Neonazisti grek sulmon Heroin tonë kombëtar

562
Sigal

Artur Zheji ka ngritur siparin e emisionit “360 Gradë”, në televizionin NEWS24. Përpara Zhejit rrëfehet si asnjëherë më parë ideologu neonazist i “Agimit të Artë”, Kristo Papas.

Sipas mendimit tuaj ekziston Vorio- Epiri dhe nëse ekziston mbi Ç’argumente e mbështesni këtë tezë?

 Ngaqë besojmë se qeveria greke është e shitur ndaj interesave të huaja tek fajdexhinjtë ndërkombëtarë, tek borxhdhënësit dhe amerikanistët, konsiderojmë arritje tonën që, megjithëse në bisedime off rekorder, deri edhe ministri i jashtëm na ka pohuar se Vorio-Epiri është në zemrat tona dhe ne bëjmë aq sa mundemi sepse kështu janë situatat! Ekziston vetëm një pohim Vorio-Epiri është grek. Ndërgjegjja shqiptare, ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar është një fenomen i cili u shfaq në fillimet apo nga fundi i shekullit të 19, madje nëse doni u shfaq në fillimet e shekullit të 20 dhe është një ndërgjegje kombëtare e imponuar nga fuqitë e mëdha si Italia apo Austro- Hungaria. U mbështetët si popull në gjurmë të huaja, të vjedhura, nuk keni gjurmën tuaj. Edhe Heroi juaj Kombëtar është Jorgjos Kastriotis, një feudal grek i helenizmit mesjetar. Edhe ish-mbreti juaj, gjyshi i pasardhësit të fronit të Zogut, Zoti Leka, pranon në intervistën e tij në vitin 1931 sa më poshtë: “Pranoj se në të vërtetë brenda mbretërisë së shqiptarëve ka edhe vende ende greke si Korça, Himara, Dhrovjan, Gjirokastra dhe disa të tjerë
A ekziston kombi shqiptar sipas jush, apo është vetëm një sajesë?
Do të më jepni e-mail-in tuaj dhe me kënaqësi do t’ju dërgoj disa linke me studime, libra dhe artikuj të tjerë, të cilët i kam botuar dhjetëvjeçarët e kaluar lidhur me Skëndërbeun, i cili është një hero i madh grek, Jorgjos Kastrotis me historinë e tij.
Cili është opinioni juaj për Kryeministrin Sali Berisha?
Zoti Berisha ndoshta i referohet një sporti, i cili sigurisht është i ndaluar nga feja myslimane. Siç duket pi shumë. Këto janë deklarata të papranueshme dhe ne nuk i diskutojmë. Ne e dimë se zoti Berisha, mbështetësit e tij, si dhe psikopati zoti Rama, i cili kishte paturpësinë të bënte deklarata të njëjta në qendër të Athinës, në një veprimtari në pallatin “Sporting”, trumbetojnë një tendencë më të përgjithshme të popullsive atje, pra të popullsive tuaja, të cilët në rrugëtimin historik treguan se nuk dinë të mbajnë as besën, por edhe se arritja e tyre luftarake e vetme dhe më e madhe është plaçkitja. E ndjemë shumë mirë këtë dhe meqë do të më pyesni në një moment për Ligjin e Luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë, e ndjemë shumë mirë si grekë në 1940 kur ishte hera e parë dhe e vetme që shqiptarët u futën brenda tokave greke, me kufijtë e atëhershme. Ishte një togë shqiptare të cilët ishin në krah të italianëve që u futën dhe luftuan në tokën greke në disa beteja, të cilat zgjatën vetëm 24 orë derisa arritën në pikën që ushtria guximtare greke t’i hidhte në det këta armiq. Dhe po them se në dorë të Agimit të Artë gjendet një flamur. Është një histori e gjatë sesi ka rënë në dorë të Agimit të Artë ky flamur. Mund të bëjmë një emision të tërë për këtë çështje, ndoshta nuk ekziston as në muzeun e luftës së Tiranës nëse do të mund ta quanim kështu mes thonjëzash. Është flamuri i Fertit, ky është në dorë të grekëve. Shqiptarët nuk do ta marrin kurrë.
Çfarë mendoni se do ndodh nëse Parlamenti shqiptar e miraton këtë rezolutë dhe a ekziston Çamëria dhe një Çështje Çame?
Meqë po më flisni për Çamërinë apo Çështjen Çame siç e thoni ju, për ne është një çështje inekzistente dhe që për fat të keq diskutohet në këto çaste. Nëse doni përgjigje është një çështje, e cila është zgjidhur një herë e përgjithmonë në periudhën 1944-’45 nga strategu i guximshëm dhe i zoti, Napeolon Zervas me ushtrinë e tij. Ajo tokë është vetëm dhe vetëm për grekët.
-A ekziston raca shqiptare?
Shikoni. Përsa i përket prejardhjes së fisit shqiptar nëse do të mundeshim ta quanim fis shqiptar, sepse siç u thashë është një konglomerat popullsish, të cilët janë tërësisht me prejardhje greke, pavarësisht se mund të kenë humbur ndërgjegjen e tyre kombëtare. Dhe kjo për ne është shumë e rëndësishme pasi për ne grek duhet të jesh edhe në gjak edhe në ndërgjegje 100 për qind. Prandaj edhe një nga parullat tona qendrore që dëgjohet nëpër mitingjet që organizojmë është ajo që thuhet edhe duke u kënduar: Nuk do të bëhesh kurrë grek o shqiptar, o shqiptar.

…Do ketë paqe apo tension midis Shqipërisë dhe Greqisë?
Shikoni tensioni është vetë jeta. Në asnjë rast nuk jemi luftëdashës pa arsye. Por, historia vazhdon me të drejtën e më të fortit, por edhe me marrëveshje të pjesshme me qëllim që të mos hamë njëri-tjetrin. Të jeni të sigurt se si parti dhe si grekë kemi gjithmonë në mendje zgjidhjen për çështjen e Vorio-Epirit. Pra zgjidhja e vetme për çështjen e Vorio-Epirit formulohet: Liri në Vorio-Epir. Nëse kjo nënkupton dhe ushtrinë greke në Vorio-Epir atëherë edhe ushtria greke do të jetë në Vorio-Epir. Ta dini këtë. Mundet që në këto momente të dëgjohet për Greqinë, se jeni dhe njerëz të medias dhe mund të jetë edhe një realitet, se përjeton një periudhë krize ekonomike, se ka probleme ekonomike, por ta dini se forcat e armatosura greke janë shumë herë më të fuqishme se forcat e armatosura të Shqipërisë. Është çështje vendimi dhe jo lufte. Forcat e armatosura ekzistojnë në çdo shtet edhe si leve presioni.  Shqipëria duhet të respektoj firmën e saj dhe kjo nënkupton se duhet të zbatoj protokollin e Korfuzit, i cili i jep autonomi Vorio-Epirit. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për zbutjen e çdo problemi që ekziston në marrëdhëniet greko-shqiptare.
A mendoni se është nevoja që të ketë filiale të partisë suaj në Shqipëri?
Problemi ynë si Agimi i Artë nuk është në asnjë rast partiak. Problemi i Vorio-Epirit për ne është etnik. Nëse do të hapim një filial në Korçë, Himarë apo Gjirokastër nuk do ta hapim për të marrë vota, nuk na interesojnë votat, na intereson zhvillimi, liria, populli të ndihet i sigurt. Pra na interesojnë Vorio-Epirotët dhe Vorio-Epiri. Në fakt nuk është Vorio-Epiri Grek, në fakt gjithë Shqipëria duhet të jetë një Provincë greke.  Kur të mësoni të kërkoni falje për krimet tuaja, jo vetëm krimet e atëhershme, por edhe krimet e tanishme, ne jemi dhe do të jemi një prehër i ngrohtë.

 Ideologu neonazist i “Agimit të Artë”, Kristo Papas përbalt historinë e shqiptarëve dhe fyen udhëheqësit e tij

 Një gangster nazist grek sulmon shqiptarët

 Xhevdet Shehu

 Jo vetëm ne shqiptarët, por e gjithë Europa e kishte harruar gjuhën me të cilën foli mbrëmë ideologu neonazist i “Agimit të Artë”, Kristo Papas. Një gjuhë urrejtjeje të pashembullt, një gjuhë luftënxitëse dhe krejtësisht e kundërt me atë që popujt tanë në rajon përpiqen prej dhjetëra vjetësh të ndërtojnë në marrëdhëniet midis tyre. Pavarësisht se sa ngjit një ligjëratë e tillë, gjurmët e saj janë të shëmtuara dhe nuk e nderojnë aspak atdheun ku ka lindur demokracia. Ata që e dëgjuan mbrëmë intervistën e Kristo Papas thanë: Turp për shtetin Helen që përfaqësohet nga deputetë të tillë! Përfytyroni sikur një frymë e tillë të ishte mbizotëruese në Greqi! Nuk është fjala se ai hodhi baltë mbi shqiptarët dhe historinë e tyre, se na shau flamurin dhe Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, se injoroi çamët dhe çështjen e tyre, se ktheu përmbys gjithë historinë, se fyeu udhëheqësit aktualë të politikës shqiptare. Jo! Sepse nga fundi në krye ligjërata e tij ishte një marrëzi e pashembullt dhe ka ngjallur vetëm neveri. Një neveri të tillë përfaqësuesit e partisë neonaziste greke e kanë ndier edhe nga bashkëkombësit e tyre. Çështja duket se është më e thellë: Rigjallërimi i nazizmit nuk është shenjë aspak e mirë as për Greqinë dhe as për rajonin. Historia ka treguar se si rrallëkush tjetër, rajoni ynë ka vuajtur nga konfliktet dhe ka qenë burim luftërash të përgjakshme jo vetëm rajonale. Të kesh një mendësi të tillë në shekullin e 21-të është vërtet marrëzi dhe fatkeqësi njëherësh. Disa mund ta konsiderojnë rigjallërimin e neonazizmit grek si pasojë e krizës së thellë ekonomike, politike e moralë që ka mbërthyer prej vitesh shtetin helen. Në të vërtetë qëndrime të tilla janë afishuar nga Athina herë pas herë dhe janë fashitur për t’u rizgjuar sërish, herë në formë ushtarësh që këndojnë himne antishqiptare, herë me spastrime dhe herë me intervista të tipit Kristo Papas. Me të drejtë, At’Nikolla Marku, kreu i Kishës Orthodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare, Shën-Maria  në Elbasan tha se Kristo Papas është një gangster politik që nuk i duhet as vetë Greqisë. Sepse vërtetë Greqia është atdheu i Homerit, i Eskilit, apo atit të demokracisë dhe të filozofëve, Sokratit, por prej shumë kohësh ka tregua së nuk është dhe modeli më i mirë i demokracisë. Sa për ilustrim mund të tregojmë se pas Luftës së Dytë Botërore Greqia i ka provuar të gjitha: edhe Luftën Civile, edhe juntën ushtarake, edhe demokracinë. Për fatin e keq të saj, kohët e fundit janë rigjallëruar neonazistët, që nuk janë gjë tjetër veçse një ogur i keq për të ardhmen e vetë Greqisë dhe të popullit grek. Tipa si Papas që kanë arritur të hyjnë edhe në Parlamentin grek i sjellin vetëm fatkeqësi kombit të tyre.

 At’ Nikolla Marku: “Kristo Papas është si Janullatosi”

At’ Nikolla Marku, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare, Shën-Maria  në Elbasan reagoi mbrëmë për “Telegraf”, pas intervistës së ideologut neonazist grek të “Agimit të Artë”, Kristo Papas. Ai tha se, Kristo Papas është një gangster politik që nuk i duhet as vetë Greqisë. Papas është njëlloj si Janullatosi në raport me shqiptarët. Ky gangster neonazist me ato që tha, tregoi veten dhe pjesën më të errët të shovinizmit grek që shfaqet herë pas here kundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai sheh ëndrra në diell dhe nuk e kupton i gjori Papas se kapitulli i tij është mbyllur njëherë e mirë këtu e 70 vjet më parë. Është turp për shtetin grek që ka deputetë të tillë. Në vend që të gjejë gjuhën e mirëkuptimit, të miqësisë dhe fqinjësisë midis dy popujve tanë, gangsteri Papas u fryn zjarrit të luftërave dhe ngjall vetëm urrejtje midis popujve tanë. Por, si ai, ashtu dhe Janullatosi nuk kanë të ardhme, përfundoi At’ Nikolla Marku.

 Prof. Lisen Bashkurti: “Rigjallërimi i nazizmit, fatkeqësi për Greqinë”

Deklarata e përfaqësuesit të “Agimit të Artë”, është në linjën e doktrinës që ai përfaqëson. Fashizmi i ka rrënjët e hershme në historitë politike të Greqisë, ai ka lindur pothuajse paralelisht me fashizmin në Itali. Metaksa, Kryeministri i famshëm fashist ka qenë një nga miqtë më të ngushtë të Musolinit dhe kanë bërë pjesë në një akt të përbashkët gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu edhe në periudhën e Luftës së Dytë alternativa fashiste ka qenë shumë e fortë në Greqi. Në periudha krizash, në mënyrë të veçantë Greqia ka një traditë që të rikthejë regjimet ekstreme. Lufta Civile që është bërë në Greqi ka pasur alternativa fashiste, si një prej alternativave më ekstreme. Në rastin konkret vetë kriza e tyre, ekonomike, politike dhe morale që ka përfshirë gjithë shoqërinë dhe institucionet greke e ka rigjallëruar së tepërmi alternativën fashiste. Është një fatkeqësi për Greqinë, kriza greke, por është tronditëse për Ballkanin rigjallërimi i nazizmit në Greqi. Ju të gjithë e keni dëgjuar edhe parë që doktrina e tij karakterizohet nga shovinizmi, nga pretendimet territoriale, nga fobia dhe në mënyrë të veçantë nga një lloj ndjenje agresiviteti dhe që po e përkeqëson situatën në rajon. Nuk ka asnjë gjë të përbashkët “Agimi i Artë” me asnjë nga alternativat politike që ka Shqipëria, absolutisht nuk ka asgjë të përbashkët me Aleancën Kuq e Zi, e cila është një forcë që bazohet tek tradita e nacionalizmit më të mirë shqiptarë. Është një forcë që mbështetet në parime të qarta demokratike dhe që respekton parimet e të drejtës ndërkombëtare, respekton fqinjësinë e mirë, respekton kufijtë politikë. Pra kemi një ndryshim të madh, midis “Agimit të Artë” dhe Aleancës Kuq e Zi.

 Tahir Muhedini: “Kjo intervistë nuk duhej transmetuar”

Nuk më çuditi aspak qëndrimi i një neonazisti grek, pasi në çamët i dimë shumë mirë pikëpamjet e njerëzve të këtij lloji. Si Kristo Papa ka pasur, ka dhe do të ketë gjithnjë në Greqi. Mua më çuditi fakti që një intervistë e tillë transmetohet në mediat tona. Ky neonazist nuk u ngrit vetëm kundër historisë së vendit tonë, kundër çamëve e gjithë shqiptarëve, por ai u ngrit kundër Europës e kundër Amerikës. Vreri i atij njeriu të revolton, por në të njëjtën kohë duhet të shqetësojë dhe Athinën zyrtare, pasi bie ndesh me të gjitha normat dhe standardet ndërkombëtare. Kështu u shpreh mbrëmë për “Telegraf”, Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini. Ai tha se historinë e çamëve dhe gjenocidin grek ndaj tyre e di gjithë bota. Ashtu sikurse dokumentohet se Napoleon Zerva ka qenë bashkëpunëtor i fashistëve. Është turp për shtetin grek që ky kriminel që ka vrarë mijëra çamë të respektohet si hero në Greqi. Ne si PDIU dhe shoqatë Çamëria kemi 22 vjet që hedhim poshtë të gjitha tezat dhe teoritë dashakeqëse greke kundër çamëve dhe kërkojmë fqinjësi të mirë midis dy vendeve tona. Ne duam që të tregojmë të vërtetën historike dhe të kemi marrëdhënie normale me shtetin helen, ku në bazë të miqësisë dhe marrëdhënieve të jetë respektimi i të drejtave themelore të njeriut. Ndërsa shteti ynë shqiptar ka lejuar ngritjen e varrezave fiktive për ushtarët grekë, ne kërkojmë ngritjen e varrezave për çamët e vrarë padrejtësisht nga grekët në Çamëri. Prandaj dhe si parti dhe si shoqatë do të luftojmë pareshtur për të drejtat tona njerëzore. Ky Papasi është një individ që i prish punë vetëm Greqisë, duke folur në këtë mënyrë, duke nxjerrë në sipërfaqe gjithë atë urrejtje fashiste kundër shqiptarëve.

 Abdi Baleta: “Fjalët e deputetit neonazist, thelbi i politikës greke”

Kristos Papas, ishte një personazh më grotesk për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke.. Pas këtij personazhi qëndron një politikë e njohur greke, armiqësore ndaj Shqipërisë. Kështu u shpreh politikani i njohur Abdi Baleta. Papas ka qenë zëdhënësi i politikës zyrtare greke ndaj Shqipërisë. Ai thotë: “Zbatimi i protokollit të Korfuzit”, për Vorio-Epirin. Këtë e kanë kërkuar çdo ministër i Jashtëm grek.  E kanë kërkuar edhe partitë minoritare në Shqipëri, që nga Dulja, e Bollano. Papas tha: “Nuk ekziston kombi shqiptar”. Kjo është vija konspirative greko-serbe ndaj Shqipërisë. Kjo nuk është diçka e re, që e tha vetëm Papas. Ai më tej tha: “Shqiptarët janë helinas, që kanë humbur rrugën e historisë”. Po të lexosh në gazetën “Republika” të datës 5 mars, a 5 prill 1998, intervistën e ambasadorit grek në Tiranë, Prevenduraqis, ai ka thënë: “Shqiptarët janë helenë, që kanë ndërruar fenë dhe gjuhën e folur. Vetëm në Alpet e Shqipërisë, atje larg, ka shqiptarë”. Atëherë, kush reagoi? Asnjë! Papas, tha që gjithë Shqipëria është një krahinë e Greqisë. E shikoni, që nuk tha ndonjë gjë më të rëndë, Papas, nga ambasadori grek në Athinë, në 1998?! Papas, tha: “Pse u anulua marrëveshja e detit?! Sepse ju (shqiptarët) nuhatët naftën”. Po këtë e kanë thënë gjithë ministrat grekë, Kryeministrat grekë. Por, ne fajin të mos ua ngarkojmë këtyre grekëve, që na thonë këto, por fajin t’jua kërkojmë qeveritarëve tanë, që nënshkruan atë marrëveshje të turpshme. Papas, tha: “Shqiptarët nuk bëhen kurrë grek, se greku lind nga gjaku”. Dulja ka thënë: “Ndërroni ndërgjegjen, që të bëheni grekë”. Këtu ndryshojnë vetëm, Papas dhe Dulja. Ai tha për ligjin e Luftës që kurrë nuk është hequr dhe ai është në gjendje lufte me Shqipërinë. Tani, unë kam të drejtën morale të pyes. Si ministër i Drejtësisë dhe i Jashtëm, në 1993, kam kërkuar të mësoj nëse është hequr apo jo Ligji i Luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë. Më kanë thënë, në ato kohë, gjithë drejtuesit, duke filluar që nga Ramiz Alia, se ai ligj është shfuqizuar nga pala greke. Edhe Paskal Milo, si ministër i Jashtëm, e ka pohuar shumë herë këtë. Papas e tha qartazi sot. Po pyetja ime, që jua drejtoj grekëve, por që duhet ta bëjnë edhe diplomacia jonë zyrtare, është: Jemi në gjendje lufte me Greqinë, për shkak të atij Ligji Lufte, apo për ndonjë arsye tjetër? Kjo është një pyetje madhore, që duhet të marrim përgjigje! Dhe e dini, se çmësuam nga Papas? Që në Greqi, mendojnë që nuk duhet të ekzistojë kombi shqiptar. Kjo është e vërteta e ekzistencës së ligjit të Luftës që Greqia e ka akoma. Të marrim regjistrimin e popullsisë, që tani i doli koka. Unë e kisha ndaluar në 1993. Tani i drejtohem Pollos. Kush është sharlatanizmi? Fjalët e deputetit neonazist grek janë thelbi i politikës greke. Papas është njëlloj si Janullatosi. Por, Janullatosi flet me një gjuhë tjetër, por që veprojnë për një qëllim të përbashkët. Janullatosi ka një ambalazh qiellor, për të arritur qëllimin e politikës greke ndaj kombit shqiptar. Mesazhi që na dha Papas është ky. Shqiptarë, mblidhni veten. Në Greqi, mendojnë për ne: “Po pyet Greqia: A ka më ushtri në Shqipëri?”.  Papas, na e tha hapur, që po u desh, edhe ushtrinë do ta përdorin, si mjet presioni për të marrë Vorio-Epirin!

“Agimi i Artë” në marrëzinë historike të Kristos Papas
Luan Shmilli

Artur Zhei tragjikisht na solli mbrëmë në TV”Nevvs 24″për disa minuta një drejtues të nazifashistëve të “Agimit të Artë”, pse jo të çekuilibruar. Brendia e ideve të naziskinit Papas, i gjendur pa helmetën hitleriane, natyrisht edhe pse nuk përbën absolutisht shqetësim (dikur ish -kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, mendjeve të tilla u është përgjigjur se provoni të sulmoni, por për 6 orë do pimë me Enverin kafenë në Athinë! “Natyrisht, M.Shehu është komunist stalinist, por kujtesa referon kundërpërgjigje konkrete dhe jo shitje trojesh, si ka bërë Kryeministri  Sali Berisha. Naziskini grek, pa helmetën e Hitlerit, pati kurajon të na thotë se, Shqipëria duhet të jetë një provincë greke, kur ditë më parë një nga gazetat që naziskini i quan “luftënxitëse”, “Telegraf”, ka treguar me fakte jo shqiptare, por të të huajve, se grekët janë të vonë; dhe se gjer në Kretë janë zbuluar prej Evans (zbuluesi i madh i Knosit) qytetet e stërlashta, Gurnjia, Mallia; dhe se përveç gjuhës shqipe, këto dy fjalë të sjella nga historiani i madh italian Mario Attilio Levi; nuk kanë asnjë sinjifikacion tjetër në botë, meqë naziskini grek pa helmetën e Hitlerit, na bëri të besojmë se vetëm ai njeh historinë. Duke kujtuar se ai pretendoi Shqipërinë provincë greke, i ripërsëritim të publikuar hartën e  romakëve, të cilët tregojnë të kundërtën, se Greqia e sotme, në vitin 395 pas K.ka qenë PREFEKTURE ILIRIKE. Ka shumë dokumentacion, që tregon të kundërtën e pretendimeve të naziskinëve, por më skandalozi, për grekët, bëhet nga historiani i njohur filogrek Hammond. Ai në Enciklopedinë”Ge Dea”, të Publikuar në CD nga “De Agostini”, Itali,thotë qartë: “Në shekullin e VIII, para K.Epiri banohej nga popullsi ilirike”. Dhe në shekullin e VIII para K.ka shkruar Homeri “Iliadën”, “Odisea”. Pra Ilirët nuk janë popullsi greke, si shkrehu, Kristos Papas; dhe aq sa nxin fytyra e tij me tru dolikocefal sipas shkencëtarëve, po aq zbardh fytyra pellazgjiko-ilirike e Epirit pjesa jugore e të cilës mbetet e pushtuar dhe masakruar ende nga helenët, grekë të ardhur vonë, por fqinjë të shqiptarëve në detet e tyre përherë të trazuara….Naziskini tha se do ngrejë seksione naziskinësh në Shqipëri (me para edhe mund ta bëjë, sepse shteti që dha detin, tokë për varreza, edhe këtë mund ta lejojë. Por Kristos Papas tha edhe se: “N.Zerva, ishte një atdhetar e luftëtar i shquar”, kur gjithë studiuesit e historisë, e kanë përcaktuar si një vrasës dhe plotësisht kriminel ndaj popullsisë së Çamërisë, duke renditur në histori edhe Greqinë si vend që ka bërë gjenocid karshi një populli të pambrojtur, si janë shqiptarët e Çamërisë martire. Ligji i luftës, që naziskini pranoi se hiqet në parlamentin grek dhe me kryeneçësi tregoi se, Shqipëria është në luftë vetëm me “Agimin e Artë”!…U thanë edhe të tjera marrëzi, madje nuk u harruan as kriminelët e mafiozët e shumtë shqiptarë që kanë mbushur burgjet në Greqi,por edhe emigrantët shqiptarë që shtetasit grekë nuk duhet t’i mbajnë në punë…Ishte një marrëzi totale, një njeri pa koshiencë historike, pa ndjeshmëri fqinjësore, që fatmirësisht mbetet edhe si parti, një minorancë e papërfillshme edhe për vet pjesën më të shëndoshë greke.