Mediu: Me heqjen e koalicioneve dhe rritjen e pragut, Rama u heq shqiptarëve 200 mijë vota

75

Opozita e bashkuar shprehet kundër kryeministrit Edi Rama për ndryshimet kushtetuese, teksa e sheh si një tentativë për prishjen e marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore.

Në një lidhje përmes Skype kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, tha se kjo tentativë e Ramës po e çon gjithnjë e më tepër në degradim demokracinë shqiptare.

Fatmir Mediu: ”Jemi në një akt të paprecedentë nga pikëpamja e historisë së pluralizmit politik por edhe nga pikëpamja e organizmit dhe funksionimit të shtetit. Tendenca për të ndryshuar kushtetutën, të improvizuar për interesa politike, është një akt i paprecedentë, i cili cënon rëndë organizmin dhe funksionimin e shtetit, e po çon gjithnjë e më tepër në degradim demokracinë shqiptare.”

Ai tha se kryeministri po përdor hapjen e listave për të shmangur krijimin e koaliconeve dhe për të ngritur pragun elektoral, gjë që do sillte skualifikimin e 200 mijë vota të shqiptarëve.

Fatmir Mediu: ”Sipas të gjitha rregullave, jo vetëm kushtetuta nuk ndryshohet por edhe ligjet e garës zgjedhore duhehshin përcaktuar shumë kohë më parë. Edi Rama përdor hapjen e listave. Unë jam dakord për hapjen e listave por nga mbrapa fsheh një qëllim tjetër, shmang krijimin e koalicioneve. Duke shmangur krijimin e koalicioneve dhe duke ngritur pragun elektoral, tenton që të skualifikojë defakto 200 mijë vota të shqiptarëve ose më shumë. Është një lloj grabitjeje në tavolinën e zgjedhjeve. E tentoi edhe në vitin 2017 sepse nuk pranoi që të kishte koalicione, dhe kërkon që ta tentoi përsëri.”

Për Mediun, kërkesa e deputetëve për lista të hapura dhe rritjen e pragut elektoral, është thjesht zbatimi i urdhërave të kryeministrit Rama.

Fatmir Mediu: ”Këta që bëjnë këta propozime, kush nga këta merr 5%? Kërkesa për heqjen e koalicioneve dhe e rritjes së pragut 5%, është një kërkesë e hershme e Edi Ramës. Ç’lidhje kanë këta deputetë që të kërkojnë heqjen e koalicioneve? Vetëm i përgjigjen urdhrit dhe interesit të Edi Ramës. Ç’lidhje ka që këta deputetë kërkojnë rritjen e pragut në 5%, në një kohë që historia elektorale e zgjedhjeve në Shqipëri, ka treguar që vetëm dy partitë kryesore kanë dalë mbi 5%, ose mund të ketë pasur një moment të caktuar kur mund ta ketë kaluar ndonjë parti tjetër.

Kryerepublikani deklaroi se kjo është një lojë e qartë politike e tij, dhe tenton të shmangë marrëveshjen e 5 qershorit.

Fatmir Mediu: ”Kjo është një lojë e qartë politike e Edi Ramës, i cili kërkon që të bëjë ndryshimet kushtetuese, të shmangë marrëveshjen e 5 qershorit, përgjegjësinë që ai ka jo vetëm ndaj opozitës, por edhe faktorit ndërkombëtar dhe qytetarëve shqiptarë, për ta miratuar këtë reformë. Për sa kohë ka një marrëveshje, duhet t’i përmbahemi asaj. Opozita e ka bërë të vetën, tashmë pritet që të përgjigjet Partia Socialiste.”