Meta flet për protestën: Inceneratorët kryeafera e qeverisë, Rama përgjegjës! Do ngrihen qytetarët pa flamuj partie…

116
Sigal

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat i pyetur për pjesëmarrjen e krahut të djathtë të opozitës në protestën e paralajmëruar në inceneratorin e Tiranës më 13 shtator, u përgjigj se kjo do të jetë një protestë e qytetarëve dhe nuk do të ketë asnjë flamur partie.

Meta tha ndër të tjera se “për të qenë opozitar ka vetëm 1 kriter, që është të qenit kundër Edi Ramës atje ku i dhemb më shumë, që është hajdutëria e tij e paskrupullt.”

“Atje ku padrejtësia kthehet në ligj, rezistenca është detyrë për të gjithë. Në Shqipëri korrupsioni dhe mafia kanë vendosur sistemin e tyre, afera e inceneratorëve është afera më e skandaloze e kapjes së shtetit për fyti, e shkatërrimit të intetersit publik dhe vjedhjes së qindra miliona eurove nga persona që janë në kërkim ndërkombëtar.

Vetëm një person është në krye të kësaj dhe që ka garantuar mbarëvajtjen e kësaj vjedhjeje. Inceneratorët janë kryeafera e Edi Ramës. Rama ka bërë 14 vendime brenda një ditë, të gjitha të paligjshme vetëm për ti hapur rrugë kësaj afere. Me firma të falsifikuara qarkullojnë miliona euro.

Ne ndërmorëm këtë iniciativë, kjo do jetë protestë e qytetarëve. Shqiptarët duhet të protestojnë çdo ditë e çdo minutë, pasi këtu vidhet përditë dhe po përgatiten vjedhje të tjera.

Është detyra e çdo qytetari që ndihet i vjedhur të protestojë dhe të jetë atje. Në këtë manifestim do të jemi të githë me flamurin e qytetarisë dhe me asnjë flamur partie apo force politike.

Është vetëm 1 kriter për të qenë opozitar, a je apo jo kundër Edi Ramës atje ku i dhemb më shumë, që është hajdutëria e tij e paskrupullt.”-u shpreh Meta.