Meta: Opozita bashkëpunim të hapur me Ramën, na shndërroi në regjim. Basha i llastuar, s’e njeh as Voltana Ademi

157
Sigal

Presidenti Ilir Meta thotë se bashkëpunimi i hapur opozitës në vitet e fundit me kryeministrin Edi Rama solli regjimin në Shqipëri. 

Kreu i shtetit në një intervistë për gazetaren Aida Shtino në Faxnews flet edhe për vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Europiane, zhvillimet brenda PD si dhe marrëdhëniet me liderin historik të PD, Sali Berisha.

“Shqipëria i duhen vota e lirë dhe e paprekshme dhe instalimi njëherë e përgjithmonë i ligjit të referendumeve! Sistemi kushtetues nuk funksionon dhe shteti i së drejtës ka rënë. Falë kontributit të opozitës në vitet e fundit, që ka bashkëpunuar hapur me kreun e Qeverisë, jemi shndërruar në një regjim”, tha Meta.

“Rikthimi i sistemit të llogaridhënies dhe i votës së lirë në të gjitha nivelet, është një proces që ka filluar dhe që nuk do të ndalet më! Zero shqetësim dhe vëmendje për çështjen në Gjykatën Kushtetuese. 

Ka Gjykatë Kushtetuese, por ka edhe Gjykatë Europiane. Kam vite që luftoj që Shqipëria të mos mbetej asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese. Nuk më shqetësojnë akuzat e Bashës. Problem do të ishte nëse kundër meje do të ishte lideri historik i PD, “magneti i kësaj toke”, Sali Berisha. Ku bashkohem dhe ndahem me Sali Berishën? Na bashkon interesi kombëtar dhe që çdo gjë e kemi arritur vetë në jetë dhe në politikë. Ndahemi për 28-29 Nëntorin. 

Zhvillimet brenda PD, vlerësoj Berishën për primaret në zgjedhjen e kandidatëve. Po, jam takuar me Sali Berishën, pas gati 14 muajsh. Në Presidencë dhe në shtëpinë time e ka derën e hapur 24 orë. Berisha është si vera, sa vjen bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe më demokrat. Po është Po, Jo është Jo! Kjo gjë më bashkon me Sali Berishën”.

Një koment Ilir Meta e ka edhe për Lulzim Bashën ndonëse tregohet i rezervuar, për faktin se siç shtoi Meta, ka keqardhje. Bashën tha Meta tashmë nuk e njeh as kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Sipas Metës, Basha është i llastuar dhe se është mësuar që gjithmonë të tjerët të punojnë për të.

“Kam punë më të rëndësishme se të harxhoj kohë me Lulzim Bashën. Kur atë nuk e njeh as Voltana Ademi, çfarë prisni nga unë?

Lulzim Basha është në një hall shumë të madh dhe për të ndjej vetëm keqardhje. Lulzim Basha nuk ka shenja autokracie, por llastimi. Është mësuar që gjithmonë të tjerët të punojnë për të dhe kur nuk punojnë, ai mendon që po i bëjnë një padrejtësi.

Bashkëpunoj me çdo njeri, i cili nuk prek disa kode: Sovranitetin, integritetin dhe demokracinë. E qartë si drita e diellit, shumicën e dosjes “Non Grata” për Sali Berishën e ka bërë vetë Lulzim Basha. I jam mirënjohës Sali Berishës sepse më kaliti me vështirësi. Pa “Non Grata”-n e Berishës, nuk do të kishim primare në Shqipëri”. 

I bindur se do të përfundojë mandatin Kushtetues si president, Meta thotë se pas 24 korrikut do t’i kthehet popullit.

“Pas 24 korrikut 2022, do të jem 24 orë në dispozicion të popullit të 2 marsit dhe me të gjithë shqiptarët e ndershëm”. 

Pas poezisë për Korçën në dëborë dhe atë në anglisht për Skënderbeun, kreu i shtetit shpall një tjetër sfidë.

“Pas poezive për Skënderbeun, shumë shpejt do këndoj këngën simbol të Fatmira Breçanit”.