McGonigal manipuloi me listën e non-gratave

18
Sigal

Zhvillim i bujshëm nga i SHBA/ Kongresi amerikan pritet të lëshojë fletëthirrje për FBI-në për rastin që ka tronditur politikën amerikane dhe atë shqiptare. Kërkohet të dorëzohet dokumentacionin për çështjen McGonigal të lidhur dhe me Tiranën Zyrtare. Ja pagesat në dosjen shqiptare dhe marrëveshjet për nongratat për llogari të oligarkëve

Komisioni i Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve ka kërcënuar se do të thërrasë FBI-në për një mori të dhënash për Charles McGonigal, i cili është paditur për dy dosje të ndryshme. Në letrën që kreu i komisionit, republikani Jim Jordan i ka dërguar drejtorit të FBI, Christopher Ëray, hidhen dyshime mbi marrëveshjet e fajësisë që po pranon McGonigal në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit. Në dukje kongresi amerikan po thellon hetimet për aferën Rama-McGonigal. Por jo vetëm kaq, në letrën e tij theksohet se McGonigal po lehtësohet nga akuzat në dosjen shqiptare dhe atë ruse, me qëllim që të mos ekspozohet dëmi i shkaktuar në reputacionin e FBI-së. Në letër theksohet se McGonigal kishte premtuar se do të ndërhynte në atë që njihet si lista e zezë amerikane e non-gratave për llogari të një oligarku rus. Më tej, thuhet se pagesat për McGonigal në dosjen shqiptare janë edhe më të mëdha, megjithatë prokurorët po arrijnë marrëveshje fajësie me ish-agjentin e lartë të FBI, duke ia zbutur akuzat. Ky është një zhvillim dramatik për dosjen Rama-McGonigal, ndërkohë që kryeministri shqiptar ndodhet në Nju Jork për një vizitë. Në tekstin e letrës së plotë thuhet: “Komisioni i Gjyqësorit po vazhdon të hetojë akuzat për politizim dhe njëanshmëri në Byronë Federale të Hetimit (FBI). Më 2 shkurt 2023, ne ju shkruam duke kërkuar dokumente dhe informacion në lidhje me aktakuzën federale ndaj Charles McGonigal, ish-agjentit special të ngarkuar me Divizionin e Kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork. Deri më sot, Byroja ka dështuar të bashkëpunojë vullnetarisht me kërkesë të Komisionit. Në dritën e marrëveshjes së fundit të McGonigal për pranimin e fajësisë, në të cilën qeveria ra dakord të heqë disa akuza më të rënda ndaj tij, ne ju shkruajmë për të përsëritur kërkesat tona. Më 15 gusht 2023, në përputhje me një marrëveshje të arritur me prokurorët federalë, McGonigal u deklarua fajtor për komplot për të shkelur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente dhe për të kryer pastrim parash. McGonigal pranoi se kishte kryer kërkime për oligarkun rus, Oleg Deripaska mbi një rival, Vladimir Potanin, në përpjekje për ta futur Potanin në ‘listën e zezë’ të SHBA. McGonigal gjithashtu pranoi se kishte marrë dhe fshehur një pagesë prej 17.500 dollarësh nga Deripaska në vitin 2021, duke e ditur se pagesa shkelte sanksionet që SHBA i kishin vendosur oligarkut rus në vitin 2018. Prokurorët ranë dakord për të hequr akuzat e tjera kundër McGonigal që rrjedhin nga bashkëpunimi i tij me Deripaskën për të shkelur sanksionet e SHBA. Përveç çështjes në vazhdim në Nju Jork, McGonigal përballet gjithashtu me akuza të veçanta në Uashington për ‘fshehjen e marrëdhënies së tij me një ish-punonjës të një agjencie të inteligjencës shqiptare’. Ndërsa pagesa që McGonigal mori nga ish-zyrtari shqiptare është dukshëm më e madhe se ajo që mori nga Deripaska- mbi 225 mijë dollarë- McGonigal thuhet se po punon për të arritur një marrëveshje të ngjashme për pranimin e fajësisë me prokurorët federalë në Uashington. Si shkeljet serioze të McGonigal si një zyrtar i nivelit të lartë të FBI, ashtu edhe mundësia që McGonigal të marrë një marrëveshje bujare për pranimin e fajësisë nga Departamenti i Drejtësisë në të dyja rastet, ngrenë shqetësime të rëndësishme se FBI dhe Departamenti i Shtetit po përpiqen të fshehin shtrirjen e vërtetë të shkeljeve të McGonigal, në përpjekje për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të reputacionit të Byrosë. Prandaj, ne përsërisim kërkesat për dokumente dhe informacione në letrën tonë të datës 2 shkurt 2023, si dhe kërkesën tonë për një informim për këtë çështje. Ju lutem, jepni informacionin e kërkuar dhe organizoni që ky informim të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se data 3 tetor 2023. Komisioni për Gjyqësorin ka juridiksion mbikëqyrës mbi Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në në përputhjen me Rregullin X të Rregullores së Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse refuzoni të dorëzoni vullnetarisht dokumentet dhe informacionin e kërkuar, Komisioni mund të detyrohet të marrë në konsideratë përdorimin e procesit të detyrueshëm”.