Misioni i Bashës, të bashkojë të djathtën

527
Sigal

Partia Demokratike përpiqet të bashkojë rreth saj edhe RFD-në edhe AK-në

 Në fakt, numrat e Kuvendit mund të tregojnë një maxhorancë të fuqishme, derisa ka 83 kartonë dhe, njëkohësisht, një opozitë të dobët, e cila ka vetëm 57 kartonë. Maxhoranca e re, megjithëkëtë, nuk arriti të ketë 84 kartonë, për të siguruar një shumicë absolute në Kuvend. Ndaj, edhe opsioni tjetër, që numri i kartonëve në Kuvend, shpeshherë nuk mund të tregojë asgjë, mund të jetë një realitet tjetër, që ndoshta do të tregojë koha. Gjithsesi, kryetari i ri i opozitës, Lulzim Basha, qysh herët ka filluar të “gatuajë”, përpara se “të ndjejë” uri, siç thotë një fjalë e urtë popullore. Kryetari i ri i PD-së, e ka kuptuar se jo vetëm numrat e kartonëve përbëjnë forcën reale të opozitës, por, kryesorja është krijimi i një fronti më të gjerë opozitar politik, sesa forcat parlamentare. Dhe, këtu kryetari i PD-së,

Qasja me Bamir Topin, është një realitet i afërt

Lulzim Basha, i   ka kushtuar një përkujdesje afrimit dhe qasjes edhe të atyre forcave  politike të djathta, që për arsye të ndryshme, nuk u bashkuan në fushatën paraelektorale, sikurse është FRD-ja dhe Bamir Topi. Si parti e re, e cila mori për herë të parë pjesë në zgjedhje, FRD-ja mori rreth 30.000 vota, edhe pse nuk fitoi asnjë mandat. Dhe është e qartë, që këto vota të FRD-së, erdhën tërësisht nga spektri i djathtë politik. Ndaj, për Lulzim Bashën, bashkëpunimi me FRD-në është një nga prioritetet e politikës së tij.  Së pari, Lulzim Basha ka qëndruar jashtë konflikteve e klaneve të Berishës dhe Topit. Por, edhe vetë Topi, kohë më parë është shprehur, se në një PD pa Berishën, edhe mund të bashkëpunojë. Ndaj Lulzim Basha, larg vëmendjes mediatike, ka nisur qysh herët negociatat e bashkëpunimit me zotin Bamir Topi. Ndoshta, pengesa të vetme në qasjen e tyre, mund të jenë hamendjet që ushqen Topi, nëse vërtet Berisha është larguar nga drejtimi i PD-së. Midis Lulzim Bashës dhe Topit ka edhe hallka që mund t’i lidhin e bashkojnë. Një ndër ta, sipas burimeve të mirinformuara pranë PD-së, është edhe deputeti i ri i PD-së, Oerd Bylykbashi, i cili ka marrëdhënie të mira me zotin Topi dhe është një ndër më të besuarit edhe të kryetarit të ri të PD-së, Lulzim Basha. Në një intervistë për “Telegraf”, ditë më parë, Gazmend Oketa, nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit të FRD-së me PD-në, në një front opozitar, por, u rezervua që të shprehë mënyrat e këtij bashkëpunimi.

Ftesa për AK-në, është gati për t’u postuar

Nga ana tjetër Basha nuk ka përjashtuar nga negocimi as Aleancën Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut. Duke kapërcyer në këtë mënyrë dhe hendekun e krijuar gjatë afër dy viteve që lëvizja dhe partia e Spahiut kishte krijuar me PD, që udhëhiqej në atë kohë nga Berisha dhe ishte e mbushur me përplasje, akuza madje dhe procese gjyqësore. Basha ka vendosur t’i kapërcejë  këto kontradikta në funksion të bashkimit të së djathtës.

  

Flasin ekskluzivisht për “Telegraf”

 Albert Brojka: Basha do bashkojë të Djathtën

Ky veprim është shumë i matur. Mendoj se Bashës i ra për pjesë, detyra që të bashkojë të djathtën shqiptare. Pra kjo është gjëja e duhur dhe  jam i bindur se në këtë bashkim do të përfshihen pjesa më e madhe e të larguarve në kohë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme.

 Aleksandër Biberaj: Nuk kam përgjigje për këtë gjë dhe nuk besoj t’ju vijë keq

  Nard Ndoka: Është veprimi i duhur

Ky veprim më duket tepër pozitiv dhe është pikërisht gjëja që duhej bërë në këto momente. Do të thosha se, jo vetëm ftesën e çmoj si veprim të matur, por edhe bashkimi i këtyre dy partive është në kohën e duhur, në mënyrë që të ndërtohet një forcë e djathtë reale dhe pa rezerva. Kjo do të konsolidojë besimin dhe do të rrisë në mënyrë të ndjeshme votat në adresë të së Djathtës.

 Artur Roshi: Është e drejta e tyre!

Nga bashkëveprimi i të dy palëve do të ketë vetëm fryte të mira. Sepse PD është një forcë reale e së Djathtës dhe po ashtu edhe Topi përfaqëson qendrën e djathtë kështu që pas këtij bashkimi do të konsolidohet me të drejtë forcat e djathta. Për mua këto dy parti nuk kanë përse të mos bashkohen, por megjithatë kjo është çështje e të dy palëve.

 Murat Basha: Nëse ka ftesë zyrtare është gjë e mirë

Nëse ftesa është zyrtare unë mendoj se zoti Basha ka bërë gjënë më të mirë. Madje unë mendoj se në këtë bashkim duhet të përfshihet edhe Dash Shehi dhe aleatët e tjerë. Kështu që shpreh gjykimin tim duke thënë se PD-ja duhet t’i bëjë një ftesë të gjitha partive aleate, disa prej të cilave duhet të shkrihen patjetër me të, për të krijuar një forcë unike, reale dhe të konsoliduar brenda krahut të Djathtët.

 Sherefedin Shehu: Nuk kam informacion për ftesë

Nuk kam asnjë koment për këtë gjë. Sepse në fakt nuk kam dijeni për ndonjë ftesë të tillë. Pra, nuk kam informacion për ekzistencën e ndonjë ftese.