Ndërkombëtarët, tre Presidentëve shqiptar: Do u ndihmojmë

376
Sigal

 Letra e tre presidentëve shqiptarë Moisiu, Meidani e Topi, drejtuar kryetarëve të shteteve të vendeve të Bashkimit Evropian me subjekt lobingun pro Shqipërisë në BE, ka gjetur mbështetje dhe është konfirmuar pozitivisht nga disa prej kryetarëve të shteteve. Disa vende kanë reaguar përmes ambasadorëve të tyre rezident në Tiranë, të tjerë përmes trupit tonë diplomatik në vendet përkatëse, ndërkohë që disa kryetarë shtetesh i janë përgjigjur direkt letrës. Një e tillë është letra e ardhur nga Presidenti i Hungarisë, János Áder drejtuar tre presidentëve të Shqipërisë. Në këtë letër, theksohet fakti se Bashkimi i Evropës nuk mund të jetë i plotë pa vendet e Ballkanit perëndimor dhe se Shqipëria “ka qenë dhe mbetet partneri ynë i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor”. Presidenti shpreh mbështetjen pa rezerva të Hungarisë, bazuar edhe në vlerësimet pozitive të raportit të qershor 2014 të Komisionit Evropian për Shqipërinë, pasi “ka bërë përparim të madh në kërkimin e saj për anëtarësim në BE”. Nisur nga fakti se letra e tre presidentëve përfaqëson tri prurje të ndryshme politike, një president të zgjedhur nga e majta, një president të zgjedhur nga e djathta dhe një president të zgjedhur me konsensus dypalësh, Presidenti hungarez shkruan në letrën e tij se mirëpret “mbështetjen e të gjitha partive politike për një vendim të Këshillit Evropian në favor të dhënies Shqipërisë të statusit të vendit kandidat dhe angazhimin e tyre për të bashkëngjitur reformat me prioritet më të lartë që lidhen me integrimin në BE”. Letra e tre presidentëve ishte e para në historinë e shtetit shqiptar, ku tre kryetarë shteti në periudha të ndryshme të drejtimit dhe me mbështetje të ndryshme politike, bashkohen rreth një nisme publike me interes të theksuar politik, shtetëror e kombëtar.