Monika Kryemadhi: Një nga pikat tona kryesore është lufta kundër shpopullimit, që ka të bëjë me largimin e të rinjve

229
Sigal

Në vijim të takimit në qytetin e Bulqizës, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se një nga pikat kryesore të LSI-së, është lufta kundër shpopullimit, që ka të bëjë drejtpërdrejtë me largimin e të rinjve, gjë që ne duhet ta ndalojmë.

“Po rrudhen familjet shqiptare, të rinjtë dhe të rejat po na largohen. Mundësia për të parë një vend që rritet e lulëzon është shumë e vogël me një qeverisje të inkriminuar, kaq të kapur, kaq problematike, që i shikon njerëzit si insekte dhe jo si qenie ku pushteti ka buruar prej votës së tyre.”,- është shprehur Kryemadhi mbi këtë temë.

Pjesë nga fjalët e Kryemadhit :

Një nga pikat tona kryesore është lufta kundër shpopullimit, që ka të bëjë drejtpërdrejtë me largimin e të rinjve, gjë që ne duhet ta ndalojmë. Këtë vit Shqipëria ka vdekshmëri më të lartë sesa lindshmëri. Po rrudhen familjet shqiptare, të rinjtë dhe të rejat po na largohen. Mundësia për të parë një vend që rritet e lulëzon është shumë e vogël me një qeverisje të inkriminuar, kaq të kapur, kaq problematike, që i shikon njerëzit si insekte dhe jo si qenie ku pushteti ka buruar prej votës së tyre.

Ne sot jemi në kuadrin e prezantimit të kandidatëve në të gjithë qarkun e Dibrës. Edhe pse një qark të cilit në mënyrë të padrejtë ja kanë hequr mandatin, por jam e bindur që dibranët do ta rrëzojnë dhe dërrmojnë me votën e tyre në 25 prill. Edhe në Tiranë, sepse edhe atje ka shumë dibranë. Edhe pse ja hoqën me frikën se do t’ia merrte opozita mandatin në qarkun e Dibrës, përsëri këtë mandat atje do ta kenë të pamundur, se do të jetë mandat që do e marri opozita. Unë ju falenderoj shumë.

Ne kemi nevojë për energjinë tënde Bora. Si puna jote ka shumë djem dhe vajza të cilët janë të përfshirë në listat e LSI-së dhe sjellin një kontribut të jashtëzakonshëm. Sepse sjellin energji në radhë të parë, por mbi të gjitha janë ëndrrat dhe pasioni i tyre për të ndryshuar këtë realitet të hidhur. Ashtu siç je ti sot këtu në qarkun e Dibrës, është Ismeralda në qarkun e Korçës, janë një grup studentësh në Tiranë, në Durrës, në Elbasan. Pra është e vetmja mënyrë, që t’u krijojmë shanset dhe mundësitë të rinjve dhe të rejave për të ndryshuar këtë realitet të hidhur dhe për të krijuar të ardhmen e domosdoshme, që është e vetmja mënyrë për të mbajtur të rinjtë këtu. Përfshirja juaj në politikë, angazhimi juaj, jo vetëm nëpërmjet votës, por nëpërmjet hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre.

Unë mendoj që përfshirja e të rinjve dhe të rejave është shumë e rëndèsishme, sidomos e grave dhe vajzave. Jo se dua të bëhem feministe në këtë drejtim, por është shumë e rëndësishme, sepse në fund të fundit angazhimi i gruas është një nga pikat kryesore, e cila rrit jo vetëm pjesëmarrjen në politikë dhe në vendimmarrje, por edhe civilizon, emancipon dhe e bën për të ecur me ritme më të shpejta.