Sigal

Në Këshillin Konsultativ për buxhetin 2019 të pushtetit vendor, kryebashkiaku Xhelal Mziu i është drejtuar ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, duke i thënë se Kamza është diskriminuar nga qeveria për sa u përket investimeve dhe delegimit të kompetencave që i takojnë pushtetit vendor. Kryebashkiaku Mziu: “Nuk besoj se ka bashki të dytë në Shqipëri, që ka zero financim për rrugët. Të gjitha bashkitë janë pajisur me shërbim zjarrfikës, ndërsa Bashkia Kamëz ka zero financim. Uroj që ministri të gjejë mundësinë për reflektim për këto probleme”. Kamza ka pasur stacion zjarrfikëseje pranë Universitetit Bujqësor, por ky stacion me VKM nr. 366, datë 18.5.2016, i kaloi Bashkisë së Tiranës dhe Bashkia Kamëz nuk ka asnjë stacion zjarrfikëseje. Me VKM nr. 447, datë 22.5.2017 Këshilli i Ministrave u shpërndau fondin për blerje automjeti dhe pajisje zjarrfikëseje disa bashkive,duke mos e përfshirë në dhënien e këtij fondi Bashkinë Kamëz, e cila duhet të ngrinte stacionin e zjarrfikëses, në vitin 2017 njëlloj si bashkitë Shijak, Divjakë, Këlcyrë, Ura Vajgurore, Fushë-Arrëz, të cilat përfituan nga ky fond i dhënë. Edhe në VKM nr. 526, datë 11.9.2018 “Për shpërndarjen e fondit të investimeve për funksionin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në disa bashki për vitin 2018”, Bashkia Kamëz nuk është përfshirë në bashkitë përfituese të këtij fondi. Aktualisht në Bashkinë Kamëz, duke u nisur nga numri i popullsisë së qytetit, nevojiten 5 stacione dhe 5 makina zjarrfikëse, të kompletuara me 68 zjarrfikës profesionistë. Por deri më tani nuk ka pasur asnjë lloj reagimi pozitiv, duke mos marrë në konsideratë problematikat e paraqitura nga Bashkia Kamëz, të paktën për ngritjen e një stacioni zjarrfikës, ashtu siç kanë rënë në vesh të shurdhër të gjitha kërkesat për financim projektesh për pesë vite me radhë.