Mero takim me studentët: Rinia, promotori i zhvillimit të Korçës

382
Kandidati i djathtë për Bashkinë e Korçës Gjergj Mero ishte i ftuar në programin e Akademisë Evropiane me studentët e Universitetit Fan Noli, organizuar nga Instituti i Studimeve ndërkombëtare në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane. Në fjalën e tij, Mero tha se studentët dhe aula universitare janë vetë jeta e tij dhe motivi për të fituar mbi sfidat e tjera. 
“Çdo frymëzim dhe motiv për të ecur përpara me energji pozitive dhe me vizion e kam gjetur mes jush, tha z. Mero. Sipas tij studentët e Korçës zotërojnë potenciale të mëdha që duhet të vihen në shërbim të qytetit për një orientim zhvillimi urban në harmoni me traditën dhe vlerat e artit e kulturës. Korça tha Mero, i përket të gjithëve dhe pikësëpari të ardhmes që janë të rinjtë dhe interesave të përkohshme të politikës. Drejtuesit e Korçës deri më tani kanë lënë jashtë dyerve të rinjtë dhe studentët me aftësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e punëve të qytetit dhe rritjes së identitetit kulturor dhe emancipues të tij. 
Duke i cilësuar të rinjtë si promotori i zhvillimit të Korçës, prof. Mero u dha studentëve mesazhin :” Mos gjykoni politikisht, por me objektivitet për një Korçë me perspektivë”. Vetë studentët vlerësuan profesorin si një pedagog dhe rektor profesionist, të drejtë dhe shumë bashkëpunues me të gjithë. Studentët thanë se idetë dhe cilësitë e figurës publike të profesor Meros po shpalosin qytetarin e munguar dhe shumë të nevojshëm për drejtimin e Korçës.
Sigal