Ministri Gjerman Schmidt/ Mesazh Shqipërisë: Të bëni zgjedhjet lokale pa blerje votash. Ndryshe harrojini negociatat me BE-në

500
Sigal

Manipulimet, tjetërsimi i votave në zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Shqipëri, faktet e përditshme që publikohen, po tronditin edhe shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat po binden edhe më shumë, që votat në Shqipëri janë një mall, që shiten dhe blihen. Nga ana tjetër, shitblerja e votës është edhe treguesi më i qartë, se reformat e integrimit në Shqipëri kanë mbetur, ose në letër, ose janë thjesht propagandë.

Reporteri për Shqipërinë në Grupin Parlamentar të CDU: Qeveria të merret me kapo-bandat e jo me peshqit e vegjël!

“Nëse doni të hapni negociatat me BE stop blerjes së votave në zgjedhjet lokale: qeveria e partia e saj ta dëshmojë këtë ndaj opozitës”. Ky është mesazhi qe jep Christian Schmidt, Raporteri për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman një ditë para protestës së opozitës. Sipas tij, “qeveria të merret me kapo-bandat e jo me peshqit e vegjël. Ajo të respektojë parlamentin dhe pavarësinë e gjyqësorit”. Christian Schmidt është ministër në qeverinë e Angela Merkelit dhe vizitoi Shqipërinë në nëntor 2016. Ai ishte i pari politikan evropian që denoncoi publikisht atëherë në median gjermane problemin e kanabisit. Ndërkohë që një muaj më parë Schmidt u zgjodh raporter për Shqipërinë nga grupi parlamentar, funksion që ishte mbajtur Thorsten Frei.

Deklarata e plotë e ministrit gjerman Christian Schmidt

Rruga drejt anëtarësisë në BE është plot sfida. Qeveria e sotme duhet të dëshmojë se është në gjendje të respektojë Parlamentin e e pavarësinë e gjyqësorit. Rruga e nisur me vettingun po jep frytet e para. Por duhet avancuar në mënyrën e duhur pasi ka shumë për të bërë. Në mënyrë të veçantë duhet të japin llogari para gjykatës Kapo-bandat e Kriminalitetit të Organizuar dhe jo vetëm “peshqit e vegjël”. Matës për hapat e mëtejshëm drejt BE-së do të jenë zgjedhjet lokale së afërmi. Ato duhet të mbahen të lira dhe pa blerje votash. Kjo kërkon transparencë nga qeveria e partia në pushtet përkundrejt opozitës dhe zgjedhësve. Unë i uroj sukses të gjitha forcave të angazhuara për një Shqipërinë në BE!

Walter Glos: Diskutimi për ftesën në BE, në qershor është është një çast i gabuar

Gjermania ka dërguar sinjalin e parë, se çfarë do të ndodhë në mbledhjen e qershorit të Këshillit të Ministrave të BE-së, ku pritet të diskutohet çelja e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë. Drejtori i fondacionit “Konrand Adenauer”, Walter Glos jep arsyet përse çështja e Shqipërisë nuk duhet të diskutohet gjatë kësaj mbledhjeje: “Unë jam i mendimit se marrja e një vendimi në qershor të këtij viti për çeljen e negociatave është një çast i gabuar. Them që është një çast i gabuar, kjo jo e lidhur me problematikën e Bundestagut gjerman dhe marrjes së një vendimi në mesin e muajit qershor. Por, jam i mendimit që ky është një çast i gabuar dhe se nuk do të merret një vendim, i cili mund të kishte një ndikim në zgjedhjet lokale të qershorit të këtij viti. Ndaj, jemi të mendimit që deri në shtator të këtij viti Shqipëria do të kishte arritur disa rezultate të cilat do t’i ndihmonin parlamentarët skeptikë të parlamenteve evropiane që të mund të merrnin një vendim pozitiv për rezultatin final për çeljen e negociatave”. Duke marrë në konsideratë reputacionin e fondacionit “Konrad Adenauer”, lë të kuptohet dhe është një indikator i skenarit evropian në qershor për çeljen apo jo të negociatave për anëtarësim.