Në dhjetor disa nga ministrat do marrin valixhet

428
Sigal

Asnjë nga njerëzit e aftë të PD-së nuk do të largohet nga puna për bindje politike, do heqim vetëm militantët mediokër

  Pas tre muajve, puna e ministrave dhe drejtorëve do të analizohet imtësisht dhe disa prej tyre që do të rezultojnë me punë të dobët, do të largohen”. Kështu u shpreh dje, Kryeministri Edi Rama, në debatin televiziv, duke thënë se, askush nuk do të tolerohet. Kjo deklaratë serioze e Ramës, me siguri i ka futur panikun ministrave aktualë, disa prej të cilëve ishin të gatshëm për dorëzimin e mandatit të deputetit. Por në këtë pikë, Rama përsëriti se, ndaj tyre nuk do të bëhet asnjë lëshim dhe ata që s’bëjnë punën, do hiqen. Ndërsa në lidhje me emërimin e drejtorit të Albpetrol-it, Endri Fuga, për lidhjet e tij me Koço Kokëdhimën, Rama nuk dha përgjigje, por tha se, politika nuk mund të vazhdojë më të merret me thashethemet e opozitës. Gjithashtu, lidhur me akuzat e aleatit të vet, Spartak Ngjela, Rama nuk pranoi të bënte polemikë, por tha se: “Ngjela ka mirëkuptimin tim të plotë, edhe kur ia fut kot fare, si në këtë rast”. Në fakt, Ngjela para dy ditësh lëshoi një akuzë “bombë”, duke akuzuar Ramën se ka caktuar disa senatorë të gjimnazit në institucione shumë të rëndësishme”. Midis deklaratave të rëndësishme, Rama tha dje, se, “komuniteti mysliman në Shqipëri ka qenë i manipuluar nga qeveria e mëparshme”. Por deklarata më e veçantë e ditës së djeshme nga ana e Ramës, kishte të bënte me bulevardin e Tiranës. “Çështjen e bulevardit të Tiranës do ta diskutojmë me kujdes, duke e trajtuar, edhe në KKRRT. Dhe nëse konstatohen shkelje, bulevardi do të anulohet”, shtoi ai. Me këtë rast, Rama riktheu situatën e tensionuar të disa viteve më parë, kur çështja e “Zogut të Zi”, krijoi një pështjellim të madh në vendin tonë. Duket sikur edhe Rama po përgatitet të sillet ndaj bulevardit kryesor, në të njëjtën mënyrë, siç u soll qeveria e PD-së me “Zogun e Zi”.

 Punësimi

 Kryeministri shqiptar dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, duke iu përgjigjur dje, pyetjeve të gazetarit Fevziu deklaroi se, asnjë nga përfaqësuesit e PD-së nuk do të hiqet nga puna, nëse ata janë njerëz të aftë. “Do të heqim vetëm militantët e paaftë”, vuri në dukje ai. Ndërsa për pjesën e njerëzve të profesionalizuar, Rama tha se, asnjë prej tyre nuk do të lëvizet, nga institucionet, qoftë sikur ata të kenë tundur nëpër mitingje flamurin e Partisë Demokratike”. Me këtë deklaratë, Rama prezantoi publikisht faktin se, disa prej zyrtarëve të PD-së nuk do të preken nga “Cunami” politik. Duke konkretizuar mendimin e tij, për pjesën e militantëve blu që do të hiqen, Rama tha: “Në muajin qershor me rastin e fushatës elektorale, në një nga ministritë e rëndësishme të kabinetit, janë shtuar arbitrarisht rreth 200 punonjës që nuk e meritojnë këtë vend pune. Pra, janë pikërisht këta lloj punonjësish që do të hiqen nga puna. Ndërkaq, duke iu përgjigjur Fevziut që e pyeti se, ku do të punësohen njerëzit e Partisë Socialiste, Rama tha: “Partia Socialiste nuk emëron askënd. Emërimet i bën qeveria, por mos ia qani hallin përfaqësuesve tanë, sepse kjo është diçka qesharake”.  Me këtë, Rama, la të kuptohet se pavarësisht nga kujdesi për të mos hequr disa demokratë, përsëri, vendi i punës për shumicën e socialistëve, mund të jetë i sigurt.

Konkursi i munguar

Gjatë këtij debati, Rama u pyet për shkeljen e premtimit paraelektoral, lidhur me emërimin  e shumë drejtorëve pa konkurs. Në fakt, Rama kishte deklaruar se, çdo drejtues në administratë do të emërohej me konkurs, por gjatë këtyre emërimeve të fundit, ky premtim nuk është mbajtur. Për këtë gjë Rama u përgjigj se, “këto emërime u bënë për shkaqe emergjence dhe të imponuara nga realiteti”. Më tej ai e konkretizoi mendimin e tij me një fakt të thjeshtë duke thënë: “Para pak ditësh, në drekë caktuam drejtoren e Doganave dhe në darkë, u kap një aferë korruptive prej 4 milionë e ca dollarësh”. Sipas Ramës, kjo u mundësua nga emërimi emergjent i drejtores së re, pasi drejtorët e mëparshëm të PD-së nuk kryenin si duhet detyrën. Më tej, i pyetur për emërimin e disa vajzave të reja dhe pa eksperiencë në detyrë, nëpër drejtori të rëndësishme, Rama tha: Unë jam krenar për këto emërime, si edhe për faktin se, disa njerëz po çuditen prej emërimit të femrave. Por unë ju them me siguri të plotë, se ne i kemi parë prej kohësh edhe burrat me mustaqe, apo disa burra me bark të dhjamosur, apo me yndyrë në gojë. Ata i pamë që dështuan, tani le të shohim vajzat që kemi emëruar ne”. Nga ana tjetër, në lidhje me emërimet e ish- punonjësve të Bashkisë së Tiranës, Rama tha: “Çdo njeri që ka punuar me mua në Bashkinë e Tiranës, e ka atë periudhë si pjesë të suksesit dhe krenarisë së vet”. Midis të tjerave Rama foli edhe për ndryshimet në spitalin “Nënë Tereza”, si edhe për fusha të ndryshme të jetës së vendit. Në fund fare, Rama shprehu sigurinë për suksesin e garantuar të kësaj qeverie, por ai shtoi edhe një frazë tjetër, duke thëne se: “Edhe po dështuam, ne nuk do të dështojmë si Partia Demokratike me skemat e vjetra, por do kërkojmë gjithmonë alternative të tjera”.