Meta në Marok: Përpjekje të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit

387
Sigal

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Mbretërinë e Marokut, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u prit dje nga Presidenti i Dhomës së Lartë të Parlamentit maroken, Mohamed Cheikh Biadillah me të cilin vlerësuan se forcimi i marrëdhënieve ndërparlamentare kontribuon në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve dhe dy popujve miq.

Biadillah i uroi mirëseardhjen në Marok Metës dhe vuri në dukje se kjo vizitë e delegacionit parlamentar shqiptar në Rabat, i avancon marrëdhëniet mes dy vendeve tona drejt një faze tjetër bashkëpunimi. Në këtë kuadër, Dhoma e Këshilluesve të Marokut do të mbështesë intensifikimin e kontakteve parlamentare mes grupeve reciproke të miqësisë dhe në forumet ndërkombëtare. Ndërsa Meta u shpreh se kjo vizitë dëshmon për vullnetin e qartë të Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet njerëzore, tregtare e politike me Marokun, i cili përfaqëson një vend me peshë të veçantë në pellgun e Mesdheut dhe një popull mik për shqiptarët. Kryetari i Kuvendit, Meta bëri një vlerësim të veçantë për reformat e mëdha që janë ndërmarrë në Marok gjatë viteve të fundit, duke vënë në dukje se dy parlamentet duhet ta shtojnë mbështetjen e tyre për qeveritë respektive, në funksion të konkretizimit dhe përmirësimit të cilësisë së bashkëpunimit mes dy vendeve. Në këtë drejtim, u nda bindja se forcimi i bashkëpunimit multilateral mes Marokut dhe Shqipërisë në planin ndërkombëtar, i konsolidon më tej përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe për rritjen e parametrave të sigurisë në botë, duke i shërbyer prosperitetit të të dy popujve tanë.