Mashtrimi/ Reforma e “Rilindjes” kompesoi 3% të pronarëve

225
Sigal

Reforma e qeverisë “Rama” kompensoi vetëm 3% të pronarëve në pesë vjet

Skema e qeverisë “Rama” për kompensimin e pronave të sekuestruara gjatë regjimit komunist ka dekurajuar aplikimet nga pronarët, ndërsa ulja e konsiderueshme e vlerave të kompensimit i ka detyruar shumicën e tyre që t’i rikthehen kalvarit të gjyqeve nga e para. Për tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Sami Beshku dhe familjarët e tij u përpoqën të merrnin mbrapsht rreth 16 hektarë tokë të trashëguara në zonën industriale të Kasharit, që shtrihet në të dy anët e autostradës kryesore që lidh Durrësin me Tiranën. Toka e pretenduar nga familja Beshku ishte konfiskuar nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore, por me ndryshimet e shpeshta të legjislacionit dhe buxhetet e mangëta të kompensimit nga qeveritë e pas viteve ’90, ai mbeti në listë pritjeje “pa marrë asgjë”. Ndërkohë, reforma e pronës e miratuar nga qeveria “Rama” në vitin 2015 i zbehu edhe më tej shpresat e familjes Beshku, pasi sipas formulës së re, Agjencia e Trajtimit të Pronave e konsideron atë të kompensuar dhe madje në detyrim me shtetin shqiptar. Familja Beshku është vetëm një prej mijëra trashëgimtarëve shqiptarëtë penalizuar nga ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”i vitit 2015, i cili ndryshoi mënyrën e vlerësimit të tokës që kompensohet. Pas përplasjeve shumë-vjeçare, Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg i dha të drejtë qeverisë për një skemë kompensimi, sipas së cilës toka vlerësohet në kategorinë që ka pasur kur është konfiskuar, me kushtin që pronarët të mos merrnin më pak se 10 për qind të vlerës që toka ka sot në treg. Qeveria shqiptare premtoi në këmbim mbylljen e gangrenës së pronave dhe likujdimin e të gjithë pronarëve brenda një afati 10-vjeçar. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnëse pesë vjet pas miratimit të ligjit, vetëm 788 pronarë nga 26 mijë në total kanë mundur të përmbyllin procesin e kompensimit ose vetëm 3% e të shpronësuarve nën diktaturë. E gjithë skema kundërshtohet nga pronarët, të cilët shohin si shpresë Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të qeverisë Rama. “Ne si shoqatë kemi depozituar 4 padi në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit 133/2015, të cilat janë ende të pashqyrtuara,” thotë Myrshit Vorpsi nga shoqata “Pronësi me Drejtësi”.

Kthimi në pikën zero

Avokati Sokol Puto, i cili ka mbrojtur një numër çështjesh përballë Gjykatës së Strasburgut thotë se praktika e ndjekur nga ATP dhe afatet e limituara i kanë privuar pronarët. “Ajo që ka ndodhur në fakt është që në gjykatë mund të jenë ankuar një numër i papërfillshëm personash. Në gjykimin tim, kjo është rrjedhojë edhe e mënyrës sesi u procedua me njoftimin e këtyre vlerësimeve,” thotë Puto, duke shpjeguar se njoftimet u bënë në një format që ishte i palexueshëm. “Kush ishte në dijeni, kishte mundësi për ta gjetur, por kush kujtohej pas 30 ditësh, ishte i djegur. Ata nuk mund t’i drejtohen më as Gjykatës së Strasburgut,” thotë Puto. Edhe Myrshit Vorpsin nga shoqata “Pronësi me Drejtësi” mendon se ligji dhe aplikimi i tij ishte një përpjekje për t’u hequr pronarëve të drejtën e ankimit. “Nëse pronarët nuk e kanë ankimuar vlerën e kompensimit që iu është caktuar nga agjencia, atëherë hiqet mundësia e ankimimit dhe vendimi bëhet titull ekzekutiv,” u ankua Vorpsi. Ish-Avokatja e Shtetit Mandia parashikon se ndryshimet ligjore do të rikthejnë mjaft prej vendimeve në fillim të procesit, duke i detyruar pronarët që të zvarriten nga e para në procese të kushtueshme gjyqësore. “Kjo do të thotë se procedurat në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të kompensimin do të fillojnë rrugëtimin e tyre nga e para dhe do të presin zgjidhjen nga autoritetet e brendshme,”- thotë Mandia.

Skema favorizon shtetin

Të dhënat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave tregojnë se në 5 vitet e fundit kanë marrë kompensimin me skemën e re vetëm 3 për qind e pronarëve.Nga arkiva e njoftimeve të ATP-sëbie në sy se numri i përfituesve ka ardhur në rënie vit pas viti. Në vitin 2016, kur hyri në fuqi baza e re ligjore, morën kompensim 190 pronarë. Në vitin 2017 u kompensuan 179 pronarë, ndërsa në vitet 2018 dhe 2019 numri i pronarëve të kompensuar u ul më tej, respektivisht në 102 dhe 145 familje. Ndërsa gjatë vitit 2020 u komensuan vetëm 106 familje. Agjencia e Trajtimit të Pronave thotë se ka trajtuar në total nga periudha e hyrjes në fuqi të ligjit deri më datë 31 dhjetor 2020, 788 vendime për kompensimin financiar me një vlerë prej 7.5 miliardë lekësh. Ndërsa nga fondi fizik i pronave është shpërndarënjë sipërfaqe prej 713.22 hektarësh me vlerë të llogaritur në1.4 miliardë lekë. BIRN mësoi nga ATP se një pjesë e mirë e 788 rasteve ishin familje qëkishin pranuar të trajtoheshin me kërkesë të veçantë, apo me skemën e përshpejtuar që i’u jep mundësinë pronarëve të marrin deri në 40 për qind të vlerës së pronës brenda 5 viteve, duke hequr dorë nga pjesa e mbetur. Në ligj janë përcaktuar 5 skema kompensimi, konkretisht kompensimi në pronën e njohur, kompensimi nga fondi fizik dhe financiar, pjesëmarrja në ankand, pagesa me këste përgjatë 10 viteve si edhe kompensimi i përshpejtuar apo me kërkesë të veçantë. Por siç del nga njoftimet e ATP, vetëm dy prej skemave janë funksionale; kompensimi i përshpjetuar dhe kompensimi në masën 80 për qind nga fondi fizik dhe 20 për qind nga fondi financiar. Të dyja i krijojnë mundësinë qeverisë qëtë ulë ndjeshëm barrën e detyrimit. Nga viti 2016 deri në 2019, pronarët e trajtuar përmes skemës së përshpejtuar apo me kërkesë të veçantë, i kanë falur shtetit një shumë prej 5 miliardë lekësh ose rreth 50 milionë dollarë nga vlera e pronës së njohur.

Proces i ngadaltë

Skemat dhe vlerat jo favorizuese i kanë dekurajuar pronarët qëtë aplikojnë për kompensimin e pronave të tyre. Që prej zyrtarizimit të ndryshimeve ligjore në shkurt të 2016, gjithnjë e më pak pronarë janë paraqitur në Agjencinë e Trajtimit të Pronave për të aplikuar. Në raportin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave për 4 mujorin e parë të vitit 2020 duket se pritshmëritë e pronarëve ishin për kompensim financiar dhe shumica e tyre detyrohet të pranojë pagesën e përshpejtuar, me anë të së cilës marrin deri në 40 për qind të vlerës që ka prona dhe heqin dorë nga pjesa e mbetur. Gjithashtu sipas ATP-së, kërkesat u ulën edhe nga aktet nënligjore që stimuluan kompensimin fizik me tokën pa pronarë në fshatrat e thellë të Shqipërisë. Sipas avokatit Sokol Puto, ndryshimet ligjore dhe skemat e aplikuara kanë minuar besueshmërinë e pronarëve te kompensimi, ndërsa shumë prej tyre presin ndryshime më të favorshme ligjore. “Fillimisht kishte pronarë që u paraqitën për të aplikuar. Por pas miratimit të dy vendimeve përkatësisht 222 dhe 223 në të cilën përcaktohej mënyra e kompensimit të pronarëve, shumë prej tyre mbetën të pakënaqur,” thotë Puto,i cili thekson se stepja është shkaktuar nga vlerat e vogla financiare për familje me numër të madh trashëgimtarësh. Bashkë me rënien e kërkesave, qeveria ka zvogëluar edhe buxhetin e ndarë për kompensim. Për vitin 2021, në buxhet parashikohen vetëm 3 miliardë lekë apo 30 milionë dollarë për skemën e kompensimit të pronarëve nga 45 milionë që ishte në 2020. Tkurrja e buxhetit shkon në kundërshtim edhe me parashikimet e vetë ligjit, që kërkon rritje të fondit vit pas viti në mënyrë që procesi të mbyllet në një kohë të shkurtër. E pyetur mbi afatet, Agjencia e Trajtimit të Pronavela të kuptohej se zbatimi i këtij ligji mund të shtyhej përtej afatit 10-vjeçar. “Në pikën 6 të nenit 16 të ligjit 133/2015 përcaktohet se procesi i pagesës për të gjitha vendimet përfundimtare që kanë të njohur të drejtën e kompensimit do të përfundojë brenda një afati prej 10 vitesh nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji. Duke qënë se përfundimi i ligjit ka afat edhe 5 vite, deri në shkurt të 2026, legjislatori nuk ka parashikuar apo paraqitur ndonjë kërkesë për ndryshim, për shtyrje të këtij afati,” thuhet në përgjigje. Por për ish-Avokaten e Shtetit, Ledina Mandia, zgjidhja duket edhe më e largët. “Duke marrë në konsideratë zgjatjen e procedurave në rrugët gjyqësore, ndryshimin e herë pas hershëm të skemave të kompensimit, është e kuptueshme që ky proces nuk do të përmbyllet dot në 5 vitet e ardhshme,”përfundoi Mandia. Ada Hazizolli