Ministri i Mjedisit, Koka kundër rritjes së akcizës për automjetet me gaz: Janë vetëm 3%, s’prishen ekuilibrat

382
Sigal

Ministri
i Mjedisit, Lefter Koka është shprehur kundër përfshirje së gazit të lëngshëm
që përdoret për automjetet, në skemën e akcizës. Sipas Kokës, në vendin tonë
vetëm 3 për qind e automjeteve sot përdorin gazin e lëngshëm dhe kjo nuk mund
të prishë ekuilibrat

“Do kërkoja që të paktën ky zë në paketën fiskale të
rishikohet. Nuk po them të subvencionohet, por s’mund t’i vihet akcizë pasi
janë rreth 3 për qind e automjeteve që sot përdorin gazin e lëngshëm dhe nuk
besoj se prishen ekuilibrat”, deklaroi Koka.

Sipas ministrit të Mjedisit, ky taksim shkon në
kundërshtim me politikat dhe angazhimet për uljen e ndotjes nga djegia e
karburanteve.

“Po ta shohësh si shifër, nëse kemi thënë se do
investohen deri në vitin 2030 miliona euro dhe në këtë zë është rreth 100
milionë euro, presupozohet investim nga privatët. Çka do të thotë që çdo
qytetar që disponon një automjet monton një impiant gazi që e blen me kosto të
ulët dhe në këtë rast ne duhet t’i stimulojmë dhe jo t’i vendosim akcizë”,
nënvizoi Koka.

Deklaratat e Kokës u bënë gjatë prezantimit të buxhetit
të Ministrisë së Mjedisit për vitin e ardhshëm, në Komisioni e Veprimtarisë
Prodhuese.