Pse introvertët janë liderë të mëdhenj

247
Sigal

Kur intervistova Richard Branson në vitin 2016, mendova se do të kisha përpara një njeri ekstrovert. Por, ishte pak i ndrojtur. Dhe në siklet. Madje, mbi të gjitha në fillim, paksa i vështirë. Një njeri i mrekullueshëm, me sens humori dhe i pashëm. Por për habinë time, padyshim, introvert. Edhe pse studimet tregojnë se nuk duhet të habitesha për këtë.

Sipas studimeve të ndryshme, nuk ka ndryshime në efektivitetin e liderëve introvertë dhe ekstrovertë në lidhje me rezultatet e përgjithshme të ekipit dhe kompanisë. (Edhe pse, siç thekson Adam Grant, ekstrovertët janë më të aftë në drejtimin e punonjësve që kanë nevojë për udhëzime, orientim dhe motivim, ndërsa liderët introvertë janë më efikasë në drejtimin e punonjësve që priren të ndërmarrin nisma dhe të punojnë mirë pa pasur nevojë për mbikëqyrje).

Kjo sepse të qenët ekstrovertë dhe introvertë ka pak të bëjë me aftësitë sociale. Shumë ekstrovertë janë në marrëdhënie shoqërore të vështirë, shumë introvertë janë tërheqës.
Edhe konteksti ka rëndësi; disa ekstrovertëve u pëlqen të ndërveprojnë me një grup, por hasin vështirësi në biseda vetëm me një person përballë. Disa introvertë ndihen në siklet në një bisedë me vetëm një person, por ashtu si kitaristi i Metallica, Kirk Hammett, i cili e ka cilësuar veten një “introvert total”, mund të ndihen rehat përpara dhjetëra mijë personave.

Megjithatë, çfarë është më e rëndësishme, ndryshimi qëndron tek energjia. Susan Cain shkruan në Quiet se ekstrovertët marrin energji nga ndërveprimet sociale; introvertët humbin energji nga ndërveprimet.

Ose siç e përshkruan Simon Sinek:

Një introvert zgjohet në mëngjes me pesë monedha. Për çdo ndërveprim, ata shpenzojnë një monedhë. Në fund, ata janë varfëruar.

Një ekstrovert zgjohet pa monedha. Për çdo ndërveprim social, ata fitojnë një monedhë. Në fund, ata ndihen të pasur. Si për shumë gjëra, nuk ka të bëjë me atë që jeni. Por është ajo çfarë bëni me atë që jeni.

Ashtu si Elon Musk, i cili thotë se është një “inxhinier introvert”. Apo Bill Gates, i cili thotë “nëse jeni i zgjuar mund të mësoni të përfitoni avantazhe nga të qenët introvert… të largoheni për disa ditë për të menduar rreth një problemi të vështirë, të lexoni gjithçka mundeni, të shtyni veten larg që të mendoni skajin e asaj fushe… Për të pasur një shoqëri që rritet mbi mendimin e thellë”.

Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak, thotë: “Nuk besoj se ndonjë gjë me të vërtetë revolucionare është shpikur ndonjëherë nga këshilli”.
Përsëris, është ajo çfarë bëni me atë që jeni. Dhe çfarë besoni.

Sinek thotë:

Këta janë liderë fenomenalë, të cilët janë të gjithë introvertë. E vetmja gjë që kanë të përbashkët, sido që të jeni, introvertë apo ekstrovertë, është besimi i patundur në kauzën tuaj.

Karizma nuk është sasia e energjisë që keni. Karizma është se sa jeni të gatshën t’i përkushtoheni. Dhe nëse është e gjitha, ju keni karizëm. Ju keni aftësi drejtuese. Nëse jeni introvert, një nga pikat e forta është aftësia për të vlerësuar, për të analizuar dhe për të marrë vendime të arsyeshme. Ashtu si vullneti për të mbështetur vendimet tuaja – dhe objektivat – me vendosmëri, përpjekje dhe këmbëngulje.

Të dyja këto janë cilësi të një lideri të madh. Për sa kohë që i keni shpenzuar “monedhat e energjisë” me mençuri.

*Jeff Haden
Burimi: INC