Ministri Damian Gjiknuri/ Në Shqipëri investimet e huaja kanë mjedis miqësor. Rama: TAP është një investim për kombin

575
Sigal

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) filloi punimet për ndërtimin e seksionit detar të gazsjellësit, me gjatësi 105 km, duke lidhur segmentin shqiptar me atë italian. Instalimi fizik i tubacionit në det të hapur është planifikuar të kryhet në 2019, sipas kalendarit të punimeve të TAP.

TAP investimi më i madh energjetik

Kryeministri Rama dhe Drejtori Menaxhues i TAPË, Schieppati vizatuan gjurmën e seksionit detar, që tashmë ka nisur të ndërtohet, duke simbolizuar kështu lidhjen e tregjeve të gazit të Shqipërisë dhe Italisë. Kryeministri Rama dhe Ministri Gjiknuri u shprehën të kënaqur për ecurinë e ndërtimit të gazsjellësit deri më tani dhe përfitimet që TAP i ka sjellë komuniteteve vendore. Gjithashtu ata theksuan partneritetin e fortë midis TAP dhe Shqipërisë dhe rëndësinë strategjike që ka ky projekt për vendin. Drejtori Menaxhues i TAP, Luca Schieppati, u shpreh: “Ky është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në ndërtimin e TAP, përfundimin e punimeve dhe vënien në punë në vitin 2020. Tashmë, mbi 80% e projektit është përfunduar dhe ne jemi krenarë që punimet po kryhen në përputhje me standardet më të larta dhe praktikat më të mira të industrisë.” Drejtori i Projektit TAP, John Haynes, shtoi: “Kjo është hera e parë që në Shqipëri po kryhen punime inxhinierike të tilla. Tubat prej çeliku do të saldohen në det, mbi anije, duke përdorur teknologjinë më të fundit. Më tej, saldimet kontrollohen dhe tubacioni ulet në shtratin e detit, në thellësi që shkon në më shumë se 810 m nën nivelin e detit. Për seksionin detar të TAP do të përdoren afërsisht 9’000 tuba me diametër 36 inç dhe që në total peshojnë rreth 100’000 tonë”. Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e dhënë dhe tha: “Përgjatë udhëtimit tonë në Shqipëri kemi krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetet pranë gjurmës së gazsjellësit, të cilët na kanë ofruar mikpritjen e tyre. Kemi ndërtuar me ta marrëdhënie të forta dhe afatgjata, bazuar në besimin dhe transparencën reciproke. Jemi shumë krenarë për investimet tona sociale dhe mjedisore që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së këtyre komuniteteve. TAP nuk është vetëm një prej investimeve të huaja direkte më të mëdha në Shqipëri, por është edhe një projekt shumë i rëndësishëm energjetik për vendin. Me vlerë prej 1,5 miliard €, TAP është një pionier i zhvillimit të mëtejshëm të sektorit të gazit në vend.”

Kryeministri Rama: TAP-i ka krijuar dhe krijon mundësi për punë në të gjitha nivelet

 

Ekonomia shqiptare, falë gazsjellësit do të përfitojë afro 1 miliardë euro injeksion në dy dekadat e ardhshme dhe këtë e thotë një studim i Universitetit të Oksfordit. Ndërkohë që i tërë programi i investimeve të TAP-it për komunitetin dhe impaktin social, nga njëra anë, si dhe perspektiva që hapet për krijimin e një tregu të ri, e një industrie të re në Shqipëri, që pa TAP-in do të ishe e pamundur të projektohej me një minimum optimizmi, e kthejnë realisht TAP-in jo thjesht në një kompani, në një investitor, apo në një investim si gazsjellës strategjik, por në një forcë shtytëse historike për ekonominë shqiptare, për ekonominë e të ardhmes. Tanimë, rreth 80% e projektit ka përfunduar dhe fillon edhe sfida e fundit, lidhja me anën tjetër të detit, me Italinë, krijimi i seksionit detar që ka një gjatësi prej 37 km në territorin e ujërave shqiptare dhe 25 km në territorin italian, bashkë me 43 km në ujërat ndërkombëtare. Shqipëria nuk është një vend i vështirë për investimet e huaja, apo për investimet e mëdha, –përkundrazi, – kur ka një projekt, kur ka një seriozitet dhe kur ka një bashkëpunim, që nga ana jonë është gjithmonë gatishmëria që të ketë. Jemi në pritje të tymit të bardhë, që përfundimisht do të përcaktojë të vërtetën lidhur me një eksplorim shumë të rëndësishëm të SHELL-it në Shpirag dhe besojmë shumë që së shpejti do të kemi një lajm që do të jetë jashtëzakonisht pozitiv për të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Lajmin që nafta e gjetur është e komercializueshme dhe mund të hyjë së shpejti në treg, duke sjellë të ardhura të mëdha për ekonominë tonë, gjë që ka rritur jashtëzakonisht shumë edhe interesin për naftën tonë të shumë aktorëve të tjerë të rëndësishëm globalë.

Ministri Gjiknuri: Në Shqipëri investimet e huaja kanë klimë të përshtatshme

Ministri Gjiknuri, duke theksuar rëndësinë e investimeve të TAP në Shqipëri, theksoi se me përfundimin  me sukses të punimeve të TAP, brenda afatit, dëshmuan se në Shqipëri investimet e huaja jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe kanë një klimë të ëprshtatshme. Ministri Gjiknuri:

TAP është një projekt strategjik, i cili tanimë po shkon drejt fazës së fundit, duke rikonfirmuar se në Shqipëri jo vetëm nuk u ndesh me vonesa por gjeti mjedisin më miqësor për investimet e huaja.