Miratohen organikat 2018, ja kush do qëndrojë në shtet

792
Miratohen organikat, ja numri i punonjësve për çdo institucion
Shteti do të paguajë në total 81.753 punonjës. “Pjesa e luanit” shkon për arsimin e policinë. Si do të ndahen 250 vendet e lëna rezervë nga qeveria
Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë për vitin 2018 do të jetë 81.753 veta. Sipas ligjit për buxhetin e shtetit të vitit 2018, numri maksimal i punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror detajohet nga ministritë dhe institucionet qendrore, në përputhje me strukturat e miratuara për çdo institucion varësie. Këshilli i Ministrave mund të rishpërndajë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve, në rastin e ristrukturimit të institucioneve ekzistuese apo krijimit të institucioneve të reja. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë rendit në vendin e parë për numrin e punonjësve, që kalon nivelin 31 mijë, ku pjesën kryesore e zë armata e madhe e mësuesve. Ndërkohë, vendi i dytë mbahen nga Ministria e Brendshme me 14.156 punonjës, nga të cilët mbi 10 mijë janë pjestarët e Policisë së Shtetit. Vetëm në vendin e tretë si punëdhënës vjen Ministria e Mbrojtjes, e cila ka më pak se 9 mijë rrogëtarë. Gjithashtu, numër të konsiderueshëm punonjësish kanë edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë (mbi 5800), Ministria e Drejtësisë (mbi 5600) dhe Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (rreth 4300), ku pjesën më të rëndësishme e zënë mjekët dhe infermierët. Në bazë të ndarjes së miratuar për vitin 2018, institucionet e sistemit të drejtësisë do të kenë 2457 punonjës, prej të cilëve mbi 860 do të jenë në varësi të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa institucionet e vetingut do të paguajnë 113 punonjës. Për vitin e ardhshëm është parashikuar edhe një numër rezervë prej 250 punonjësish. Numri rezervë përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për krijimin e institucioneve të reja. Për institucionet e qeverisjes vendore janë lënë rezervë 20 punonjës, ndërsa për institucionet e drejtësisë 230 punonjës. Në këtë grup përfshihen strukturat e reja që pritet të ngrihen si Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, si dhe Inspektori i Përgjithshëm. Gjithashtu, një numër i caktuar vendesh rezervë mund të përdoren për të shtuar efektivat e nevojshëm për procesin e rivlerësimit kalimtar të prokurorëve e gjyqtarëve. Një numër i caktuar vendesh mund të “kursehen” pas përfundimit të aktivitetit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që do të zëvendësohet nga KLGJ-ja. 

Në bazë të ligjit, Këshilli i Ministrave përcakton numrin maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror. Fondi i veçantë i institucioneve buxhetore prej 500 milionë lekësh shpërndahet dhe përdoret me miratimin e Ministrit të Financave dhe sipas procedurave që përcaktohen me udhëzim të tij. Për vitin 2018 nuk miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë. Ky përcaktim përfshin edhe ato struktura, në të cilat paga për funksion jepet ose është sipas gradës përkatëse, ku çdo rritje në gradë do të bëhet efektive vetëm nëse nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë në koston e përllogaritur sipas gradave të miratuara. Në institucionet ekzistuese të sistemit të drejtësisë detajimi i numrit të punonjësve, deri në momentin e riorganizimit, detajohet nga vetë institucionet. Rishpërndarja e numrit të punonjësve të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe e numrit rezervë të tyre bëhet nga Këshilli i Ministrave, pas miratimit paraprak nga Kuvendi.
Paga e Presidentit
Paga e Presidentit të Republikës është 257.000 lekë në muaj dhe rritet gjatë vitit, sipas përcaktimeve që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në bazë të kësaj page, llogariten më pas pagat për të gjithë punonjësit e tjerë, duke u ulur në mënyrë të shkallëzuar, deri në nivelin e pagës minimale. Për vitin 2018, fondi për rritjen e pagave është prej 1 miliardë lekësh dhe do të shpërndahet nga Ministria e Financave mbi bazën e nivelit të pagave që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky fond do të jetë i mjaftueshëm vetëm për rritje të pagave për disa kategori të caktuara. 

Paga minimale
Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, është e barabartë me pagën minimale në shkallë vendi dhe ndryshon sa herë që ndryshon kjo pagë. Këshilli i Ministrave përcakton masën e kontributit për personat e vetëpunësuar në bujqësi, si dhe të kategorive të veçanta të personave të vetëpunësuar, duke mbuluar nga buxheti i shtetit diferencën midis këtyre kontributeve me masën e kontributit të përcaktuar për personat e vetëpunësuar në qytet. Nga periudha Maj 2017, paga bazë minimale mujore, në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj, është 24,000 lekë. Për vitin 2018, teprica ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas degëve të sigurimit shoqëror dhe programeve të tjera të veçanta e suplementare, përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve.

Deficiti buxhetor
Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit nëpërmjet huamarrjes totale neto nga burime të brendshme dhe të huaja është 32,3 miliardë lekë. Sipas ligjit të buxhetit, Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve. Të ardhurat nga privatizimi, që mund të krijohen gjatë vitit 2018, përdoren jo më pak se 50 % për uljen e borxhit publik dhe pjesa tjetër përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale, e cila, automatikisht, rrit me të njëjtën masë kufirin e deficitit të buxhetit të shtetit.

Koncesionet
Tavani për vlerën totale të kontratave në përqindje të PBB-së për të gjitha projektet koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për vitin 2018, në përputhje me të dhënat e regjistrit të koncesioneve është 40,1 % e PBB-së. Këshilli i Ministrave (Ministria e Financave dhe Ekonomisë) raporton në Komisionin për Ekonominë dhe Financat për çdo kontratë të re të koncesioneve dhe partneriteteve publike private, që nënshkruhet dhe i shtrin efektet brenda vitit buxhetor, në funksion të ruajtjes së tavanit për vlerën totale të kontratave në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Borxhi
Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të stokut të borxhit të shtetit dhe atij të garantuar të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2018, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit, është deri në 33,4 miliardë lekë, i dhënë me hollësi si më poshtë: Për huamarrjen totale neto vjetore, përfshirë të brendshme, të huaj, si dhe gjendjen e likuiditetit të trashëguar nga viti 2017, deri në 32,3 miliardë lekë, nga e cila, limiti i huamarrjes së brendshme neto mund të jetë deri në 29,9 miliardë lekë. Për rritjen vjetore të garancive të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, deri në 1,1 miliardë lekë. Stoku i borxhit publik total, përfshirë borxhin shtetëror të garantuar, vlerësohet të arrijë në 1.135 miliardë lekë, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit.
Punësimet, tashmë edhe jashtë shërbimit civil
Këshilli i Ministrave vendosi që nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues mund të pranohen edhe jashtë rradhëve të shërbimit civil. “Përjashtimisht për vitin 2018, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND është e hapur edhe për kandidatë të tjerë, jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND”, thuhet në vendim. Aty përcaktohet se për vitin 2018, pranimi në TND të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet një konkursi kombëtar. Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 15. 

Kriteret minimale të pranimit për këtë procedurë, për kandidatët nga jashtë shërbimit civil, janë:
a) të plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil, të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh”, të nenit 21, të ligjit nr.152/2013.
b) të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master shkencor” ose të barasvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohura paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njësimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.
c) të kenë, të paktën, 3 (tre) vjet përvojë pune në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlefshme, në:
– institucione të administratës publike;
– institucionet bankare të nivelit të dytë dhe që, aktualisht, nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
– shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh dhe që, aktualisht, nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
– organizatat jofitimprurëse, të cilat kanë, të paktën, 5 vite që janë krijuar.

Përjashtimisht, kandidatët nga jashtë shërbimit civil, të cilët kanë punuar dhe/ose punojnë:
– në institucione ndërkombëtare brenda vendit;
– në profesion jashtë vendit;
– pedagogë në institucione të arsimit të lartë;
– avokatë, noterë apo kontabilistë të miratuar, brenda ose jashtë vendit, duhet të kenë, të paktën, 5 vite përvojë pune, përkatësisht në këto institucione ose në profesion. 
ç) të mos kenë procese gjyqësore, civile, penale, administrative të cilat janë në proces, si edhe të mos jenë në ndjekje penale nga prokuroria.
Sigal