Mbi 460 mln paund erdhën cash nga Britania në Shqipëri në 2013

29
Sigal

Eksperti nga Britania analizon shifrat e frikshme të qarkullimit të parave që po investohen në Shqipëri në pasuritë e patundëshme dhe zonat bregdetare. Vetëm në 2023-in , 149 mijë shqiptarë që banojnë në Britani kanë sjellë rreth 600 mln euro cash. Ndërkohë SPAK hap letrat për pronat e politikanëve, bosëve të krimit dhe të drogës. Mbi 3 mijë emra në skaner për pastrim parash dhe lidhjet me trafikantët, pas zbardhjes së përgjimeve të agjevcive të huaja nga viti 2000 deri në 2024

Shi milionash, 460 mln paund ose 600 mln euro vijnë cash nga Britania në Shqipëri

Teksa shqiptarët janë bërë “mbretër” të krimit në Britani, shumë para që fitojnë ata atje, vijnë në vendin tonë. Përmes manovrave në kompanitë e transfertave të parave, në vendin tonë hyjnë nga pika kufitare qindra mijëra euro çdo ditë vetëm nga Britania e Madhe. Ku një rrugë e zakonoshme e pastrimit të parave të drogës, kokainës, është dhe dërgimi i tyre në Shqipëri, duke ua dhënë shoferëve të autobusëve që bëjnë rrugën e Ballkanit. Pas mbërritjes në Shqipëri, sërish investohen në prona të patundshme në zonat bregdetare.

  • Eksperti nga Britania analizon shifrën e frikshme të qarkullimit të parave

Andi Hoxhaj, pedagog në “University College London” duke komentuar vizitën e David Cameron, Sekretarit të Jashtëm britanik, në Shqipëri, tha se problemi i grupeve kriminale në Britaninë e Madhe është shumë serioz.Hoxhaj u shpreh se janë 450 mln paund që vijnë cash në Shqipëri, por ne nuk dimë pjesën tjetër.

Në rubrikën “Çështja e Ditës”, Hoxhaj u shpreh se gjëja më ideale do të ishte që emigrantët të udhëtonin në mënyrë legale.“Një nga investimet që ka bërë Britania e Madhe për të ulur fluksin e emigrantëve nga Shqipëria janë investimet në zonën veriore të Shqipërisë, janë dhënë 7 mln paund si mbështetje për zhvillimin e zonës. A mundet kjo të frenojë emigrimin e paligjshëm kjo mbetet për tu parë”, tha ai.Hoxhaj u shpreh se përsa i takon çështjes së emigrantëve si Qeveria dhe opozita kanë të njëjtat qëndrime, dallimi i vetëm në Britaninë e Madhe, janë politikat që mund të ndiqen. “Në Britaninë e Madhe nuk duan më emigrantë të paligjshëm dhe kjo është evidente në qëndrime si nga Qeveria ashtu edhe nga opozita”, theksoi Hoxhaj.

Ai shtoi se disa nga emigrantët kanë arritur të integrohen, ndërsa ata më të pakualifikuar nuk kanë mundur. “Ndoshta një lloj zgjidhje mund të jenë vizat sezonale”, tha Hoxhaj.

Sipas tij, në Britaninë e Madhe janë 140 mijë shqiptarë, duke përbërë komunitetin e 3-të më të madh të shqiptarëve në Botë.

  • SPAK hap letrat për pronat e politikanëve dhe bosëve të krimit, mbi 3 mijë emra në skaner për pastrim parash

Prokuroria e Posaçme ka futur në skaner pronat e pushtetarëve dhe bosëve të krimit. Paralelisht me hetimet për korrupsion dhe ngjarje kriminale, prokurorët e SPAK po zhvillojnë hetim pasuror thuajse për çdo dosje.

Kjo konfirmohet nga të dhënat e Drejtorisë së Pastrimit të Parave (Agjencia e Inteligjencës Financiare), sipas së cilës Prokuroria e Posaçme dhe disa prokurori rrethesh kanë dorëzuar pranë saj kërkesa për të kryer verifikime mbi transfertat, prona apo llogari bankare për subjekte që ata kanë nën hetim. Bëhet fjalë për mbi 3 mijë emra.

“AIF ka pasur një korrespondencë të vazhdueshme dhe intensive me DPPSH dhe Prokuroritë e vendit, për shkëmbim informacioni dhe reagimin në kohë dhe me efektivitet për rastet nën hetim apo procedim, veçanërisht për rastet e referuara nga vetë AIF. Gjatë vitit 2023, nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm janë dërguar 509 kërkesa për informacion, me të cilat janë kërkuar të dhëna për 3,075 individë/subjekte, për të cilat AIF ka kryer verifikime dhe ka informuar në kohë këto institucione”, theksohet në raportin vjetor të Inteligjencës Financiare për vitin 2023.

Në raport tregohen dhe skemat më të shumta që ndiqen për pastrimin e parave:

Investim në pasuri të paluajtshme në vlera të larta, me burim të paqartë, të panjohur apo të pajustifikuar të fondeve; Blerje pasurish të luajtshme luksi (si automjete në vlera të larta, bizhuteri, ora etj.) jo në përputh- je me kapacitetin financiar të klientit;

Transaksione nga persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale të mëparshme apo lidhje me persona me precedentë; Transferta të dyshimta (në mbërritje apo në dalje edhe në tentativë) me përfshirje të subjek teve/shtetasve të huaj dhe të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës;

Transferta të dyshimta të pajustifikuara me dokumentacionin e duhur me vende të konsideruara me risk apo të cilësuara si ‘parajsa fiskale’;  -Sponsorizime, dhurime, dhënie huaje nga, për të tretë pa u konstatuar lidhje të dukshme që justifikojnë transaksionet mes palëve, apo transaksione me dyshime mbi burimin e fondeve, gjetje negative për palët e përfshira; Veprime financiare të lidhura me dyshime për evazion fiskal/fshehje të ardhurash;

Tërheqjet në vlera të larta, pa argumente të besueshme për arsyen e këtyre veprimeve; Rritje të kapitalit të personave juridik me burim të panjohur të ardhurave apo me element të dyshimtë fiktiviteti; Transferta të mëdha vlerash (brenda dhe jashtë vendit) midis personave juridik të pa mbështetura me dokumentacion të besueshëm, etj.