Klajda Gjosha: Deklaratat e Ramës për Kosovën të papranueshme dhe fëminore

457
Sigal

                                             Intervista e Deputetes së LSI, Klajda Gjosha për
7pa5

Dua ta nis nga deti, kishte një mospërputhje
Presidencë-Qeveri apo është pak faktorizim i palëve?

Nuk mendoj se ka
të bëjë me faktorizim të palëve, mendoj se ka nevojë për transparencë dhe
konferenca për shtyp dje nga Presidenti i Republikës, besoj se ishte brenda
kornizës institucionale të tij. Por edhe brenda asaj çka i lejon Kushtetuta. Në
të vërtetë ka nevojë për një transparencë të thellë për marrëveshjen e detit.
Por edhe për të gjitha marrëveshjet e tjera që po kryen në fakt me vendin tonë
fqinj që është Greqia. Ne kemi kërkuar edhe një seancë dëgjimore me ministrin e
jashtëm. Është kryer seanca e parë dëgjimore por nuk arritëm të dëgjonim asgjë
nga  diskutimet që janë bërë me palën
greke. Dhe tashmë kemi kërkuar transparencë të plotë dhe kemi qenë tepër  të kujdesshëm për të treguar dhe faktin që
nëse do duhej që transparenca për këtë marrëveshje të bëhej dhe pa prezencën e
mediave, opozita është e gatshme ta pranojë këtë.

 Me dyer të mbyllura?

Edhe me dyer të
mbyllura mendoj që pak rëndësi ka sepse pala greke ka qenë shumë e qartë në
marrëveshjet që ka diskutuar me palën shqiptare. Madje dhe në deklaratën e
kryeministrit Tsipras, unë do të theksoja që ai ka qenë tepër i qartë për ti
dhënë plotfuqishmërinë për të përfunduar marrëveshjen, ministrit Kotzias bashkë
me grupin negociator. Kjo në fakt u kërkuar edhe nga Presidenti ynë sepse
plotfuqishmëria e cila iu kërkua atij nga ministria e jashtme ishte tejet e
cunguar. Do të duhet të diskutohet me detaje për çfarë kërkohet autorizimi,
cili do të jetë grupi negociator. Besoj ju e dini që mbi të gjitha marrëveshjet
është një detyrim dhe po të shikoni të gjitha marrëveshjet që kalojnë te
Presidenti për autorizim apo për plotfuqishmëri, kanë një model të përcaktuar.
Kjo e fundit nuk  qëndronte brenda këtij
modeli dhe unë mendoj që tashmë ka ardhur momenti të bëhet pak transparencë për
çfarë po ndodh realisht. 

Pse ka kaq shumë mungesë transparence?

 Është shumë e
theksuar mungesa e transparencës. Ka një ndryshim shumë të madh nga mënyra sesi
funksionon politika, po të shohim në vendin tonë fqinj, bëhet fjalë për të
njëjtën marrëveshje. Po të shohim ata janë treguar shumë të kujdesshëm për ta
bërë këtë marrëveshje më parë me Kryetarin e Opozitës, me Presidentin e
Greqisë, me parlamentin e Greqisë pra kanë kaluar të gjitha instancat dhe
institucionet që ata kanë një detyrim Kushtetues për tu konsultuar. Ndërsa këtu
te ne gjithçka është mbajtur e fshehtë. Nuk mendoj se këto janë negociata që i
takojnë një individi të vetëm apo kryeministrit dhe ministrit të jashtëm. Ajo
çka ka ngritur një pikëpyetje të madhe është se si mundet për një marrëveshje
kaq të rëndësishme dhe për çështje sensitive siç është ajo e detit të
negociohet në tre netë me ministrin e jashtëm grek. Ndërkohë që po ti
rikthehemi vite më pas, marrëveshja që është kryer me Italinë për detin, ka
nisur në 1983 dhe ka mbaruar në 1992 me një grup shumë të madh negociatorësh ,
ekspertë të mirëfilltë të fushës, që kanë kryer debate të njëpasnjëshme. Kanë
vënë mbi tryezë të gjithë dokumentacionin, si në bazë ligjore ashtu edhe duke
parë thyerjen që ka bregdeti ynë sepse janë shumë çështje brenda që duhen marrë
në diskutim. Ne jemi para një pikëpyetje të madhe, e kërkojmë këtë gjë edhe nga
ministri Bushati, për të na dhënë një përgjigje. E kemi kërkuar për një seancë
dëgjimore dhe shpresojmë që javën që vjen të vijë në Komisionin e Punëve të
Jashtme për të referuar mbi këtë marrëveshje.

 E kemi sëmundje të hershme ne të institucioneve
shqiptare, dikush drejton një institucion, dikush një tjetër, aq më tepër akoma
kur Presidenti vjen nga një parti sot në rradhët e opozitës. Institucionet me
njëri tjetrin nuk komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme…

Është pjesë e një
kulture të munguar, ka qenë prej kohësh kështu, kemi vuajtur gjithmonë nga
koordinimi, nëse do të kishim një vendimmarrje që do të duhej të merrje me më
shumë se dy institucione, gjithmonë ka qenë një problem i jashtëzakonshëm. E
para kush e koordinon dhe e dyta si do të merrej vendimi duke u hapur në disa
institucione. Megjithatë në këtë rast të mirëfilltë, unë shoh një arrogancë të
papranueshme. Në mënyrën sesi janë zhvilluar negociatat dhe  në mënyrën sesi është bërë transparenca me
publikun.

 Kanë frikë se u marrin meritat ndoshta, është
çështje e negocimit keq apo për ta mbajtur gjithë suksesin për vete? 

 Unë nuk e di se
çfarë është negociuar, pra nuk mund të paragjykoj. Në momentin që do të
zbardhen negociatat, atëherë besoj do të jetë shumë e qartë për të gjithë ne që
pse është mbajtur kaq e fshehtë. Mos të harrojmë që problemet me Greqinë, kanë
qenë edhe shumë të mbartura. Dhe vijmë nga një 4-vjeçar tejet i egër,
retorikash, mes kryeministrit tonë dhe palës greke. Kështu që ka qenë një
marrëdhënie jashtëzakonisht e vështirë. Prandaj dhe është e vështirë për
publikun sot të perceptojë se çfarë po ndodh. Dhe aq më tepër të mirëkuptojë
qeverinë që po kryen negociata që janë dhe në interes të Shqipërisë dhe
shqiptarëve. Është shumë e vështirë për ta provuar sot qeverinë në këto
negociata që po bën. 

 Jemi dhe në prag të çeljes së negociatave të
tjera, që nëse do të çelen do të duhet të hapen kapituj e duhet të ketë
komunikim mes institucioneve. Jemi para një PO-je për çeljen e negociatave?

 Jemi para një
procesi do thoja unë. Kemi pasur publikimin e Strategjisë së Zgjerimit nga
Komisioni Europian. Një dokument jashtëzakonisht shumë  i rëndësishëm në dy anë. E para se i vendos
vendet e Ballkanit Perëndimor me ato të BE në një nivel tjetër bashkëpunimi.
Dhe pjesëmarrje të Shqipërisë por edhe të vendeve të tjera aspirante në disa
nivele diskutimesh që nuk kanë qenë më parë si atë të migracionit, kufijve e
kështu me rradhë. Pra nëse deri dje kemi qenë dëgjues, sot do jemi aktiv dhe me
të drejtë fjale dhe kjo është realisht shimë e rëndësishme. E vendos në një
nivel të bashkëpunimit ekonomik po ashtu tjetër që për ne është në interes të
veçantë sepse procesi i reformave do të shkojë paralelisht me drejtimin
ekonomik të vendit. Megjithatë unë jam shprehur dhe më parë. Strategjia është
një pasqyrë e qartë dhe e dhimbshme e asaj çka përjetojnë sot vendet e
Ballkanit Perëndimor por në veçanti Shqipëria sepse aty përmenden disa fakte që
janë me të vërtet tronditëse. Lidhja e pushtetit me krimin apo çështjet e
korrupsionit, të krimit të organizuar, çështja e drogës. Pra është tejet e
fokusuar dhe si asnjëherë më parë Strategjia është shumë e qartë, duke vënë
para përgjegjësisë liderat e Ballkanit Perëndimor për ti dhënë një zgjidhje
këtyre çështjeve para sesa ata të antarësohen dhe besoj se këtu përgjegjësia
është shumë e madhe në ekzekutiv. Sa i përket çeljes së negociatave, në muajt
që do të vijnë kemi dy etapa. Do të kemi muajin prill ku Komisioni do të
raportojë për vendet aspirante ku bën pjesë dhe Shqipëria. Ata do të
rikonfirmojnë, këtu nuk kemi asgjë të re. Kemi një rikonfirmim të rekomandimit
pozitiv për çeljen e negociatave që nga nëntori i 2016. Pra do të rikonfirmojnë
atë çka kanë thënë para dy vitesh. Ndërsa e reja dhe surpriza për ne do të jetë
qershori ku vendet anëtare do duhet të vendosin nëse negociatat do të çelen apo
jo. Dhe këtu do të shohim sesa Shqipëria ka përparuar në kuadër të pesë
prioriteteve. Është në unanimitet të plotë dhe nëse një vend i vetëm vendos
veton apo voton kundër do të thotë që Shqipërisë nuk mund ti çelen
negociatat. 

Po ne nga ana jonë 
i kemi bërë sa duhet detyrat e shtëpisë në këndvështrimin tuaj. Sot nuk
kemi më ministri integrimi por kemi një ministri për Europën dhe Punët e
Jashtme. Prish punë kjo?

Shpesh herë kur
diskutojmë për këto çështje, shoh analiza të ndryshme, që dikush thotë, nuk
duhet të biem në debatin e një emri ministrie. Në fakt ajo ministri nuk kishte
të bënte vetëm me emrin, kishte të bënte me një kërkesë të mirëfilltë që vinte
nga Komisioni Europian për ta krijuar atë dhe për ti dhënë rëndësinë e duhur
procesit. Sot kemi të gjithë të gjithë procesin e integrimit të futur në një
ministri që merret me shumë çështje të tjera. Dhe nëse ministri do të duhet të
merret me marrëdhëniet bilaterale, me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, me
negociatat me Greqinë, e kështu me rradhë sepse janë një sërë çështjesh të
tjera që ai mbart. Shtuar, diplomacinë ekonomike që është një tjetër sfidë e
ministrisë së punëve të jashtme. Unë nuk e besoj dot që në një nivel drejtorie
që ka mbetur tashmë procesi i integrimit, ky është realiteti. Ku ende ajo
drejtori nuk ka një strukturë të mirëfilltë, ku ka ende vende vakante për shkak
të ristrukturimit të vetë ministrive dhe të shkrirjes së ministrisë së
integrimit. Dhe ka kaluar një periudhë 6 mujore, e kam të vështirë të besoj se
kush raporton sot në Komisionin Europian. Çfarë është raportuar dhe si është
koordinuar me 72 institucione në vend. Nuk është e thjeshtë, nuk janë vetëm
institucione qendrore janë dhe të pavarura. Dhe mos të harrojmë që me
institucione të pavarura është e pamundur të negocioj një drejtor apo një
zv.Ministër. Pra niveli i koordinimit të punës duhet të jetë maksimal për ti
dhënë atë rëndësinë e duhur procesit. Në 2016 kishim një kusht të mirëfilltë që
ishte Reforma në Drejtësi, procesi i Vetingut. Në fjalën time javën që shkoi në
Kuvendin e Shqipërisë, iu drejtova duke thënë çfarë do të raportoni ju për
procesin e Vetingut. Do doja shumë ta dija për transparencë të publikut, dikush
të më thoshte që kemi katër-pesë arritje që do ta bëjmë Shqipërinë të çeli
negociatat në qershor. Raportimi i Shqipërisë duhet të jetë dhe pjesë e
raportimit që do të kryejë vetë Komisioni Europian për vendet anëtare. Dhe
askush nuk mund të më japë sot një përgjigje. 

Presim që deri në qershor të kemi  apo duhet të kemi rezultate në prill?

Ne ende kemi kohë
deri në prill.
Sepse aty përmbyllet raporti i Komisionit Europian. Çdo
gjë tjetër është ekstra. Por mos kujtoni se vendet anëtare e kanë gjithmonë
vëmendjen në procesin e zgjerimit apo se çfarë ndodh me Shqipërinë hap pas
hapi. Sepse shumë nga vendet kryesore kanë dhe çështjet e tyre që shqetësojnë
qytetarët e tyre. Gjermania ende sot është në ujërat e ndërtimit të një
qeverie. Italia gjithashtu është para zgjedhjeve. Pra janë disa nga vendet kyçe
që janë shumë të involvuara me çështjet e brendshme. Pra Shqipëria duhet të
vrapojë në këtë proces, nuk duhet të ecë me hapa kaq të ngadaltë.

Duhet të vrapojë
vetëm ministri Bushati apo në koordinim me gjithë faktorët politikë për të
vrapuar për të bindur partnerët?

Procesi nuk është vetëm i z. Bushati. Është i të gjithëve,
aq më tepër që janë institucione të involvuara në pesë prioritetet që nuk janë
në përgjegjësinë e z.Bushati. Kemi ministrinë e brendshme p.sh, që ka një rol
të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kemi
ministrinë e drejtësisë që kanë një peshë shumë të madhe dhe në raportimin e
disa prej prioriteteve ku këtu bëjnë pjesë dhe të drejtat e njeriut, çështja e
pronës. Janë çështje që i drejton ministria e drejtësisë. Dhe janë shumë
problematike. Sot nuk shoh asnjë sukses të arritur në këto 5 prioritete. Ajo
çka shoh është një kryeprokurore e zgjedhur me vetëm 69 vota. Në shkelje të
plotë të Kushtetutës dhe çka është më e rëndësishme pa Veting, ndërkohë që
Vetingu sot është kryefjalë e Kushtetutës sonë. Asnjë Kushtetutë e dytë në
botë
  nuk e përmban këtë term brenda saj.
Dhe ne të paktën duhet ta kishim
respektuar për kreun e Prokurorisë. Përveç kësaj dalim te institucionet e reja
që po ngrihen. Çfarë zgjodhëm ne? Zgjodhëm anëtarët e KLGJ dhe KLP me kaq shumë
problematikë. Njerëz të cilët përmbanin jo vetëm probleme integritetin e tyre
dhe probleme morale , mesa pashë në raportet. Disa prej tyre kanë qenë tejet të
anatemuar nga ONM-ja. Pra disa ishin të papranueshme si kandidatura, ndërkohë
që Kuvendi i Shqipërisë, vendosi ti pranonte ata. Pra në njëfarë mënyre ne
shkelëm dhe garantin tonë të drejtësisë që ishte faktori ndërkombëtar, atë për
të cilën ne votuam me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë këndvështrim
kemi disa probleme të cilat besoj se e pengojnë pak a shumë procesin e Vetingut
dhe Reformën në Drejtësi. Aq më tepër që ne kemi dhe një çështje shumë të
diskutuar siç ka qenë  ajo e
ish-ministrit të brendshëm, që tashmë është ngritur dhe nga pala ndërkombëtare
si e papranueshme për imunitetin të cilin e ruajti me aq fanatizëm mazhoranca
në Kuvendin e Shqipërisë duke mos lejuar arrestimin e tij ndërkohë që për një
qytetarë të thjeshtë ndodh totalisht e kundërta dhe besoj kjo nuk është e
drejtë në një vend demokratik.

Duhet të mos kishim
imunitet fare? Sot mediat e kishin që kanë dalë të dy palët PD dhe PS kanë rënë
dakord ta heqin fare këtë çështjen e imunitetit, se ruajnë njëri tjetrin.
Pavarësisht se në fillim kërkuar që të mos ketë imunitet për zyrtarët që
kërkohet nga prokuroria por në fund ranë dakord mos ta prekin më si çështje.

Brenda atyre rekomandimeve është vendosur një paragraf i
qartë ku thuhet se duhet të rishikohet edhe njëherë çështja e imunitetit të
politikanëve. Pra është krejt e kundërta. Dhe kjo ka qenë një kërkesë e
opozitës për tu vendosur brenda rekomandimeve e pranuar dhe nga pala Europiane.
Tejet e diskutueshme sepse nuk është e thjeshtë për mazhorancën të pranojë sot
atë paragraf ndërkohë që e kemi sot një model paraprak. Vetëm para disa muajsh,
megjithatë ajo është pranuar. Përsa i përket opozitës mendoj që po bën një punë
të jashtëzakonshme. E para me miratimin
 
e asaj rezolute e cila nga Parlamenti Europian do të kalojë në
Komisionin Europian dhe më pas i
 
prezantohet  vendeve anëtare.
Debatet kanë qenë gjithmonë tejet të ashpra por është një Komitet që mblidhet
dy herë në vit dhe asnjëherë nuk ka pasur një konsensus apo dhe një debat
konstruktiv. Gjithmonë me dy-tre qëndrime dhe asnjëherë me një deklaratë të
përbashkët. Kjo është hera e parë dhe mendoj se është një hap pozitiv. Nga ana
tjetër ne si LSI kemi qenë shumë të qartë, duke qenë se procesi i integrimit
është dhe pjesë e ADN-së tonë. Gjithmonë kemi qenë aty shtysë e procesit dhe për
të arritur një konsensus mes palëve ndërkohë që mos të bëhej pengesë asnjë nga
çështjet që është shtruar në tryezë për integrimin. Kemi dërguar para disa
kohësh edhe një letër zyrtare, Komisionerit Hahn, duke i kërkuar haptas, çeljen
e negociatave sepse ne mendojmë që ky do të ishte një hap jashtëzakonisht shumë
i rëndësishëm për qytetarët shqiptar në rradhë të parë. Dhe e dyta, Komisioni
Europian do të fillonte të luante një rol ndryshe nga ai që ka sot. Duke
monitoruar me shumë rreptësi të gjithë procesin e reformave në vend.
 

Deklarata e pak
ditëve më parë e kryeministrit Edi Rama, për një President të përbashkët mes
Shqipërisë dhe Kosovës si lexohet?

Sot do them diçka që e them për herë të parë. Nuk është hera
e parë që ndihem keq përballë këtyre deklaratave. Në atë kohë kam qenë ministre
ku më është dashur shumë të shpjegoj deklaratat e kryeministrit
  të bëra mbi Kosovën, mbi bashkimin me
Kosovën, megjithatë them se është e papranueshme në këto momente që ne flasim,
kur strategjia shumë e qartë pra, i vendoset liderëve për ti thënë zgjidhni
çështjet , mosmarrëveshjet. Të bësh një deklaratë të tillë e quaj të
papërgjegjshme, në një moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe para çeljes
së negociatave
  ku një nga kushtet
kryesore është pikërisht zgjidhja e mosmarrëveshjeve me fqinjët. Dhe ajo çka ka
shkaktuar deklarata dhe në vendet fqinje, në Serbi, në Greqi, pamë dje në
reagim shumë të madh të mediave greke mbi deklaratën e kryeministrit. Mendoj që
nuk është e nevojshme në këto momente, është e patolerueshme, e pamenduar,
fëminore do thoja unë
  dhe mbi të gjitha
me kaq shumë probleme sa çka Shqipëria sot në çështjet e krimit të organizuar.
Dhe për të çuar përpara reformën në drejtësi të merresh me diçka që nuk është
pjesë e tryezave dhe diskutimeve tona mendoj që është e pafalshme.