Ndërkombëtarë, lexoni poezinë e Kadaresë!

487
Sigal


Një këshillë për ndërkombëtarët e Tiranës; lexojeni poezinë “Laokonti” të Ismail Kadaresë… N

Nga Luan Rama, Zëvendëskryetar i LSI-së

Tirana pardje ishte në protestë. Me më shumë qytetarë se çdo herë tjetër më parë. E nesër, padyshim do të ketë edhe më shumë se sot. Ditë pas ditë uragani i revoltës popullore do të vijë duke u rritur, sepse e keqja mundet vetëm me forcën dhe vendosmërinë qytetare! Është e rëndë, është e turpshme që Shqipëria anëtare e NATO-s që prej 10 vjetësh vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë ku zgjedhjet blihen e vidhen dhe ku qytetari nuk e ka votën të veten! Është kriminale dhe padyshim, edhe skandaloze, e vërteta që Shqipëria anëtare e NATO-s që prej 10 vjetësh, vazhdon të tregohet me gisht si vendi i krimit të organizuar, si qendra evropiane e kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe si vendi me Parlamentin që u detyrua të miratojë një ligj për të dekriminalizuar vetveten e për të përzënë prej andej kriminelët që ishin futur me firmat e kryetarëve të partive, kur në fakt të parët duhej të ishin përzënë ata që i kishin bërë kriminelët deputetë! Është fyese dhe poshtëruese për një popull të tërë të një vendi anëtar të NATO-s, siç është Shqipëria që prej 10 vjetësh, që nga njëra anë të pranosh në raportin zyrtar të ODIHR-it se mbi 20 për qind e votës është blerë në zgjedhjet e vitit 2017, e nga ana tjetër të dëgjosh një “ndërkombëtar” të mbajë leksione për legjitimitetin e Kuvendit, të dalë me vota të blera nga kriminelë e trafikantë! Po në cilin vend tjetër të Evropës mund të ndodhë kjo shfaqje dyfytyrësie e hipokrizie?! Në cilin vend të Evropës së vlerave qytetare e demokratike prej nga vini ju zotërinj ndërkombëtarë do të heshtnit po të mësonit se në dosjet e prokurorisë për grupet e krimit të organizuar, ka prova se grupet kriminale kanë blerë vota për të prodhuar deputetë për qeverinë?! Në cilin vend të Evropës do të ishte normale që shteti të mos ketë Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë, të mos ketë Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur në zbatim të Kushtetutës siç ndodh në Shqipërinë anëtare të NATO-s?! Përse ky standard i dyfishtë? Përse kjo hipokrizi? Apo kjo është diplomacia e ndërkombëtarëve? E në mbyllje të këtyre radhëve, bashkë me falënderimin për ndërkombëtarët e Tiranës, edhe një këshillë për ta; lexojeni poezinë “Laokoonti” të Ismail Kadaresë…