Ngec taksa e banesës, qeveria në dilemë për zbatimin

541
Ndonëse ka hyrë në fuqi prej 1 prillit, mbetet e paqartë se si do të realizohet pagesa e detyrimeve nga familjarët e bizneset. Zvarritjet “taktike” të qeverisë pas problemeve me Rrugën e Kombit, bizneset e vogla dhe Teatrin 
Taksa e banesës mund të jetë “viktima” e ardhshme e përplasjeve të shpërthyera së fundmi mes qeverisë dhe qytetarëve për shtimin e taksave e tarifave. Ndonëse mënyra e re e llogaritjes së taksës për pasurinë e paluajtshme ka hyrë në fuqi prej 1 prillit, ende mbetet e paqartë se si do të vilet ajo ndaj familjarëve dhe bizneseve. Qeveria ka deklaruar se ende nuk ka gati Kadastrën Fiskale, ndërsa ka miratuar vetëm 10 ditë më parë ngritjen e një strukture qendrore që quhet Drejtoria e Përgjithshme e Taksës dhe Pasurisë, brenda Ministrisë së Financave. Megjithatë kjo strukturë do të ketë si detyrë parësore të menaxhojë regjistrin qendror të bazës të të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale). Qeveria ka pranuar se ky regjistër nuk do të jetë gati dhe tashmë do t’u takojë bashkive të vendosin nivelet e pagesës, që në bazë të ligjit do të jenë përqindje mbi vlerën e sipërfaqes që zotëron një familje apo një biznes. Megjithatë ky nuk do të jetë një proces i lehtë për njësitë e qeverisjes vendore, për sa kohë lind e nevojshme të grumbullohen të dhëna nga shumë institucione e agjenci të tjera, mes të cilave hipotekat, ALUIZNI dhe zyrat e noterisë. Drejtoria e re, në bazë të vendimit të qeverisë, “asiston njësitë e vetëqeverisjes vendore në zbatimin e procedurave të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe të llogaritjes së taksës vendore mbi to” dhe “trajnon stafet e njësive të vetëqeverisjes vendore, përgjegjëse për administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme”. Për një strukturë të miratuar vetëm në ditët e fundit të marsit, mbetet e pamundur të realizojë këto dy angazhime ligjore. Gjithashtu, ajo duhet të orientojë njësitë e vetëqeverisjes vendore në realizimin e procesit të ndarjes nënzonale të territorit, përcaktimit të çmimeve mesatare të vlerësuara që përdoren në rastet kur nuk ka të dhëna, kur të dhënat janë të paplota ose kur të dhënat e disponueshme nuk përputhen. Një detyrë tjetër e Drejtorisë së Pronës dhe Pasurisë është asistimi në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis njësive të vetëqeverisjes vendore dhe agjentit të autorizuar për mbledhjen e taksës së ndërtesës, të cilat lindin ose krijohen gjatë procesit të shkëmbimit të informacionit ose mbledhjes së taksës. Gjithashtu, drejtoria asiston në zgjidhjen e problematikave që mund të lindin, ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve apo organeve që disponojnë të dhëna informuese, për identifikimin e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore dhe që ndihmojnë në llogaritjen e vlerës së ndërtesës/njësisë pronësore për qëllim taksimi. Pikërisht agjenti tatimor që do të mbledhë taksën mungon. Ndërsa bashkitë në mënyrë të ndryshme mund të vendosin ta mbledhin me mundësitë e tyre, sigurisht të kufizuara. Qeveria ka deklaruar se mbledhja e taksës në të ardhmen do të mblidhet në shkallë kombëtare nga OSHEE, por tashmë bashkitë këtë proces mund ta realizojnë vetëm me Ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve.

Megjithatë vështirësitë teknike për vënien në zbatim të sistemit të ri të pagesës së taksës për banesat mund të shfrytëzohen nga qeveria për të fituar kohë. Situata e krijuar pas disa përplasjeve e protestave për tarifën e Rrugës së Kombit, përfshirjen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të biznesit të vogël apo edhe shqetësimet e aktorëve për Teatrin, duket se e kanë vështirësuar për ekzekutivin “vrapimin” drejt taksave të prillit. Burime nga Ministria e Financave theksuan se në shembullin e vendimit për “mbylljen e syve” ndaj biznesit të vogël, pavarësisht debatit ligjor mbi përgjegjësinë e kompetencën e strukturave tatimore në këtë rast, mund të veprohet edhe për taksën e banesës, duke bërë një tërheqje taktike, por jo një pakësim të pagesës shtesë për banesat. Një pagesë që mund të rëndojë qytetet më të mëdha të vendit dhe që rrezikon të zgjojë reagime të tjera kundër qeverisë.
Joshja ndaj biznesit të vogël
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i ka dërguar administratës tatimore një shkresë për mosaplikimin e gjobave për bizneset e vogla që hyjnë në pragun e TVSH, për gabimet në deklarim për një periudhe 6-mujore nga fillimi i deklarimit (deri në dhjetor 2018). Biznesi i vogël që hyri në skemën e TVSH-së në 1 prill, pas uljes së kufirit nga 5 në 2 milionë lekë, pritet që të bëjë deklaratat e TVSH-së një herë në tre muaj, ku deklarimi i parë do të jetë në muajin korrik. Ahmetaj u ka kërkuar tatimeve që deri në 15-ditorin e parë të muajit korrik, që përbën momentin e parë të deklarimit, administrata tatimore duhet të kontaktojë detyrimisht me çdo subjekt që preket nga ndryshimet ligjore, për të asistuar tatimpaguesit në shmangien e parregullsive dhe deklarimin në kohë të tremujorit të parë. Drejtoria e Tatimeve duhet të ndërmarrë një plan masash në drejtim të këshillimit praktik të tatimpaguesve që preken nga ndryshimi, shoqatave të biznesit të vogël, kontabilistëve dhe përfaqësuesve të kësaj kategorie subjektesh. Reagimi vjen pas protestës së biznesit të vogël me uljen e qepenave në mënyrë paralajmëruese.
Ndjesa ndaj kuksianëve
Qeveria kërkoi ndjesë ndaj kuksianëve për vendosjen e tarifës për Rrugën e Kombit, vetëm një javë pasi dhjetëra qytetarë dogjën sportelet ku mblidhej pagesa 5 euro për autoveturat në afërsi të Kukësit. Kryeministri Rama pranoi se ishte gabuar duke mos i informuar mjaftueshëm qytetarët e Kukësit, të cilët janë edhe përdoruesit më të shpeshtë të Rrugës së Kombit. Gjithashtu, qeveria premtoi se do të hartojë edhe një paketë masash lehtësuese për qytetarët e Kukësit, në mënyrë që ata të mos preken plotësisht nga zbatimi i tarifës prej kompanisë koncesionare. Sipas qeverisë, kjo paketë masash do të jetë gati brenda pak javësh, ndërsa nuk do të ketë ndryshime për përdoruesit e tjerë të rrugës. Nga ana e tyre qytetarët e Kukësit dhe opozita kërkojnë që të hiqet plotësisht tarifa për këtë segment rrugor të ndërtuar me shpenzimet e buxhetit të shtetit. Si pasojë e ngjarjeve të 1 prillit dhe përleshjeve me policinë, 11 kuksianë vazhdojnë të mbeten të arrestuar, pavarësisht se qeveria pranoi gabimin në mosinformimin e tyre lidhur me pagesën. Disa protesta pasuan vendosjen e tarifës dhe arrestimin e dhjetrave qytetarëve për kundërshtim të policisë. 
Kaosi me godinën e Teatrit
Beteja e aktorëve për të shpëtuar godinën e Teatrit Kombëtar nga shembja vazhdon prej vitesh, por këtë herë qeveria u shfaq më e vendosur për të çuar përpara projektin e saj. Për më tepër, në një takim në selinë e qeverisë, kryeministri Rama u shpreh prerë se godina e vjetër do të shembet dhe do të ndërtohet një Teatër i ri, për të cilin u prezantua edhe projekti. Aktorët, të cilën kanë kundërshtuar ndërtimin e kullave në territorin e Teatrit, u shprehën se projekti nuk duhet të pakësojë sipërfaqen aktuale përreth godinës. Megjithatë, projekti i ri parashikonte një teatër të veçuar nga kullat, që do të merrnin jetë shumë pranë tij, ndërsa mbetej e paqartë çfarë do të ndodhte me të gjithë sipërfaqen aktuale të Teatrit. Si të mos mjaftonte kjo, një deklaratë e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, hodhi në erë gjithçka. Ajo tha se nuk ka një projekt për teatrin, ndërsa studio realizuese shpallte se kishte fituar ideja e saj në Tiranë. Kaosi u bë më i plotë pas pretendimit të një arkitekteje nga Ukraina se ishte kopjuar ideja e saj për godinën e Teatrit në Tiranë. 
Sigal