Cakaj sfidon Ruçin/ Balla ultimatum çunakut të Baton Haxhisë: Të jetë hera e fundit. Qeverisja nuk bëhet me kalamaj

1043
Sigal

Taulant Balla ultimatum çunakut të Baton Haxhiut (Gent Cakajt): Të jetë hera e fundit

Ministri Gent Cakaj sfidoi autoritetin e Ruçit, por merr një mesazh të fortë nga Taulant Balla, Rama degjeneron qeverisjen me kalamaj

Çunaku i Baton Haxhiut, Gent Cakaj, të cilin Edi Rama e ka vendosur në krye të diplomacisë shqiptare si dhe e ka bërë Sekretar për Rininë në Partinë Socialiste, në datën 9 shtator injoroi Kuvendin e Shqipërisë, duke sfiduar autoritetin e Gramoz Ruçit. Cakaj duhej të paraqitej për të mbrojtur dhe sqaruar projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri – Kosovë 2014-2020, alokimet e vitit 2017”. Por në vend të tij ose të zëvendës-ministrit, Cakaj ka çuar në komision njëfarë, Armand Skapi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Skapi, sipas deputetëve, nuk ishte në nivelin e duhur për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre në lidhje me projekt-ligjin. Në këto kushte, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, anëtar i komisionit, i ka dhënë ultimatum çunakut të Baton Haxhiut, që të jetë hera e fundit që dërgon njerëz të tillë në Komisionin e Integrimit. Balla ka pohuar: “Ne e mirëkuptojmë agjendën e çdo ministri, por ju kujtojmë se Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe se institucioni më i rëndësishëm në vend është Kuvendi dhe ministri është i detyruar që, nëse nuk është e mundur në atë datë, në datën tjetër pasardhëse duhet të jetë në Kuvend. Këtë qëndrim e kam mbajtur edhe kur kam qenë në opozitë dhe e mbaj edhe tani që jam në maxhorancë. Marrëdhënia e çdo ministri me parlamentin duhet të jetë një marrëdhënie detyruese. Edhe pse sot është prezent, sekretari i përgjithshëm për këtë projektligj, duhet të jetë detyrim që prezent të jetë, ose ministri, ose zëvendës-ministri, sepse, në fund të fundit, qeverisja është në radhë të parë përgjegjësi politike dhe një përfaqësues i administratës nuk mban përgjegjësi politike. Duke kërkuar mirëkuptimin e kryetares së komisionit, e cila është autoriteti që vendos, dua t’ju them që ky të jetë rasti i fundit, që një komision përfaqësohet nga një nivel më poshtë se zëvendës-ministri”. Ultimatumi i Ballës është mbështetur edhe nga kryetarja e Komisionit të Integrimit Evropian, Rudina Hajdari, e cila ka pohuar: “Për t’u rikthyer edhe një herë te pika e parë që ngriti edhe kolegu tjetër, z. Balla, patjetër ne nuk kemi asgjë me ju, por ne duhet të respektojmë institucionin, duhet të respektojmë parlamentin dhe parlamenti më shumë se kurrë duhet të respektohet sot. Ju lutem, kjo nuk duhet të kthehet më në precedent, që të kemi përfaqësues, të cilët nuk janë në nivelin e duhur për të na dhënë përgjigje. Kemi absolutisht besim te puna juaj, ju keni një eksperiencë të gjatë në diplomaci dhe jemi shumë të nderuar që keni ardhur sot, por është një çështje teknike që kërkojmë ta respektoni”.