Monika Kryemadhi: Ju jam mirënjohëse grave dhe vajzave vlonjate që në ditët më të vështira përballuan presionin dhe terrorin psikologjik të një kaste në ikje

268
Sigal

Ditën e sotme, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një vizitë në qytetin e Vlorës ka prezantuar kandidatët e LSI-së për këtë qark dhe tha se Vlora është një qytet, që i ka dhënë identitet Shqipërisë, i dha pavarësinë Shqipërisë, i dha forcën Shqipërisë, i dha frymë, i dha jetë, por i dha edhe bukuri.

“Vetëm në Vlorë mund të shikosh një mrekulli të jashtëzakonshme që Zoti ia ka dhënë, këtë diell, këtë atmosferë, që edhe shiu kur bie është i bukur, sepse edhe vlonjatët dhe vlonjatet janë të bukur.”,- shprehet Kryemadhi gjatë prezantimit të kandidatëve

Pjesë nga fjalët e Monika Kreymadhit: 

Vetëm Vlora mund të bëjë këtë frymë, këtë entuziazëm, këtë forcë, këtë besim dhe këtë patriotizëm. Vlora është një qytet, që për hir të së vërtetës i ka dhënë identitet Shqipërisë, i dha pavarësinë Shqipërisë, i dha forcën Shqipërisë, i dha frymë, i dha jetë, por i dha edhe bukuri.
Vetëm në Vlorë mund të shikosh një mrekulli të jashtëzakonshme që Zoti ia ka dhënë, këtë diell, këtë atmosferë, që edhe shiu kur bie është i bukur, sepse edhe vlonjatët dhe vlonjatet janë të bukur. Por nuk iu ngel hatri sarandjotëve, sepse edhe Saranda është shumë e bukur dhe në fakt të gjithë jemi bërë xhelozë kur u bë ndarja administrative, kur u bashkua Vlora, Himara, Saranda e Delvina dhe ne thamë: Si mund të bashkohen dhe nuk ruajtën raportet që kanë ruajtur me qarqet e tjera. Por, aty kupton forcën, karakterin, mentalitetin, gjuhën, shpirtin, edhe ajo egërsi që kanë këto zona bregdetare, ngjitet dhe shprehet me dashuri njerëzore.
Unë në fakt ju jam shumë mirënjohëse të gjithëve. Ju jam shumë mirënjohëse grave dhe vajzave vlonjate, i jam mirënjohëse Shqiponjës, Junës, Monikës, të gjitha grave dhe vajzave, që në ditët më të vështira qëndruan në LSI, luftuan në LSI dhe mbi të gjitha përballuan, presionin, dhunën dhe terrorin psikologjik të një kaste në ikje.
Si mund të mos jem krenare për Vefin, që sot është shtatzënë, e cila në asnjë moment, që studente, nuk iu nda LSI-së. Si mund të mos jem krenare për Xhilin, për atë djalë të mrekullueshëm, që në momentet më të vështira nuk mungoi njëherë për të thënë: Jam këtu me ju!
E pra kjo është LSI-a. LSI është një familje, që shumë persona, kur thanë që LSI është një parti familjare, menduan se bënë dëm, por jo. Përkundrazi, familja është qeliza që mban kombin në këmbë. Familja është qeliza që mban shtetin në këmbë. Familja është dashuria e nënës dhe babait për fëmijën. Është dashuria që kemi secili nga ne për fëmijët, për prindin, për motrën, për vëllain, për gjyshërit, për historinë, sepse vetëm dora e nënës që rrit fëmijën, e rrit me dashurinë për familjen, për flamurin, për vendin. E pra, familja për ne është gjithçka, familja për ne është e shenjtë. Respekti për prindërit është i shenjtë dhe i patjetërsueshëm. Sepse në fund të fundit, këta jemi ne. Ne jemi familja e vërtetë shqiptare, që e ka në themel të saj dashurinë dhe respektin për vendin, për flamurin, për vlerat e familjes dhe për vlerat e respektit.