Niko Peleshi hap thesin, 1 mld. lekë tender i dyshimtë për ndërtim deposh

196
Sigal

Ministria e Mbrojtjes i dha Gjergj Lucës dhe shokëve të partisë depot e rezervuara të shtetit. Ndërkohë tani kërkon të shpenzojë miliona për të marrë managazina, në një kohë kur ato i kishin si ambiente. E gjithë kjo me para e taksapagueve, në kohë krize kur jeta për qytetarët është shtrenjtuar si pasojë e rritjes së çmimeve. Niko Peleshi, ministri aktual i mbrojtjes, duket se ka filluar “rëndshëm” kohët e fundit që të merret me tenderat. Nuk bëhet fjalë për tendera të zakonshëm, por për tendera, që janë dukshëm të dyshimtë. Jo thjesht prej vlerës së lartë në nivel miliardash, por edhe sepse të paktën 3 firma kanë dhënë oferta më të ulëta se kompania fituese.

Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit që mban numrin e referencës REF-35039-06-30-2022 dhe ka si objekt “Ndërtim grup-depo për pajisjet e Kërkim-Shpëtimit, në Repartin Ushtarak nr. 4030, Ferraj, Tiranë”.

Shikohet se fondi lmit i procedurës është 92,574,706 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.1 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Nga dokumentacioni përkatës i tenderit zbulohet se në të kanë marrë pjesë 5 firma, sipas joq nga të cilat 3 kanë ofruar vlera më të vogla se sa fituesi. Peleshi i ka dhënë tenderin firmës ED Konstruksion në pronësi të Alfred, Eduart, Ramadan dhe Jorgjie Ibrahimi.

Oferta e dhënë prej tyre është 89,000,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Por ndërkohë 3 kompani të tjera kanë ofruar më pak, ku diferenca mes ofertës më të ulët krahasuar me fituesin është plot 240 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo diferencë kuptohet që nuk është e pakonsiderueshme dhe në rastin më të mirë do të cilësohej si humbje e pastër në dëm të shtetit.

Megjithatë duket se Niko dhe ministria e tij nuk e kanë menduar aspak kështu dhe kanë shpallur fituesë firmën ED Konstruksion. Vlera e ofruar prej tyre është gjithashtu thuajse e njëjtë me vlerën e fondit limit, përkatësisht sa 96.13%. Të gjitha sa më sipër rrisin dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.