Meta reagon pas përfundimit të dëshmisë: Më pyetën për lobimin, i pyeta për McGonigal

47
Sigal

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta është marrë për herë të parë në pyetje nga SPAK, pas arrestimit më 21 tetor. Në një reagim në rrjetet sociale pas përfundimit të dëshmisë, Ilir Meta thotë se i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për çështjen e Lobimit në SHBA, por këta të fundit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të tij, për aferat që ai ka denoncuar prej kohësh, si çështja McGonigal, apo me fotografinë e paligjshme të Edi Ramës me ish-presidentin Amerikan Barak Obama, çështje për të cilën një shqiptaro-amerikan ka bërë burg. Ndërkohë që para mediave avokati Genc Gjokutaj zbardhi disa detaje nga seanca e marrjes në pyetje të Metës.

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe për rreth 3 orë sqarime para prokurorit Sotir Kllapi dhe agjentëve të BKH-së, lidhur me çështjen e Lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një reagim në rrjetet sociale pas përfundimit të dëshmisë, Meta fillimisht bën të ditur se nuk u lejua të bënte një prononcim për mediat, qoftë edhe me pranga në duar, teksa thekson se nuk mori njoftim zyrtar për paraqitjen në SPAK, por e mësoi përmes medias. Më tej, ish-presidenti i Republikës, thotë se teksa iu përgjigj interesit të prokurorëve, këta të fundit i thanë se nuk kishin kompetencë për pyetjet që Meta u ka bërë atyre, përfshirë çështjen Rama-McGonigal.

 “Dua t’ju siguroj se kam dhënë sqarime shumë të qarta, me sjelljen time tepër transparente, për të gjitha pyetjet që m’u drejtuan, duke sqaruar edhe njëherë në respektin tim të plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit. Por më lejoni t’ju sqaroj se ishte një seancë me pyetje reciproke, ne ju përgjigjëm të gjitha pyetjeve të tyre, ata ju shmangën “për moskompetencë” pyetjeve tona. Pyetja jonë e parë ishte se çfarë bëhet me kallëzimin tonë të dorëzuar më 6 dhjetor në SPAK, lidhur me rrëmbimin kriminal dhe banditesk. Meqënëse ata ishin të interesuar për çështjen e lobimeve, pasi ju përgjigja të gjitha pyetjeve të tyre, si President i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, u bëra unë dy pyetje që kanë të bëjnë me interesin e lartë publik, konkretisht me çështjen e lobimeve të paligjshme. Së pari, çfarë bëhet me hetimin e çështjes McGonigal, kryeagjentit të FBI të dënuar me burg për shkak të korruptimit nga kryekorruptuesi i ndërkombëtarëve, aktualisht Kryeministër? Së dyti, çfarë bëhet me hetimin për fotografinë e paligjshme me Presidentin Obama të “Gruas së Bilalit” për të cilën një shtetas shqiptaro-amerikan ka bërë burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?”

Ndërkohë për mediat, avokati Genc Gjokutaj, hodhi edhe më tepër dritë mbi çfarë ndodhi për rreth 3 orë në zyrat e hetuesisë.

Kujtojmë se të hënën e 6 janarit, u thirr për të dhënë deklarime edhe deputetja Monika Kryemadhi, e cila vendosi të mos iu përgjigjej pyetjeve të prokurorëve, vetëm në rast se pyetet në Gjykatë.