Media franceze “Marianne”/ Shqipëria një shtet i dështuar me krim dhe korrupsion. Azilkërkuesit fenomen i depresionit shoqëror

272
Sigal

Numri gjithnjë e në rritje i azilkërkuesve shqiptarë është shndërruar në një dosje të nxehtë për administratën franceze. Që me liberalizimin e vizave dhe më pas me ardhjen e socialistëve në pushtet, shifrat janë bërë alarmante. Prej vitit 2011 numri ka shkuar nga 339 kërkesa në vit, në 9251 që u regjistruan në 2019. Pikërisht për këtë revista e përjavshme franceze “Marianne” e javës së fundit, i ka kushtuar një shkrim 3 faqësh këtij fenomni. “Deri në 2015 kërkesat qëndruan poshtë tavanit të 3000, pastaj u rritën me 5172, në 2016, 8351 në 2017 duke e vendosur Shqipërinë në krye të shteteve azilkërkuese”, shkruan e përjavshmja franceze. Krahas shkaqeve si arsyet për të marrë një shërbim shëndetësor më të mirë, apo për t’i shpëtuar hakmarrjes, “Marianne” i referohet edhe shkaqeve që lidhen me gjendjen e vendit tonë. “Ngritja e numrit të azilkërkuesëve shqiptarë në këtë nivel, shpjegohet me depresionin social dhe ekonomik që po kalon vendi”, thuhet në një raport të cituar të Gjykatës kombëtare të së drejtës së azilit. Një tjetër arsye që përmend revista, citohet edhe në një raport të Ministrisë franceze të Ekonomisë dhe Financave të marsit 2018, ku Shqipëria përshkruhet si një vend “I penalizuar nga korrupsioni, me një kriminalitet të madh dhe ku shteti ligjor nuk funksionon”. Pikërisht për këtë, ndonëse që prej vitit 2015 Franca na ka renditur mes “vendeve të sigurta”, pra që nuk përfitojnë azil, kërkuesit nga Shqipëria kanë qenë në qendër të vëmendjes së Parisit. Ish- ministri i brendëshëm i sapo zgjedhur nga presidenti Macron, Gerard Collomb, erdhi në dhjetor 2017 në Tiranë (foto poshtë) për të ushtruar presion për këtë çështje. Edhe ish- kryeministri francez Eduart Philipe në një intervistë të gjatë në shtypin francez tetorin e shkuar, u zotua publikisht për uljen e këtij fluksi emigrator, ndërkohë që parlamenti francez organizoi një debat për rregullimin e këtij emigrimi të nisur nga rastet e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. Po përse për një vend të madh si Franca përbën problem një numër më i vogël se 10 mijë azilkërkues në vit? Pse problemi merr këto përmasa kur vetëm 6% e kërkesave të bëra nga shqiptarët miratohen, ndërkohë që Franca e ka 40 % numrin e miratimeve për të gjitha vendet? Për këtë revista citon Pierre Henrry, ish -drejtor i shoqatës “Franca tokë azilantësh”. Ai shpjegon se emigrantët shqiptarë kërkojnë azil familjarisht dhe sipas ligjit francez ata duhet të strehohen në qendra pritëse. Por ndërsa në to vendet janë të pakta, kjo krijon një shqetësim për administratën deri sa ti kthejë mrapsht në vendin e tyre azilkërkuesit. Një arsye tjetër është se këta azilkërkues shpesh janë viktima të bandave kriminale shqiptare.

 

  •  “Marianne” i referohet edhe shkaqeve që lidhen me gjendjen e vendit tonë. “Ngritja e numrit të azilkërkuesëve shqiptarë në këtë nivel, shpjegohet me depresionin social dhe ekonomik që po kalon vendi”

 

  • Një tjetër arsye që përmend revista citohet edhe në një raport të Ministrisë franceze të Ekonomisë dhe Financave të marsit 2018, ku Shqipëria përshkruhet si një vend “I penalizuar nga korrupsioni, me një kriminalitet të madh dhe ku shteti ligjor nuk funksionon”