Meta: “U bashkuam me PS-në për një ekuilibër të ri politik”

476
Sigal

Intervista e Ilir Metës në emisionin “360 gradë” të 24 NEWS me Artur Zhejin

 – Z. Meta, pse vendosët t’i thoshit po ftesës së PS-së për koalicion?

– Në radhë të parë është interesi publik për të vendosur një ekuilibër të ri politik, një balancë të re midis pushteteve për shkak të përqendrimit gjithnjë në rritje të shumë pushteteve në duart e një partie të vetme, në rastin konkret PD, me të cilën ne ishim në koalicion këto 4 vite.

– Jeni penduar që i keni dhënë këto vota z. Nishani?

– Nuk është çështje pendimi, sepse ka qenë një vendim i marrë në kohën dhe në rrethana që mund t’i rikthehemi, por besoj se është kohë e humbur. Ka qenë më i mundshmi. Nuk ka qenë më i miri

– Çfarë ka ndryshuar aktualisht, z. Rama, apo keni ndryshuar ju në raport me ‘të?

– Faktori më i rëndësishëm në politikë dhe më i fortë nga të gjithë politikanët mendoj se, është koha, është një faktor madhor. Dhe gjithçka duhet vlerësuar në raport me kohën, me kohën që ka kaluar, por edhe me kohën që po vjen.

– Ju gjykoni se koha që ka kaluar i ka fshirë të gjitha ato dilema, ato fjalë, ato që kanë ndodhur?

– Unë mendoj se koha ka ndihmuar për reflektim dhe mendoj se politikanët që besojnë tek e ardhmja duhet të kenë patjetër aftësi reflektuese.

– A mendoni se do të jetë i qëndrueshëm në kohë edhe ky reflektim i juaji dhe i z. Rama për një bashkëpunim serioz dhe afatgjatë?

– Besoj se po, janë të gjitha arsyet, të gjithë faktorët.

Ish -kryeministri Majko, thotë “nuk mund t’i them dot derrit dajë” në kontekstin për këtë koalicion? Pse e ka këtë perceptim z. Majko?

Nuk e kuptoj fare.

Z. Berisha, thotë që largimi i LSI-së është pjesë e një komforti për rrëzimin e qeverisë “Berisha”?

Ky është një produkt i një formimi që vjen nga e kaluara. Nuk ka pasur asnjë komplot, kjo ka qenë zgjedhje tërësisht e natyrshme dhe unë e kam shprehur që në momentin e komunikimit të largimit të përfundimit të marrëveshjes.

– Ka pasur shumë komente edhe deklarata juaj për 21 Janarin. Cili është mendimi juaj?

– Në 21 Janar unë kam qenë në shtëpi, nuk e di çfarë përgjegjësie kam unë për atë gjë që ka ndodhur. Megjithatë është drejtësia ajo që duhet të zbardhë çështjen. Spekulimet nuk janë për mua. Kjo ka lidhje me historinë dhe të kaluarën. Ky është një keqkuptim i qëllimshëm i mediave.

Si e gjykoni çështjen e z.Muho në KQZ dhe ç’domethënë një veprim diversant?

-Nuk kemi të bëjmë as thjesht me KQZ-në. Këtu kemi të bëjmë me integritetin dhe standardin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. Është problemi më i madh dhe më kyç që ka Shqipëria edhe në raport me Bashkimin Evropian, por edhe partnerët e tjerë.

Si e gjykoni deklaratën e Kryeministrit Berisha që maxhoranca nuk mund të jetë minorancë në KQZ?

– Ky ishte një konceptim tërësisht partiak dhe tepër i rrezikshëm për integritetin e institucioneve të pavarura si KQZ-ja për arsye se, kemi një Kod të ri,  kemi të bëjmë me një marrëveshje të re, e cila është konfiguruar pikërisht në këtë kohë, ku përcaktimi është shumë i qartë dhe nuk ka lidhje as me 2003-n as me 2005-n. Edhe reagimet e para të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar që janë konsultuar edhe me Kodin.

– Po akuzoni z. Berisha për tentativë për të vënë dorë mbi zgjedhje?

– Absolutisht! Kjo mënyrë është për të prishur zgjedhjet.

Po në rast se, krijohet një shumicë e opozitës në KQZ?

– E çfarë do të bëjë kjo shumicë? Diferenca nuk do të jetë 10 vota, por do të jetë 200 mijë vota. Ai është një reagim i pamatur.

– Z. Ristani, sot (dje) tha që kjo është një tentativë e opozitës për të vënë dorë mbi zgjedhjet. Cili është komenti juaj?

– Në rast se Beni nuk do të ishte zv. ministër i Brendshëm atëherë unë do ta merrja seriozisht. Së dyti nëse ka një marrëveshje nuk ka arsye që kjo të bëhet me një aksion “blic”. Pra nuk ka pasur një marrëveshje për ndërrimin e pozicioneve të forcave politike.

– Pse nuk e diskutuat këtë me z. Berisha?

– Nuk ka ekzistuar ky shqetësim. Marrëveshja e fundit që është bërë për zgjedhjet dhe për kodin është në vitin e kaluar. Kjo është marrëveshja e fundit. Për atë që flet z. Berisha është marrëveshje e vitit 2003 kur KQZ ka pasur tjetër rol e tjetër përcaktim në Kushtetutë.

– Spartak Braho thotë sot se, ky është një sulm banditesk i PD-së kundër KQZ-së. Ndani të njëjtin mendim?

– Ky është të jesh mbi ligjin dhe ligjin e kanë bërë vetë dhe jo unë. E ka bërë PD dhe PS.