS-në, në vitin 2001, kur të besuarit e Imamit u arrestuan. Përveç të tjerave, Imami është përgjegjës edhe për shkatërrimin e Spitalit Ushtarak, për aferat mbi dhënien e mjediseve të Spitalit Ushtarak, tek privatët, për  shitjen  e pronave të Ushtrisë, për të cilat është akuzuar nga opozita e djeshme. Por këtë radhë, Imami, duke qenë i mbrojtur nga qeveria, nuk ka pranuar të bëhej kontrolli i Komisionit parlamentar të Sigurisë, në Ministrinë e Mbrojtjes, ku, sipas deputetëve socialistë, ata kishin fakte për korrupsion në këtë ministri, por edhe për përgjimin që kjo ministri u bënte deputetëve të opozitë, nëpërmjet aparaturave që kishte blerë shërbimi sekret ushtarak. Por çështja ka shkuar edhe më larg Akuzat për trafikimin e armëve dhe materialeve ushtarake, që Imami, sipas akuzave të deputetit Braçe, u ka shitur Libisë, e vendeve të tjera me konflikt ushtarak, në Afrikë e gjetkë, janë shumë serioze.

Hajdutët e tjerë

Duket se këtë radhë Imami nuk do të jetë i vetëm para bankës së të akuzuarve, sepse bashkë me të do të rreshtohen edhe një numër i madh, ministrash, zëvendësministrat, drejtorët e drejtorive, inspektorët, këshilltarët, apo të ashtuquajturit, “kodoshët” e ministrive”. Sepse çdo ministri kishte një të tillë, që trazonte paratë e fondeve, të tenderave, të shit-blerjeve, apo të pazareve të pista. Këta vareshin direkt nga “kapot” e hajdutërisë, ose nga vetë ministrat. Por tani të gjithë do të japin llogari, duke filluar nga Ministria e Jashtme, e Financave, e Punës, e Bujqësisë, e Mjedisit, e Shëndetësisë, e Brendshme, e deri te Ministria e Kulturës, apo edhe më tej. Shansi i shqiptarëve këtë radhë për të ndëshkuar të keqen ka të bëjë me faktin se në krye të këtij operacioni antikorrupsion, ndodhen ndërkombëtarët, të cilët më në fund u bindën, se pa ndërhyrjen e tyre, këtu nuk ndodh asgjë. Këtu hajdutët mund të rrojnë 100 vjet pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë, nëse ndërkombëtarët nuk e “trashin zërin” për të vënë në pranga fajtorët.

 Mashtrim për BE-në, apo e vërtetë?

Ditët vijuese do të tregojnë qartësisht, nëse i gjithë ky seriozitet në hapjen e dosjeve për ish- zyrtarët e lartë është një reflektim për t’i vënë gjërat në vijë, apo një “shou” qeveritar për të mashtruar BE-në dhe vetveten. Kjo do të duket sidomos nëse ministrit Imami dhe hajdutëve të tjerë do t’i vihen prangat, apo do të lihet i lirë, duke e shtyrë me procedura, deri në momentin e marrjes së statusit për në Bashkimin Europian. Nëse do të ndodhë kjo e fundit, atëherë këto dosje të pandëshkuara do të përbëjnë një zhgënjim të madh për opinionin publik, i cili ka besuar seriozisht se këtë radhë, mashtruesit do të ndëshkohen nga drejtësia. Dhe nëse qeveria e tanishme po e bën këtë “spektakël” si detyrim për t’i hedhur “hi syve” përfaqësuesve të BE-së, për marrjen e statusit, atëherë historia e vjedhjeve të pronës publike do të riciklohet përsëri tek anëtarët e tjerë të kabineteve që do të ndërrohen nëpërmjet rrotacioneve politike.

Precedenti

Arben Imami gjatë vitit 2000-2001 ka pasur shumë precedentë në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë. Atëherë u lakuan dhe u dërguan në Prokurori edhe zyrtarë të lartë të kësaj ministrie për tenderët e burgjeve, të ushqimeve për të burgosurit, për uniformat dhe veshmbathjet e Policisë së Burgjeve, për tenderët e makinave të blinduara, etj..