Ministri Noka vetëmburret për suksese

433
Sigal

 Krimi u merr jetën qytetarëve, lëndët narkotike trafikohen me tonelata, ndërsa…

 Dje herët në mëngjes, në mjediset e Komisariatit nr.3 të Tiranës, një qytetar i ndaluar, vetëvrarët me rripin e mesit në qeli. Policia, edhe pse e kishte ndaluar qytetarin, nuk kishte marrë asnjë masë sigurie. Kjo është dëshmia e nivelit të ulët profesional të Policisë së Shtetit. Policia nuk është e zonja të parandalojë një krim në mjediset e saj, a mund të jetë e aftë që të përballojë krimin në terren? Disa orë më vonë nga kjo ngjarje, u zhvillua takimi vjetor për Parandalimin dhe Luftën kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike. Ministri i Brendshëm, Noka   bëri një  paradë suksesesh të mëdha të punës së policisë në luftë kundër trafikut të lëndëve narkotike, krimit, thua se ministri Noka, nuk informohet se çfarë ndodh në polici dhe me Policinë e Shtetit. Pyetja lind: E informojnë  vartësit e tij ministrin Noka dhe ky është i papërgjegjshëm ndaj degradimit profesional të policisë, derisa ministri, nuk thotë një fjalë analize të këtyre fenomeneve, që dëshmojnë për një degradim total të punës dhe misionit të Policisë së Shtetit? Apo, vartësit e disinformojnë ministrin Noka, duke i fshehur realitetin? Nuk ka sesi ministri Noka të mburret, duke thënë se, në Shqipëri është përgjysmuar sipërfaqja e mbjellë me lëndë narkotike, kur, ndërkohë, para disa orësh, në kufi me Greqinë u kap një makinë që transportonte mbi një ton lëndë narkotike. Nga ana tjetër, rastet e përditshme të kapjes të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, trumbetohen si sukses i punës së policisë, duke “harruar” përgjegjësinë që ka policia, përse ka lejuar deri në këtë pikë trafikimin e lëndëve narkotike dhe përse nuk e ka luftuar që në mbjelljen e tyre? Automjetet me lëndët narkotike kanë  kaluar nga disa postblloqe, apo pika kontrolli të policisë.  Atëhere, si nuk kapen këta trafikantë nga posblloqet e policisë? A ka pyetur ministri Noka, nëse trafikantët ndihmohen nga vetë policët? Mundet ministri Noka të japë shpjegim, se në cilën zonë të Shqipërisë mbillen këto mijëra hektarë me lëndë narkotike, që prodhojnë tonelatat e drogës që kap policia? Dhe përse policia është e pazonja që të luftojë mbjelljen e tyre? Sa kultivues të lëndëve narkotike ka sjellë para ligjit policia? Më tej, a mundet të përgjigjet ministri Noka, si u ka shpëtuar kontrollit  policor të shumëfishtë,  ky trafikim  me toneleta, i lëndëve narkotike? Ka paaftësi profesionale? Apo ka inkriminim të punonjësve të policisë me njerëzit e krimit të organizuar? Mundet të përgjigjet ministri Noka, sa është sasia e lëndëve narkotike që i shpëton kontrollit të policisë? Sepse, që të kapësh tonelata, propabiliteti i trafikut që i ka shpëtuar kontrollit policor është disa herë më i madh. Raporti i DASH-it, para disa ditësh, Shqipërinë e konsideronte si një nga vendet kryesore të trafikimit të lëndëve narkotike, ndërkohë, dje, ministri Noka, mburret duke thënë të kundërtën. Disinformon ministri Noka, apo e kanë disinformuar vartësit e tij, e ai lexon të zezën e realitetit të krimit e të trafikut të lëndëve narkotike, për një realitet fals? Një vajzë 20-vjeçare dhunohet në mes të ditës në fshatin Frakullë të Fierit, nga 2 të rinj dhe qytetarët ndjejnë pasigurinë e jetës nga krimi, kudo, edhe në shtëpi, në çdo orë të ditës, ndërsa krerët e policisë fotografohen në drekëra suksesesh në restorantet luksoze të “Dajtit”.  I afërmi i nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Kuliçit, ekzekuton me armë qytetarët në një lokal, sepse beson që ai është mbi ligjin, ndërsa policia, ende nuk ka mundur që ta arrestojë kriminelin. Dhe vetë nëndrejtori i Policisë së Shtetit hesht dhe fshihet, ndërsa ministri Noka e mbështet atë. Ministri Noka nuk guxoi të analizojë përse akoma Policia e Shtetit nuk ka gjetur kriminelët që  vrasin  komisarë të policisë, të cilët kanë guxuar të ndeshen me krimin e organizuar? Atëherë, pyetja që i drejtojmë ministrit Noka. Sa besueshmëri duhet të kemi në një polici të tillë të Shtetit?