KQZ-ja alarmon SHBA-në dhe Europën

493
Sigal

Ndërkombëtarët ndërhyjnë duke i bërë të qartë maxhorancës të mos shkelë Kodin Zgjedhor

Kuvendi i Shqipërisë shtyu për ditën e hënë votimin për kërkesën e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI, si dhe zëvendësimin e tij me një nga dy kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane, Klement Zguri ose Patriot Çoba.  Seanca nisi me rreth tre orë vonesë, ku pika më e rëndësishme e rendit të ditës, votimi i kërkesës së PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të LSI-së në KQZ dhe më pas zëvendësimi i tij, u shty për seancën e së hënës. Burime zyrtare nga Kuvendi thanë se në konferencën e kryetarëve, me propozim të Gramoz Ruçit, kryetar i grupit socialist të opozitës, palët ranë dakord me konsensus që kjo kërkesë të përfshihej në kalendarin e punës së parlamentit dhe të votohej në seancën plenare të ditës së hënë. Kërkesa e miratuar dje nga komisioni i Ligjeve është kundërshtuar ashpër  nga opozita, e cila e konsideroi një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike. Ndërsa, për maxhorancën largimi i LSI-së nga koalicioni qeverisës sjell nevojën e balancimit të komisioneve zgjedhore. Sipas maxhorances, kalimi në opozitë i Lëvizjes Socialiste për Integrim prishi balancat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur raportin 4 me 3 në favor të komisionerëve opozitarë. Po ashtu, edhe komisionet zonale kontrollohen 4 me 3 dhe disa 5 me 2 po nga opozita. Po sipas maxhorancës, prishja e kësaj baraspeshë përmbys sistemin ligjor të menaxhimit të zgjedhjeve dhe paralajmëron manipulimin nga opozita. Kreu iLSI-së, Ilir Meta vlerësoi se kjo sjellje e politikës është sjellje diversantësh. “Nuk ka lidhje me ligjshmërinë dhe as me kushtetueshmërinë. Ne kemi një sjellje prej diversantësh në politike”.

 Maxhoranca nuk kishte numrin e votave

Sipas disa burimeve nga PS-ja, mosvotimi i djeshëm në Kuvend i mandatit të anëtarit të KQZ-së, ka ardhur për mungesë të numrit të votave, ndaj edhe shqyrtimi u shty për ditën e hënë. Ndërsa anëtari i Komisionit të Ligjeve, Armando Subashi, tha për “Telegraf” se votimi  u shty, sipas Rregullores së Kuvendit,  për shkak se nuk kishin kaluar 24 orë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje në Komisionin e Ligjeve. Por, gjithashtu, burime të mirinformuara nga Kuvendi dhe PS-ja, bëjnë me dije se ndërkombëtarët kanë ushtruar presion te maxhoranca që të rishikojë edhe një herë këtë procedurë, ndaj PD-ja shtyu për ditën e hënë votimin. Deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë, flet hapur se anëtarët e KQZ-së, janë jopartiakë, duke çuar mesazhe të  qarta te maxhoranca.

Flasin për “Telegraf”

Armando Subashi, anëtar i Komisionit të Ligjeve

– Zoti Subashi, sipas jush,  cili është shkaku i shtyrjes së votimit në Kuvend  për anëtarin e ri të KQZ-së?

Shkaku i vërtetë i shtyrjes së votimit në Kuvend i mandatimit të anëtarit të ri të KQZ-së është se, duhet respektuar procedura, sipas rregullores, nuk është plotësuar 24 orë, nga momenti që e ka shqyrtuar Komisioni i Ligjeve.

A mund të jetë shkak edhe presioni i ndërkombëtarëve, që i kërkojnë PD-së që çdo vendim  të merret me konsensus?

– Këtë nuk e di. Shqyrtimi i sotëm ishte në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

 

Bashkim Fino, anëtar i Komisionit të Ligjeve

– Zoti Fino, ju si e gjykoni këtë procedurë që ndiqet për të zëvendësuar anëtarin e KQZ-së?

– Është në shkelje flagrante e ligjit. PD-ja do të dëftojë, se për interesat e saj,  nuk pyet as ligjin dhe as Kushtetutën.

– Përse u shty shqyrtimi për ditën e hënë?

– Po sepse PD-së nuk i dolën kokrrat e bathës në numërim.

-A mund të jetë shkak edhe presioni i ndërkombëtarëve, që i kërkojnë PD-së që çdo vendim  të merret me konsensus?

– Atë dëshirojmë të gjithë. Që edhe ndërkombëtarët të kërkojnë të respektohet ligji nga të gjithë.

– Për analogji të kësaj logjike që kërkojnë zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, a mundet që maxhoranca e pas 23 Qershorit të kërkojë edhe ajo ndryshimin e KQZ-së?

– Kjo është shumë e rrezikshme, që edhe maxhoranca e re të kërkojë “të drejtën” e saj politike mbi KQZ-në. Dhe jo vetëm, po të fillojë të çmontojë çdo institucion të pavarur, meqë nuk e ka miratuar ajo.

– Nëse Kuvendi me shumicën e votave, e mandaton kandidatin e propozuar për anëtar të KQZ-së, a vihen në dyshim, qysh tani,  vetë standardi i zgjedhjeve?

Po u bë ky mandatim  në Kuvend, që kërkohet nga PD-ja, nuk ka më standarde demokratike të zgjedhjeve.

– Është hedhur një mendim. Që të bojkotohen zgjedhjet, nëse vazhdohet me këto procedura antiligjore. PS-ja, e mendon bojkotimin e zgjedhjeve?

Këto janë imagjinata të sëmura e provokuese. PS-ja do të luftojë  të tregojë që zgjedhjet fitohen me votat e elektoratit dhe jo me grushtet e shtetit kundër institucioneve të pavarura. Sado grushte shteti të bëjë Saliu, nuk mund ta mposhtë votën e popullit.

 

Kristaq Kume, ish-Kryetari i KQZ-së

–  Si e gjykoni procedurën që ndjek Kuvendi për mandatimin e anëtarit të ri të KQZ-së?

–  Kuvendi që miraton ligjin, nuk e zbaton ai i pari ligjin! Këtu thuhet e gjithë e vërteta!Ligji është i shkelur, e nuk do koment!

–  A mundet një maxhorancë e re, për analogji, të kërkojë rikompozimin e KQZ-së, që të shprehet edhe vullneti i saj politik në KQZ?

–  Po qe se sa herë ndryshon maxhoranca, këto do të kërkojnë të ndryshojnë KQZ-në, atëherë humbet ajo që quhet mbrojtje e mandatit kushtetues të KQZ-së si organ kushtetues i pavarur. 

 

Idajet Beqiri, Kryetari i PUK-ut

 – Si e gjykoni procedurën që ndjek Kuvendi për mandatimin e anëtarit të ri të KQZ-së?

– Është një veprim antikushtetues,  antiligjor. Është një nëpërkëmbje e hapur e ligjeve të shtetit. Kjo dëshmon që kemi të bëjmë me një bandë e jo me qeveri e kryebanditi është Kryeministri, i cili nuk ndalet përpara asnjë lloj ligji dhe qëllimi i tij i vetëm është të vjedhë vullnetin e popullit, siç ka bërë edhe herë të tjera.

– Politikisht, cila është precedenca e këtij veprimi të PD-së?

– Kjo i rrezikon zgjedhjet.

– Pretendimi i PD-së se nuk mund të jetë opozita që të ketë maxhorancën në KQZ, ju si e konceptoni?

– Ku sundon ligji, nuk merresh dot me të tilla pretendime. A jo ka vlerë për çastin, kur formohet për herë të parë KQZ-ja. Kodi Zgjedhor parashikon kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve ne fillim. Pas mandatimit, KQZ-ja është institucion kushtetues dhe nuk mund të zhbëhet më, sipas vullnetit të  njëanshëm të forcave politike. Ndryshe, nuk mund të flasim për pavarësi politike të KQZ-së, por për kobure e instrument politik të më të fortit. Këto, që duan të bëjnë në Kuvend, janë koncepte të një shteti primitiv.

Anëtari i KQZ, Wollfarth: “Duhet shpjeguar baza ligjore!”

 Si e komentoni zhvillimin e fundit lidhur me KQZ-në, për lirimin e anëtarit të LSI-së?

 Ambasadori Wollfarth: “Prezenca e OSBE-së ka një mandat, i cili përfshin shtetin e së drejtës, si një prej çështjeve të tij themelore. Më lejoni të përqendrohem te ky aspekt. Aspektet politike varen nga kampi që i sheh këto çështje, por aspektet ligjore duhet të jenë të njëjta për të gjitha palët.  Do të jetë shumë e rëndësishme të kemi shpjegime të mëtejshme lidhur me bazën ligjore mbi të cilën është marrë apo duhet të merret çdo vendim. Disa aktorë politikë, por gjithashtu edhe ekspertë ligjorë, na kanë shprehur dyshime lidhur me bazën ligjore. Prandaj, nga këndvështrimi ynë, ne do të ftonim qartas që të sqarohet baza ligjore mbi të cilën veprohet. Kjo kërkon kohë dhe, për këtë arsye, çdo vendim i mëtejshëm duhet të merret me kujdes të madh dhe, shpresoj, edhe me konsensus”.

 A mendoni se të paktën kjo lëvizje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të cenojë besueshmërinë e krijuar me shumë vështirësi mes palëve politike dhe do të jetë një precedent i rëndë për transparencën e zgjedhjeve të 2013-s?

 Ambasadori Wollfarth: “KQZ-ja duhet të shihet si një organ teknik. Në kohën kur u zgjodhën, u emëruan dhe u miratuan nga Parlamenti, ata reflektuan gjendjen e opozitës dhe të qeverisë në Parlament. Kur morën detyrën, ata morën një detyrë apolitike. Sikurse thashë vetëm përpara pak ditësh: ata kanë bërë një punë shumë të mirë, edhe teknike, në kushte jo shumë të lehta, këtu në vend. Sërish, më lejoni të theksoj: do të jetë shumë, shumë e rëndësishme që të shpjegohet baza ligjore për çdo hap që ndryshon përbërjen e KQZ-së”.

 Njëra palë thotë që lëvizja ishte e ligjshme, pala tjetër thotë që ishte e paligjshme. Në mënyrën tuaj, si shpjegohet: ikja e një anëtari të KQZ-së ishte e ligjshme apo jo? Si e lexoni ju Kodin Zgjedhor në Shqipëri?

 Ambasadori Wollfarth: “Nuk di të jetë bërë fakt. Ne sapo dolëm nga në një takim (i referohet takimit për bimët narkotike). Nuk e shoh ende si fakt. Ka pasur një diskutim në një prej komisioneve, në komisionin ligjor, dje në parlament, por fjala e fundit, të paktën në dijeninë time, nuk duket të jetë thënë ende”.

 

Tre kalorësit e Majtë mbi “Kalin e Trojës” për të votuar komisionarin e djathtë

 Një fjalë e urtë popullore thotë se, “atij që përmbys kupën, mos i kujto bukën”, por gjatë kohëve të fundit është shtuar së tepërmi, fenomeni i personave që kanë marr rrogën nga e majta dhe kanë votuar në momentet më të rëndësishme të parlamentit, për të djathtët. Ndërkohë, që një fjalë latine thotë se, “ai që nuk është më miku yt, në fakt nuk ka qenë asnjëherë i tillë, por është shtirur si mik”: Por, megjithëse, fenomeni i tradhtive politike, në Parlamentin tonë është i ri, në fakt fenomeni i pabesive është më i vjetër se Homeri, i cili është babai i tragjedive të luftërave dhe poemave epike të mbushur me prapaskena. Dhe historia e Trojës nuk bëri gjë tjetër, vetëm se institucionalizoi një kalë prej druri. që u quajt “Kali i Trojës”, i cili erdhi në Shqipërinë e shekullit të ri, herë më emrin e Xhuvelit dhe herë me emra deputetësh të tjerë. Por ndërkohë, mbi atë kalë eksperimental janë ngjitur përsëri tre deputetë të majtë, të cilët para një jave shpëtuan nderin e kabinetit qeveritar, duke i garantuar mbijetesën momentale të votëbesimit, ndërkohë që ata po përgatiten për një mision të ri. Sepse ditën e hënë, e cila përkon me fundin e pesëmbëdhjetë ditëshit dhe marrjen e rrogës, pasi të firmosin për pagën që e kanë peshqesh nga elektorati i majtë, ata do të ngrenë kartonin jeshil për komisionerin e djathtë, të republikanëve. Kështu, të tre bashkë, Kastriot Islami Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, njëlloj si “tre muskëtierët” e dikurshëm do të porositen të mos mungojnë në asnjë mënyrë në seancën e së hënës, sepse ndryshe komisioneri i KQZ-së, nuk do të konvertohet dot, nga krahu i majtë, në të djathtin. Sipas Homerit thuhet se kalin e drunjtë të Trojës e shpiku, Odiseu, por në Tiranë, dredhitë dhe kombinimet parlamentare i shpiku, domosdoshmëria për të mbajtur pushtetin. Dhe ndryshe nga ushtarët e dikurshëm të Greqisë që qëndronin në barkun e drunjtë të këtij Kali, të hënën, tre deputetët e majtë, do të vijnë me “Mercedesët” e tyre dhe pasi të votojnë për komisionerin republikan, do të ikin në punët e tyre. Në fund të fundit shpikja e Odiseut me dredhinë helene, nuk është asgjë fare përpara shpikjeve të sotme kuvendore, ku deputetët “hanë bukën e të majtëve dhe bëjnë shërbimet e të djathtëve”, ose anasjelltas.

Ambasada e SHBA-ve: “Anëtarët e KQZ janë jopartiakë, partitë të tregojnë vullnet

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, reagon në lidhje me zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ nga ana e maxhorancës. Ja deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Deklaratë e Ambasadës së SHBA-ve

Ne mirëpresim vendimin e sotëm për të shtyrë votimin e Kuvendit mbi anëtarësinë në KQZ dhe nxisim partitë politike që ta përdorin këtë kohë për diskutime konstruktive dhe konsultime të gjera. Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë thirrje në mënyrë konsekuente dhe të përsëritur të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri – atyre në qeveri dhe atyre në opozitë – që të veprojnë në mënyra të tilla që rrisin besimin e publikut në ndershmërinë dhe integritetin themelor të procesit zgjedhor. Të tilla veprime do të përmirësonin perspektivën që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga të gjitha palët dhe nga publiku, në të mirë të demokracisë dhe integrimit më të thellë të Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike të kombeve. Për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është me rëndësi të mbahet mend, që anëtarët e KQZ-së – të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor – konsiderohen se janë apolitikë. Me t’u emëruar, anëtarët e KQZ-së janë betuar dhe janë të detyruar, që të kryejnë detyrat e tyre për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri. Duke pasur parasysh një kontekst të tillë – si dhe për hir të qartësisë morale – ne nxisim të gjitha aktorët politikë që të riafirmojnë përkushtimin e tyre të shpallur ndaj integritetit dhe transparencës procedurale kur shqyrtojnë çfarëdo veprimi të mundshëm lidhur me përbërjen e KQZ-së.

  For Immediate Release                                April 11, 2013

 U.S. Embassy Statement

 We welcome the decision to postpone the parliament’s vote on CEC membership, and encourage the political parties to use this time for constructive discussion and broad consultation. The United States has consistently and repeatedly appealed to all the political actors in Albania – those in the government and those in the opposition – to act in ways that elevate public confidence in the basic fairness and integrity of the electoral process. Doing so will improve the prospects that the outcome of the elections will be accepted by all sides and the public, to the benefit of Albania’s democracy and deeper integration into the Euro-Atlantic community of nations.

 With respect to the composition of the Central Election Commission, it is important to recall that the members of the CEC – who were selected and appointed on the basis of inter-party consensus, in accordance with the Electoral Code – are considered to be apolitical. Once appointed, CEC members have pledged, and are obligated, to discharge their duties to realize free, fair, and democratic elections in Albania. Against this backdrop – and for the sake of moral clarity – we urge all political actors to renew their stated commitment to procedural integrity and transparency when weighing any possible action regarding the composition of the CEC.