NA HELMOJNË ME MIELL SERB, QË KA 1,5 % PROTEINË MË PAK

682
Sigal

AKU hesht, e paaftë, apo mbulon skandalin?

146 mijë ton mielli serb për bukën, ka 1.5% më pak proteina se standardi

Rreth 146 mijë ton miell i importuar nga Serbia e Kosova me proteinë të ulët prej 9.5% është përdorur për prodhimin e bukës në vendin tonë. Ndërkohë, standardi shqiptar për bukën duhet të jetë minimumi 11% proteinë. Shifrat alarmante zbardhen nga Murat Kloboçishta, anëtar i Shoqatës së Përpunimit të Drithërave në Shqipëri. Sipas tij, në 2017-ën, është importuar plot 149 mijë ton miell i destinuar për industrinë e biskoterisë, në një kohë që nevojat për këtë të fundit janë rreth 3 mijë ton në vit. “Po të shohim statistikat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nga Serbia dhe Kosova janë importuar vjet 149 mijë ton miell. Nëse do të flasim për biskoterinë, ajo nuk ka nevojë për më shumë se 2-3 mijë ton miell, çka do të thotë se gjithë sasia tjetër ka shkuar për prodhim buke. Ai miell për prodhim buke që është me proteinë 9.5% nuk është i përshtatshëm. Duhet të përcaktohet dhe të ndiqet ku do të shkojë ky miell, shkon për prodhim biskoterie apo nuk shkon, sepse e gjithë loja këtu bëhet”, thotë Kloboçishta. Nëse një person konsumon bukë që përmban më pak proteina se 11%, do të shfaqen jo pak problematika në organizmin e tij. Prof. Enver Roshi, ish-drejtor i ISHP-së dhe pedagog në Fakultetin e Shëndetit Publik thekson, se konsumimi i bukës me proteina të ulëta shkakton rënien e imunitetit të njeriut. Si pasojë, trupi është më i predispozuar për t’u prekur nga infeksionet e veçanërisht ato të rrugëve respiratore. Mjeku tregon se personat që konsumojnë më pak proteina mund të shfaqin edhe probleme me anenimë. “Pra, barrierat kryesore janë ulja e rezistencës edhe shfaqja e infeksioneve respiratore apo infeksioneve të tjera të lidhura me proteinat. Fillon dhe anemia shfaqet dukshëm. Mungesa e marrjes së proteinave është fenomen i vendeve të varfra ku bazë kanë vetëm bukën. Roli i proteinave në organizmin e njeriut është jetik. Pa proteina nuk ka jetë”, thekson mjeku. A i di këto analiza AKU? Natyrisht, sepse herë pas here edhe gazeta “Telegraf” ka botuar fakte të këtij skandali. Atëherë, përse hesht AKU? Përse nuk publikon, cilat kompani, cilët pronarë janë ata që importojnë miell serb me përmbajtje proteine të ulët, që bëhet bukë për shqiptarët? AKU hesht, sepse është e paaftë? Apo AKU hesht, sepse kërkon të mbulojë skandalin, ndoshta për interesa të caktuara?