Këshilli, PD-PS bëhen bashkë për arrestimin e Mark Frrokut

487
TIRANE – Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit eshte mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Mark Frroku i cili rezulton se është i dënuar në Belgjikë me 10 vite burg për vrasje.
Sipas dy avokatëve të Frrokut, që Këshilli i Imuniteteve të japë një vendim, duhet që minimalisht Prokuroria të paraqesë provat. Më tej avokatët shprehet se prokuroria nuk ka tagrin për të kërkuar arrestimin, pasi vlen vetëm për veprat në flagrancë, ndërkohë që çështja në fjalë është e vitit 1996.
Ndërkohë që vetë deputeti Frroku, ka deklaruar se kur ka ndodhur ngjarja në fjalë në Belgjikë, ai ndodhej në Shqipëri.
Sigal

Ora 14:28 Halimi: Në relacion të evidentohet fshehja e kërkesave të Interpol

“Ajo që u vendos ishte dhënia e autorizimit për të çuar kërkesën e Prokurorisë në Kuvend. Opozita ngelet e vendosur për të mbështetur Prokurorinë. Do shikojmë raportin e administratës më pas do të themi qëndrimin tonë në Kuvend. Duhet të dalë në dritë të dielli në relacion edhe fakti që qeveria ka fshehur kërkesat e Interpolit.”- tha Eduard Halimi. 

Ora 14:15 Këshilli aprovon arrestimin e Frrokut

Ora 13:40 Tërhiqet për vendim Këshilli i Imunitetit

Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit pasi ka dëgjuar kërkesën e Prokurorisë dhe qëndrimin e Mark Frrokut e avokatëve të tij janë tërhequr për vendim.
Avokatët e Mark Frrokut kërkuan rrëzimin e Kërkesës e Prokurorisë, pasi sipas tyre ajo nuk shqoëerohet me prova, ndërkohë që Prokuroria është treguar e rezervuar duke deklaruar se ruan sekretin hetimor. 

Ora 13:30 Xhafaj: A ka presion politik mbi Prokurorinë? / Halimi: Ne ju mbështesim

“Nuk jemi këtu për të bërë analizë të provave. Ajo që ne duhet të vlerësojmë ne është nëse kjo kërkesë është e motivuar apo jo politikisht, a është pengesë apo jo. Nuk ka më imunitetet ndaj veprës penale”- tha Fatmir Xhafaj ndërsa pyeti Prokurorinë nëse është apo jo nën presion politik.
Prokuroria e ka cilësuar si të pavend pyetjen e Fatmir Xhafajt, duke shtuar se kërkesa është e natyras procuderiale ligjore.
Ndërsa deputeti Halimi, ndërsa ka shprehur mbështetjen e Prokurorisë, u shpreh se pyetjet e PD që nëse Prokuroria ka pasur informacion apo jo për kërkesa të kaluara nga autoritetet belge, shërbejnë për të zmbrapsur presionin politik.
“E dimë që kjo është një kohë e vështirë për Prokurorinë. PD mbështetje pa rezerva për Prokurorinë. E dimë që ka presione të politikës për ët mbuluar një krim tjetër. Shqipëria i ka sytë nga Prokuroria. Fshehja për muaj të tërë një datë për kërkesën e Prokurorisë, tregon presionin e politikës mbi Prokurorinë. Të gjitha pyetjet për një datë të mëparshme kanë si qëllim që ne të zmbrapsim presionin e qeverisë.”- tha Halimi.

Meta: Prokuroria të ka dhënë një përgjigje profesionale.

Ristani: Tashmë është publike që Interpoli ka sjellë kërkesë më 8 dhe 23 janar dhe vetëm në fund të marsit ka ardhur kërkesa që ju ka sjellë juve këtu. 

Ora 13:18 Avokati Genc Gjokutaj: Nuk ka një procedim për të vënë në lëvizje Prokurorinë

“Ka vetëm një informacion të Interpol Tiranës dhe fillon procesit., Puna është referenca që shkruhen në ligj. Nuk ka një procedim për të vënë në lëvizje Prokurorinë. Në rastin e kaluar 90% e tyre që ishin në media nuk ekzistonin. Po krijohet një procedim i rrezikshëm, po i thuhet Prokurorisë ti je shteti.”- tha

Ora 13:15 Avokati Vishaj: Frroku ka qëndruar 60 ditë në burg në Belgjikë 

“Hera e parë që jemi vënë në dijeni ka qenë vitin 2004. Kur vetë Mark Frroku është paraqitur te autoritetet belge. Frroku ka qëndruar 60 ditë në burg në Belgjikë. Autoritetet Belge revokuan vetë masën e arrestit në 2004. Zakonet kanunore janë bërë nga familjarët, të cilët janë betuar që s’kanë lidhje, nuk kërkuan falje.”
Ora 12:50 Ristani: Prokuroria të na njohë me urdhër arrestin ndërkombëtar. Avokati: Frroku ka lëvizur deri më 22 shkurt në zonën Shengen
Prokuroria: Materiali i ardhur është urdhër arresti ndërkombëtar për deputetin Frroku. Informacioni në urdhër arrestin është konfidencial dhe nuk mund ta bëj publik.
Ristani: Si na e provoni që ju ka ardhur shkresa për arrestin ndërkombëtar? Shkresat cfarë përbajmën, çfarë lidhje kanë me deputetin Frroku?
Prokuroria: Ne i kemi cituar të gjitha materialet në relacion, urdhër kërkimi ndërkombëtar për deputetin Frroku.
Ristani: A ka mundësi të shohim se ajo që thoni ju këtu është e njëjta me ato që ju kanë ardhur në shkresë?
Prokuroria: kërkesat tona dhe materialet shoqëruese janë përmendur në relacion, unë nuk mund ti vë në dispozicionin tuaj, por në dispozicion të Prokurorisë. Dokumentet që ne kemi janë të institucioneve ndërkombëtare. Nuk besoj që vërtetësia e tyre të vihet në dyshim nga askush prej nesh
Ristani: Për mua jeni dy palë që vini këtu, ju kërkoni arrestim për të. Dua të shikoj nëse ju jeni korrekt në kërkesën tuaj apo jo, se s’kam si ju besoj apriori.
Meta: Nuk ishin i kënaqur nga përgjigjja që morët nga prokuroria, nëse e gjykoni më pas të nevojshme për dokumente shtesë që ju mendoni se nuk dëmton procesin këtë gjë mund ta bëni më pas. Mendoj të vazhdojmë edhe me çështjet e tjera.
Ristani: Këtu ne s’kemi asnjë lloj dokumenti. Dua të shikoj dokumentin e Interpolit.
Meta: Ata janë institucion i pavarur. Nuk mund të detyroj prokurorinë të japë përgjigjet që duam ne, ne do të gjykojmë. Para se të marrim vendim do të gjykojmë për të gjitha aktet e marra dhe shkresat që do na vihen në dispozicion. S’mund të ndalojmë mbledhjen tek kjo çështje, të bllokuar vetëm në një pikë.
Ristani: Unë e di që doni ta prishni këtë mbledhje dhe ndaj të kërkuam dorëheqjen se ke konflikt interesi dhe do të mundohesh t’i mbrosh.
Prokuroria: Kërkesa e Prokurorisë shoqërohet vetëm me relacion, asnjë dokument tjetër.
Ristani-perfaqesues se prokurorise se Pergjithshme: Unë e kuptoj që nën presionin e Metës ju këtë qëndrim do të mbani Thuhet se kërkesat nga Belgjika kanë ardhur që në janar. Jeni në dijeni të këtij fakti
Prokuroria: Informacioni është konfidencial.
Vishaj: Nëse ka pasur urdhër arresti, deri më 22 shkurt 2015 kemi lëvizur lirisht në zonën Shengen, që do të thotë që s’ka urdhër arresti ndërkombëtar. Edhe ne kërkojmë të njihemi me këtë urdhër,që të realizojmë mbrojtjen ligjore se nuk kemi ardhur formalisht këtu. 
Ora 12:37 Avokati Gjokutaj:Është një praktikë jo ligjore, Prokuroria të na njohë me fakte
Sipas dy avokatëve të Frrokut, që Këshilli i Imuniteteve të japë një vendim, duhet që minimalisht Prokuroria të paraqesë provat. Më tej avokati Gjokutaj shprehet se prokuroria nuk ka tagrin për të kërkuar arrestimin, pasi vlen vetëm për veprat në flagrancë, ndërkohë që çështja në fjalë është e vitit 1996.
“Procedimi herën e kaluar në lidhjen me Frrokun për një çështje tjetër ka hapur një praktikë jo të rregullt ligjore. Nisur nga dispozita që rregullojnë veprimtarinë e këtij Këshilli. Prokuroria duhet të na njohë me fakte, herën e kaluar që Prokuroria kërkoi leja nga ju, pasi u shpreh se është sekret hetimor. Është një proces gjyqësor që është në vijimësi. Si mund të procedohet në këtë moment. Gjykimi juaj duhet të jetë formal. Por të japësh një autorizim, duhet që minimalisht të kesh fakte. Prokuroria mund të vijë sërish nesër me një akuzë tjetër. Përse kërkohet ky autorizim? Kështu siç po veprohet, do vijë momenti që t’i lihet në dorë Prokurorisë të procedojë deputetët. Nëse ky komision ka të drejtën për të dhënë autorizimin, ka edhe të drejtën të kërkojë edhe dokumente shoqëruese të kërkesës. Ju ftoj që t’i kërkoni organit të Prokurorisë se ku e mbështet këtë akuzë.”- tha Avokati i Mark Frrokut, Gjokutaj.
Ora 12:32 Avokati Visha: S’mund të pranohet çdo kërkesë në kuadër të dekriminalizimit
Avokatët e deputetit, Mark Frroku kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e klientit të tyre. Sipas Avokatit Visha janë anashkaluar procedurat penale dhe se po krijohet një praktikë jo e rregullt ligjore.
“Kërkesës nuk i janë bashkangjitur asnjë dokument shoqërues apo prova. Nuk mund të rrimë indiferent dhe të regjistrojmë një procedim penal thjesht nga një opinion. Nuk mundemi që në kuadër të dekriminalizimit të aprovohet çdo kërkesë. Kemi një ligj. Jemi penalistë dhe asnjë çështje penale që është gjykuar dhe gjykohet në Belgjikë nuk mund të vijë apori, duhet të kalojë përmes Ministrisë së Drejtësisë. Kemi një anashkalim procedural. Ministria eDrejtësisë është anashkaluar me dashje. Ajo që na shqetëson. Është që Prokuroria nuk ka të drejtë të arrestojë. Arrestimi parashtrohet vetëm në flagrancë. Flasim për një ngjarje të viti 1996. Përsa i përket heqjes së lirisë, këtu mungon rreziku i ikjes, ka një vendim Gjykate për arrest shtëpie për Mark Frrokun, në këto kushte nuk kemi mundësi ikje. Një kërkese ë tillë është e papërshtatshme.
Më datë 6 mars 2009 në Burrel, Gjykata Shqiptare pushoi çështjen ndaj një personi të kërkuar në Gjermani për trafik droge pasi mungonte ankimimi për transferimin e procedimit. të gjithë qytetarët janë të barabartë, për aq kohë sa Prokuroria ka mbajtur një qëndrim në të kaluarën duhet ta zbatojë edhe në këtë rast. Anashkalimi i Ministrisë së Drejtësisë i rrëzon të gjitha këto kërkesa.”- tha Avokati i Frokut, Visha.
Ora 12: 25 Vrasja ne Belgjike, Frroku: Kam qene ne Shqiperi
Frroku: Dua të theksoj që vullnetin tim për të qenë para organeve të drejtësisë e kam treguar të enjten duke pritur për 4 orë policinë te lokali im, kështu që nuk e kam ndërmend t’i fshihem drejtësisë. Dua të them që nuk kam vrarë asnjë njeri, dhe nuk kam bashkëpunuar me askënd për vrasjen e askujt. Autoritetet belge të më provojnë vetëm një fakt të vogël që unë në atë kohë kam qenë në Belgjikë dhe unë jam gati të pranoj vrasjen. Unë kam qenë në vendin tim në atë kohë. Sa i përket dëshmitarit kyç unë nuk kam lidhje me atë çështje. Do të bëjmë publike se çfarë provash ka në shkresën e Prokurorisë, me mua s’ka lidhje ajo çështje.
Çështja e sotme më përket mua dhe për këtë do të jap përgjigje para jush. Është e vërtetë se familjarët tanë kanë pasur një takim shumë i vonshëm, jo më shumë se një vit e ca, se babai im është 85 vjeç dhe ecën me të drejtën zakonore, unë do të eci me të drejtën e ligjit. Jam i gatshëm të përgjigjem për çdo gjë që mund të pyesni. Sa i takon Interpolit unë jam kthyer në 22 Shkurt nga Amerika e Veriut, kam udhëtuar nëpërmjet vendeve Shengen dhe nuk kam pasur asnjë problem me drejtësinë as këtu as në vendet shenjen.
Ora 12:13 Halimi-Metës: Mbledhja të mos e drejtoni ju, ka konflikt interesi
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi në nisjen e mbledhjes së Këshillit të Imuniteteve për kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Mark Frrokut, u shpreh se kjo mbledhje nuk duhet drejtuar nga ana e Metës, pasi ka konflikt interesi. Sipas Halimit, Frroku është një nga personat kyç të përfshirë në çështjen “Doshi” ku Meta është i akuzuar kryesor për atentatin që sipas Doshit do kryhej ndaj tij dhe Mhill Fufit.
“Kërkesa e dytë ka të bëjë me kërkesën e papajtueshëmësius për drejtimin nga ana juaj të kësaj mbledhje. Frroku rol kyç në akuzat që janë bërë ndaj jush nga deputeti Doshi. Kemi bërë kërkesë zyrtare, por edhe në media.”- tha Halimi. 
Xhafaj: Këshilli është organ i Kuvendit, do të thotë që duhet të marrë miratimin e Kuvendit. Përsa kohë ka funksione të deleguara si një nga organet e Kuvendit, pa marrë një miratim në seancë.
Nuk mund të ketë zëvendësues ky Këshill, sepse rregullorja nuk e parashikon.
Meta: Keni një vit që e keni vendin që duhet ta kishit zëvendësuar dhe askush nuk ju ka ndaluar. Dje e keni çuar kërkesën për Strazimirin, të enjten do ta njoftoj në seancë dhe të premten ai fillon punë si anëtar i këtij komisioni, çdo debat është i tepërt dhe nuk ka lidhje me rendin e ditës.
Halimi: Këshillin përbëhet nga 10 deputetë të emëruar nga kryetari i Kuvendit në mënyrë që të sigurojë shumicë të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës.
Lidhur me zëvendësuesit, ky këshill bëri një zëvendësim, kryetarin e Kuvendit me nënkryetarin. Në mënyrë që të sigurohet barazi, të plotësohet vendi vakant.
Meta: Nëqoftëse doni të mos merrni pjesë kjo është çështja juaj, më duket se jam shumë i qartë për këtë çështje, të enjten njoftohet në seancë, të premten e firmos unë. Mendoj të mos dalim nga rendi i ditës, se sot nuk jemi për këtë gjë
Ristani: Ne duam të zbatojmë Kushtetutën, rregulloren e Parlamentit, po e lexojmë gërmë më gërmë dhe është kështu siç po e themi ne. E kuptojmë që nuk doni ta plotësoni ekipin, pjesën që i takon opozitës në këtë Këshill, se është e lidhur dhe me kërkesën e dytë që ju keni konflikt interesi në këtë seancë. Çështja ka qenë nën dijeninë tuaj që para gjashtë muajsh, u mbajt e fshehur nga ju, jeni përpjekur t’i devijoni hetimet me veprime konkrete. Keni qenë në dijeni të procesit që në fillim të janarit.
Meta: Për çfarë po flisni se nuk po ju kuptoj, kjo është cështje tjetër
Ristani: Ju ka akuzuar Doshi se keni porositur vrasjen, Frroku ka qenë në dijeni dhe ju jeni përpjekur për t’i devijuar hetimet te Berisha.
Meta: Po përsërite edhe njëherë
Ristani: Kërkesa belge për Frrokun ka qenë e njohur në janar, ju e keni fshehur për të manipuluar hetimet. Prandaj ju keni konflikt interesi duhet të largoheni.
Meta: Unë nuk kam ndërmend të largohem, ju po të doni të largoheni, largohuni. Unë nuk kam kohë të harxhoj me përsëritjet që ju keni vendosur të bëni këtu duke zhvendosur rendin e ditës për të cilin jemi mbledhur. Konfliktin e interesit le ta gjykojnë ata që na ndjekin. Do të bësh konferencë shtypi shko te SHQUP-i, nuk kemi ardhur të dëgjojmë ty, fut kasetën ti…
Halimi: Këtu ka një kërkesë për largimin tuaj..
Meta: Nuk largohem unë, ikni ju po të doni, mbaj përgjegjësi. Jemi për gjë tjetër këtu, nuk jemi për të dëgjuar kasetën tënde.
Halimi: Ka konflikt interesi se këta zotëri të kanë akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Derisa vazhdojnë hetimet për këtë çështje ju duhet të largoheni. Ne nuk largohemi këtu do vazhdojmë. 
Ora 12:00 Mbërrin Mark Frroku, me dosje në dorë
Deputeti i akuzuar nga autoritetet belge për vrasje, Mark Frroku ka mbërritur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ku do të zhvillohet edhe mbledhja në Këshillin e Imuniteteve që do të vendosë për kërkesën e Prokurorisë për të arrestuar.
Por ajo që bie në sy ndryshe nga hera e parë, kur u kërkua arrestimi i Frrokut për çështjen “Doshi”, deputeti i PDK ka pasur një dosje në dorë. 
Në momentin që ka hyrë në Kryesinë e Kuvendit, Mark Frroku ka takuar edhe deputetë të tjerë që ka hasur.