‘Në shoqëri të keqe’/ Çfarë mesazhi po dërgon Yuri Kim për SPAK?

354
Sigal

Kur u pyet para pak ditësh për kapjen e ‘peshkut të madh’, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, devijoi disi duke thënë se nuk është peshkatare, por se është diplomate.

Reagimi i saj vjen pasi paraardhësi i Kim, Donald Lu, e kishte përdorur kaq shumë tezën e ‘peshkut të madh’, sa historia u bë qesharake deri në pikën kur Lu tha se ‘peshku i madh’ ishte Arbër Çekaj, vetëm një nga trafikantët në zinxhirin e madh të atyre që e kanë kthyer Portin e Durrësit në hanin më të madh pa porta të drogës. Shqipëria u kthye në të parin narko-shtet në Europë nën hundën e Lu dhe të tjerëve, ndërsa Kim këtë herë po bën kujdes, duke thënë se është diplomate.

Në fakt, që të jesh diplomate, do të thotë të jesh e kujdesshme në çdo gjë që bën, në çdo fjalë që thua e në çdo dalje publike. Ky duhet të jetë ndoshta mësimi i parë i diplomatëve.

Por kjo nuk është e vërtetë në rastin e Kim, sidomos tani që shqiptarët po presin të shohin pas shumë vitesh se çfarë do të prodhojë drejtësia e re, për të cilën diplomatët thonë se ajo u hoq nga prehri i politikës, për të përfunduar rrjedhimisht në prehrin e diplomatëve.

Kur drejtësia qëndron në prehrin e politikës, sërish nuk duhet të keni iluzione dhe të besoni se politikanët dhe njerëzit e drejtësisë lënë hapur gjurmë në aferat e tyre, duke biseduar apo telefonuar njëri-tjetrin. Për ironi, gjithçka bëhet publikisht. Politika i dërgon sinjalet e saj drejtësisë se kë duhet të godasë dhe kë duhet të mbrojë me daljet e saj publike. Ata që sulmon politika në pushtet duhen goditur dhe ata që mbron ajo me fotot dhe videot plot buzagaz e hare duhen mbrojtur.

Në kohën kur krijesa e tyre, SPAK, i ka sytë nga diplomatët për të parë se kë duhet të godasë, ambasadorja amerikane e ka lënë mënjanë diplomacinë dhe po shfaqet e qeshur me ata që duhej të ishin subjekti i parë i SPAK. U bënë javë të tëra që ajo shfaqet e lumtur në gostitë e kontingjentit të SPAK, duke filluar që nga personazhet e politikës e duke përfunduar te yjet e shoubizit, familjarët e të cilëve arrestohen dhe lirohen lehtësisht, edhe pse akuzat mbi shpinën e tyre janë më shumë se të rënda.

Kur u publikua një foto e Kim me Elisa Spiropalin dhe Niko Peleshin, aktivisti Genc Sejko shkroi: “Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zonja që ke në krah, zonja ambasadore, i ka shkaktuar të paktën 5 milion euro dëm dikasterit që dikur drejtonte.  Zotëria që ke përballë u shkarkua si ministër për paaftësi. Kjo sepse nuk deshën ta fusnin në burg për lejimin e shitjes së pesticideve të rrezikshme. Njerëzve u vjen për të qeshur kur gjatë ditës deklaroni se mbështesni reformën në drejtësi, e gjatë natës harboheni me ata që duhet të ishin subjekt i saj”.

Më të gëzuara janë daljet e saj publike me Erion Veliajn, që duhej të ishte personi i parë në dyert e SPAK për dy nga dosjet që cilësohen si sfida e vërtetë e drejtësisë së re. Bëhet fjalë për skandalin e inceneratorëve dhe gjobën stratosferike që duhet paguar për biznesmenin italian Françesko Beketi.

Por Veliaj, që ka nisur një fushatë për të shpëtuar veten, jo vetëm që po e përdor diplomacinë për interesat e tij, por sipas raportimit të kolegëve të Lapsi.al, ka thurur rrjetin e tij brenda drejtësisë së re, për ta mbrojtur në çdo rast. Ky është një tjetër sinjal alarmues se drejtësia e re jo vetëm është kapur nga pushteti, por aty po ravijëzohen klanet që shpërfaqen te partia në pushtet.

Nga gjithë kjo situatë mund të kuptosh se përse Kim nuk flet më për ‘peshkun e madh’. Por nga këto pamje që po na ofrohen rregullisht, do ishte mirë të mos fliste as për ‘diplomaci’.