Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve, Aktin Normativ nr. 11, që parashikon disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, duke theksuar se ndërhyrjet synojnë mbështetjen sociale, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.Në fjalën e tij, ministri Malaj u shpreh se akti normativ është hartuar si domosdoshmëri për të reflektuar ndryshimet e nevojshme në Buxhetin 2025, duke përmbushur kriteret e nevojës, urgjencës dhe përkohëshmërisë, si dhe duke respektuar kufijtë e fuqisë ligjore dhe kërkesën për miratim nga Kuvendi. Nëpërmjet aktit normativ, qeveria synon të mbajë të pandryshuar totalin e të ardhurave buxhetore dhe deficitin për vitin 2025, në nivelin 61,6 miliardë lekë, ndërsa parashikon rishpërndarjen e rreth 30 miliardë lekëve kursime drejt programeve me performancë më të lartë.





















