Nard Ndoka: “Rama i asgjësoi politikisht aleatët e tij”

475
Sigal

Deputeti Nard Ndoka, në intervistën për “Telegraf” pohon se ai nuk i përket më grupit parlamentar të së Djathtës, dhe mund të votojë sipas bindjes së tij në Kuvend. Tashmë, -thotë Ndoka,- është formuar Unioni Demokristian nga PDK-ja dhe PKD-ja, nën siglën e PDK-së, por ende nuk e kanë vendosur se me kë kah politik do të jenë, pasi Rama, sipas zotit Ndoka,  i ka asgjësuar aleatët e vet politikë. Ndërsa për shtyrjen e ligjit “Për Nëpunësin Civil”, zoti Ndoka thotë se, ky është një akt antikushtetues i qeverisë, sepse për herë të parë në historinë e politikës shqiptare goditet konsensusi maxhorancë-opozitë. Sipas zotit Ndoka, argumentet e qeverisë së Ramës, për të shtyrë 6 muaj afatin e zbatimit të ligjit,  janë demagogjike dhe absurde.

– Zoti Ndoka, jeni deputet i grupit parlamentar të PD-së, meqë jeni votuar me listat e PD-së, në Qarkun e Shkodrës?

– Unë jam tashmë përfaqësues në Kuvend i PDK-së. Pra nuk jam anëtar i grupeve parlamentare të PD-së, apo i partive të tjera të Djathta opozitare.

–  Mbi cilat kritere ju do ta jepni votën në Kuvend? Nisur nga bindjet tuaja politike, apo si opozitar?

– Kuptohet që opozita ka instrumentet dhe institucionet e veta. Vendimet e rëndësishme, opozita i merr me një konsultë të përbashkët me të gjitha partitë parlamentare opozitare. Kjo është fryma dhe rregulli që është krijuar tashmë. Qëllimet e mia do të jenë opozitare, kur do të duhet një vendimmarrje e përbashkët. Ndërsa, në varësi të çështjeve të ndryshme, vota ime do të jetë e pavarur nga vendimi që do të marrë opozita. Pra, PDK-ja në Kuvend do të ketë gjykimin e vet mbi ngjarjet politike, mbi nismat ligjore, mbi problematikën parlamentare.

– Ju, si e vlerësoni, shtyrjen për 6 muaj nga qeveria me akt normativ të ligjit “Për Nëpunësin Civil”?

– Goditet për herë të parë në historinë e politikës shqiptare një konsensus, me akte normative. Nuk mundet që edhe Kryeministri, edhe qeveria të kenë kompetenca kushtetuese që të rishikojnë një ligj, i cili është miratuar me konsensus në Kuvend. Të tilla politika precedente, mund të justifikojnë deri aty, sa të ndryshojnë edhe Kushtetutën me akte normativë të qeverisë. Nuk mundet që një ligj, i cili është miratuar me konsensusin e gjerë pozitë-opozitë, të shtyhet 6 muaj për të hyrë në fuqi, se kështu i intereson qeverisë.

Qeveria e justifikon aktin normativ për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit, për të nxjerrë akte nënligjore, pasi është i pazbatueshëm. Janë bindëse këto argumente?

– Edhe nëse ligji ka të meta teknike, përmirësimi duhet të jetë fryt i bashkëpunimit pozitë-opozitë. Në ligjin në fjalë, nuk ka asnjë pengesë ligjore për ta zbatuar që tani.

– A është njohur opozita me ndryshimet që do të bëjë maxhoranca, në mënyrë të atillë që ta bëjë të zbatueshëm?

– Po, është njohur, kemi marrë një letër me argumentet përse kërkohet shtyrja për 6 muaj e ligjit në fjalë.

– Përse ju i rrëzoni ato argumente?

– Sepse janë absurde, demagogjike. Një ligj, i miratuar me konsensus, duhet të implimentohet dhe gjatë zbatimit të tij, dalin problematikat. Dhe, jo, pa u zbatuar fare. Maxhoranca e ka paragjykuar politikisht ligjin, duke e bllokuar atë, për të fituar kohë që të bëjë fshesën në administratën publike.

– Nëse shkrihet unioni demokratik, në një parti, kujt kahu politik do t’i përkisni?

– Kjo do të varet nga interesat tona të demokristianëve. Ende është herët që ta flasim se kujt kahu politik do t’i bashkëngjitemi.

– Sa janë mundësitë, nëse unioni i demokristianëve bëhet një parti e vetme, që deputeti Frroku, të bëhet pjesë e opozitës?

– Nuk është ky qëllimi. Që të kaloj unë në maxhorancë, apo Frroku në opozitë. Qëllimi është faktorizimi i axhentës demokristiane. Kjo na bën që të mos na pengojë si union, që të jemi  me njeri-tjetrin, në kampe të kundërta politike.

– Nëse Rama do t’u japë aleatëve poste qeveritare, në qeverisje do të jetë PKD-ja apo unioni demokristian?

– Së pari, unioni demokristian, nuk formohet që t’i afrohet pushtetit. Por unë mesa shoh, Rama është reflektues ndaj aleatëve. PërjashtoiPKD-në nga qeverisja, duke e shkelur marrëveshjen dypalëshe. I ka asgjësuar politikisht edhe aleatët e tjerë. Nuk ka mendësi bashkëpunimi te lidershipi i PS-së për t’i dhënë respekt aleatëve të vet. Kështu që, nuk kemi ndonjë besim real te Rama si Kryeministër.

– Tani që ju iu shkëputët grupit parlamentar të PD-së, a prisni që të reagojë ndaj jush elektorati që ju votëbesoi?

– Unë jam deputet i Qarkut të Shkodrës, i zgjedhur 4 herë. Edhe kësaj here, isha përfaqësues i së Djathtës dhe jo i PD-së. Kjo ka qenë e qartë edhe në marrëveshjen tonë paraelektorale dhe nuk ka vend as për hamendësime, as për keqinterpretime. Qëllimet e mia politike kanë qenë të qarta.

Thuajse është gati Unioni Demokristian, me siglën e KDK-së

– Sa afër jeni në bashkimin e PDK-së me PKD-në?

– Tashmë ky është një proces thuajse i përfunduar. Ne kemi rënë dakort që të krijojmë një union demokristian, ku të përfshihen të gjitha ato parti politike që janë të spektrit politik demokristian. Kemi bërë hapin e parë mePKD-në e zotit Frroku, por nuk përjashtojmë as partitë e tjera të zotit Bushati dhe Lesit.

– Çfarë përmbajtje politike do të ketë unioni demokrastian?

– Fillimisht partitë do të ruajnë pavarësinë e tyre, por më vonë unioni demokristian do të shkrihet në një parti demokristiane të vetme, me siglën PDK. Ky është një proces, i cli sapo ka nisur. Ne pretendojmë që të kemi këtë parti të unifikuar përpara zgjedhjeve të 2015-s për pushtetin vendor.

– Duke qenë se ju jeni  deputetë në opozitë dhe Frroku në maxhorancë, unioni demokristian, në cilin kah politik do të jetë?

– Kjo është edhe e veçanta e unionit demokristian, që i jep mundësinë çdo partie politike që të ruajë pavarësinë e saj. Deri sa të bëhet shkrirja e partive në një të vetme, secila parti do të ketë kahun e tanishëm të saj politik. Zoti Frroku do jetë pjesë e maxhorancës, unë pjesë e opozitës.