Veliaj: “Edhe Teatrin e Ri do ta gëzojmë si një shtëpi të re; është koha të kemi një teatër të denjë për Tiranën”

347
Sigal

Kryebashkiaku i dorëzon çelësat e shtëpisë së re familjes Xhameta në Kombinat

Nata e Kadrit, një ndër netët e bekuara të muajit të Ramazanit, e gjen familjen e Ismail dhe Qamile Xhametës në Kombinat në banesën e tyre të re. Siç pati premtuar menjëherë pas tërmetit të 21 shtatorit, kryebashkiaku Veliaj i dorëzoi sot nënë Qamiles çelësat e shtëpisë, e rindërtuar në kohë rekord mbi rrënojat e së vjetrës të dëmtuar nga tërmeti.

“Ditën që u prish shtëpia, edhe gjyshi, edhe nënë Qamilja, qanë. Kishin shumë kujtime aty, në atë shtëpi të amortizuar nga tërmeti, e cila s’mbante më, ra me prekjen e parë. Sot qamë për herë të dytë. Por, këto ishin lot gëzimi për shtëpinë e re, më moderne, me të gjitha kushtet, me ndriçim LED, termoizolim, banjo, dushe, me kuzhinë e dhomë pritjeje të re. Sot është gëzimi i dytë dhe këto janë lotë gëzimi”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se sikurse shtëpitë e vjetra treguan se nuk i rezistuan kohës, edhe godina e Teatrit Kombëtar do të bëhet e re. “E fola pak edhe me nënë Qamilen, se historia e kësja shtëpie ngjan pak edhe me teatrin: qamë kur bie një gjë e vjetër, ku kemi kujtime, ama do qajmë prapë nga gëzimi kur të ndërtohet një e re. Kur një ndërtesë nuk mban më, qoftë shtëpi, qoftë teatër, kopësht, çerdhe, a ngrehinë tjetër, është më mirë t’i themi lamtumirë. Ai teatër ishte kthyer në një ‘frankenshtain’, ishte bërë ‘shto ujë edhe shto miell’, duke u kthyer në një mumje që nuk e linin të kallej, ndaj duhet t’i thoshim lamtumirë, që të qajmë sërish nga gëzimi kur të bëhet Teatri i Ri, siç u bë e re shtëpia e nënë Qamiles”, deklaroi ai.

Veliaj siguroi se shumë shpejt do të fillojë puna edhe për ndërtimin e 800 shtëpive të reja, të cilat do të plotësojnë të gjitha standardet. “Nëse diçka nuk jeton më, i duhet thënë lamtumirë; kujtimet t’i ruajmë dhe t’i kemi te shtëpia e re. Në shtëpinë e re sot kemi vendosur edhe fotot e festave, të ditëlindjeve, dhe fotot e kujtimeve të shtëpisë së vjetër. Ama, jemi në një shtëpi të re, ku jetojmë si njerëz. Ka ardhur koha të jetojmë si njerëz kudo ku janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti dhe kjo është arsyeja pse bashkia e ka filluar garën, të cilën e mbyllim këtë javë, për mbi 800 shtëpi të reja që do të bëhen në të njëjtin stil. E njëjta gjë vlen edhe për teatrin”, u shpreh kryebashkiaku.

Shtëpia e dëmtuar nga tërmeti i 21 shtatorit 2019, u rindërtua nga Shoqëria Integrated Energy BV SPV, e cila iu përgjigj menjëherë thirrjes së kryebashkiakut Veliaj drejtuar bizneseve që operojnë në Tiranë.