Meta: Kënaqësi të merrja pjesë në Konferencën Kombëtare të të Zgjedhurve Vendorë të Partisë së Lirisë

43
Nga Ilir Meta/

Sigal

Vlerësoj të gjithë këshilltarët e Partisë së Lirisë për rolin dhe kontributin e tyre të çmuar për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie në çdo bashki të vendit për të ndalur abuzimet dhe shpërdorimet e bëra nga kryebashkiakët e Rilindjes.

Mbrojtja e interesit të qytetarëve, biznesit dhe grupeve të interesit janë në themel të angazhimit dhe punës së këshilltarëve të Partisë së Lirisë.

Për këtë arsye, shpreh vlerësimin tim më të mirë për propozimet që ata kanë bërë për buxhetet e çdo bashkie me qëllim përmirësimin dhe uljen e kostos së jetesës së qytetarëve.

Do të përmendja në veçanti 11 propozimet e shkëlqyera të bëra nga grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës.

1. Anulimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për zonat malore.

2. Anulimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet që legalizohen.

3. Anulimi i taksës së përkohshme të infrastrukturës arsimore.

4. Anulimi i kontributit të subjekteve private me fondin social në lekë duke kaluar në kontribut me m2 në objekt.

5. Ulja me 50% të nivelit të taksës së tabelës për efekt reklamimi në formën elektronike.

6. Ulja e nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 8% që është aktualisht, në 2 deri 4% të vlerës së investimit.

7. Përgjysmimi i tarifës së pastrimit për bizneset.

8. Reduktim i tarifës për marrjen e një leje punimi, nga 1% të investimit për leje ndërtimi që është aktualisht, në 0.5% të investimit. Si dhe nga 10 lekë për m2 për leje zhvillimi që është aktualisht, në 5 lekë/m2.

9. Reduktim i tarifës për zënien e hapësirave publike, nga 200 – 1500 lekë/m2 që është aktualisht, në 100 – 750 lekë/m2.

10. Ulje me 50% të tarifës së parkimit publik.

11. Reduktim të çmimit aktual të ujit për abonentët familjarë, nga 65 lekë/m3, në 45 lekë/m3.
Të gjitha këto propozime do të kenë impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe bizneset në kryeqytet dhe beteja jonë nuk do të ndalet në asnjë moment për transparencën dhe llogaridhënien.