Marko Bello: Shqipëria është bërë për fat të keq një vend, ku pranohet se ka krim, por jo kriminelë

522
Sigal

INTERVISTA/ Flet deputeti i PS-së, Marko Bello:  Ka pakënaqësi, por fillimi për çdo qeveri nuk është i lehtë

Aktualisht Shqipëria ndodhet në një moment historik. Edhe dy muaj na ndajnë nga qershori, ku vendi ynë do të ketë apo jo fatin të fitojë statusin e vendit kandidat për BE apo jo. Qeveria “Rama” ka ndezur të gjitha bateritë që ta finalizojë me sukses këtë moment kaq delikat të demokracisë së brishtë shqiptare. Por një nga problemet dhe detyrat kryesore që mbetet si “gozhda e Nastradinit’ për politikën shqiptare mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe ndëshkimi i të korruptuarve. Qeveria “Rama” ka denoncuar shumë nga ish -ministrat e qeverisë Berisha 2, por ende nuk shikohet asnjë ish- ministër në bankën e të akuzuarve. Por një problem i madh për PS mbetet dhe lënia në hije e problemeve dhe punësimi i ish- simpatizantëve të hequr nga puna në qeverisjen “Berisha”, të cilët kanë për mëse 7 muaj që presin për t’u rikthyer në punë. Madje, thuhet se shumë herë deputetët e PS-së, ua mbyllin celularët simpatizantëve që punuan muaj të tërë për fushatën e zgjedhjeve parlamentare 2013, ku PS-ja në sajë të saj fitoi bindshëm.

  Sot flitet në media për një korrupsion tejet të pabesueshëm të shumë zyrtarëve të Qeverisë “Berisha 2”, por ende askush nuk dënohet. Çfarë impakti japin në popull akuzat dhe mos dënimet?

 Shqipëria është bërë për fat të keq një vend, ku pranohet se ka krim, por jo kriminelë; ku në të gjitha poret e shtetit gëlon korrupsioni, por vështirë të identifikosh të korruptuarit; ku ka trafiqe, por rrallë herë dënohet ndonjë trafikant. Me pak fjalë, disa peshq të vegjël, por asnjë peshkaqen nuk mbetet në rrjetën e drejtësisë dhe të përfundojë pas hekurave, për t’u përgjigjur për abuzimin me detyrën, ryshfetin, mitmarrjen dhe përvetësimin e pasurisë së vendit. Sot vjedhja është kthyer në art, ndërsa pandëshkueshmëria në sistem, çka ka bërë që qytetarët ta humbin besimin se edhe vendi ynë të mund të bëhet njëlloj si Europa, ku duam të integrohemi. Sigurisht, duhen dalluar sulmet me prapavijë partiake nga faktet, retorika politike bajate nga akuzat e mbështetura dhe të kopsitura në përputhje me ligjet. Në këtë kontekst, mund të them se qeveria “Berisha” u largua me votë plebishitare, edhe për shkak të zullumeve dhe korrupsionit, ndaj është dashur që organet e drejtësisë të kishin bërë drejtësi pa hezitim. Ligjet dhe kodet nuk mungojnë, strukturat dhe institucionet ekzistojnë, kallëzime penale ka patur nga shumë drejtime, por vetëm dënime nuk ka patur. Vetëm në Shqipëri ndodh që prokurorët nuk e shikojnë të arsyeshme të ndjekin penalisht zyrtarët e lartë, duke pushuar hetimin penal gjoja për mungesë provash dhe duke mos u dhënë mundësi gjyqtarëve që të shprehen për çështjen në themel. Bëhen pazare të llojit: më paguaj që ta mbyll dosjen. Nga ana tjetër, ka shumë gjyqtarë të paaftë dhe të korruptuar, sekserë dhe dallaveraxhinj që mbushin oborret dhe korridoret e gjykatave në Tiranë, por sidomos nëpër rrethe, ku nuk bie fare “era” shtet. Përballë kësaj situate pesimiste, qytetarëve të dëshpëruar nuk u ngelet, veçse të bëjnë vetëgjyqësi, duke e komplikuar së tepërmi gjendjen dhe duke e larguar vendin me vite drite larg nga destinacioni që është Brukseli.

 Cila është rruga më e drejtë e dënimit të korrupsionit të ish -qeveritarëve të kabinetit Berisha 2, kur flitet se ka korrupsion dhe fakte (apo ndoshta janë fjalë në erë)?

Sigurisht që, është e lehtë të konstatosh, por krejt e vështirë të japësh rrugëzgjidhje për raste të kësaj natyre. E megjithatë, detyra e politikës është pikërisht të gjejë zgjidhjet më të mira për zhvillimin e vendit, rritjen e mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve të tij. Dihet se në demokraci, politika nuk dënon njerëz, por ajo ka detyrën dhe misionin që të prodhojë ligje të mira, të ngrejë struktura, të ashpërsojë dënimet, kur e kërkon momenti dhe të identifikojë dhe sigurojë mjetet që do të zbusnin plagët dhe shteronin vatrat që prodhojnë krim, korrupsion, trafiqe të paligjshme, varfëri dhe mizerje. Politika nuk lufton dot njerëzit, por ajo mund dhe duhet të luftojë fenomenet negative. Për njerëzit që shkelin ligjin, për politikanët që abuzojnë dhe korruptohen ka organe të specializuara që janë ngritur dhe mbahen me taksat e shqiptarëve. Politika ka përgjegjësi në përcaktimin e kritereve për rekrutimin, emërimin ose zgjedhjen e individëve në postet drejtuese. Sado probleme të ketë shoqëria shqiptare, ajo sërish ka kapacitete dhe është në gjendje “të prodhojë” njerëz profesionistë, me integritet dhe moral të lartë. Të tillë individë duhet të përzgjedhë Kuvendi, si bartësi i sovranitetit të popullit, të tillë personalitete duhet të inkurajojnë dhe mbështesin faktorët vendimmarrës, ku ndër më kryesorët do të përmendja kreun e Shtetit dhe atë të Qeverisë. Nëse ne nuk arrijmë të dënojmë zyrtarët që janë pasuruar në kurriz të shqiptarëve, do të kemi probleme serioze në të ardhmen.

 A mendoni se puna e Qeverisë deri tani ka qenë korrekte dhe ka krijuar premisa për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor?

Do të ishte e padrejtë nëse do të thonim se kjo Qeveri nuk ka bërë mjaftueshëm në këto 6 muaj të para të qeverisjes. Por, pritshmëria ka qenë shumë e madhe dhe kështu mund të shpjegohet përse ka edhe shumë të pakënaqur. Pas 8 viteve të një qeverie të djathtë, e cila në mandatin e saj të dytë shkatërroi më shumë sesa ndërtoi, njerëzit kanë pritur një rilindje të vendit, ashtu sikurse pretendoi Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama. Koha po tregon se vendi ka probleme serioze dhe ato nuk mund të adresohen kaq thjesht dhe aq shpejt. Premtime janë bërë pa doganë dhe tani po kuptohet se disa prej tyre vështirë se do të realizohen ndonjëherë. Vlerësoj përpjekjet e ekzekutivit në drejtim të goditjes së fenomeneve negative, por pres më shumë në aspektin e ringritjes dhe krijimit të vlerave materiale dhe shpirtërore, për të cilat ka aq shumë nevojë shoqëria jonë. Qershori është afër dhe uroj që Qeveria të përshpejtojë ritmin e reformave, me qëllim arritjen e këtij objektivi madhor, sikurse është statusi i vendit kandidat dhe çelja e negociatave për aderim në strukturat e BE.

 Si do ta komentonit sjelljen e Berishës në Parlament, me hapësira kohe thuajse të pakufizuara dhe me fjalor të papërshtatshëm si dhe fjalorin vulgar të disa deputetëve?

Krahasuar me kohën kur Kuvendin e drejtonte znj. Topalli, sot ka një përmirësim të ndjeshëm sa i përket minutazhit në favor të opozitës. Kur socialistët ishin në opozitë, e kanë provuar mbi kurriz padrejtësinë e maxhorancës arrogante të demokratëve, prandaj duhet përshëndetur krijimi i hapësirës dhe kushteve të barabarta edhe për përfaqësuesit e opozitës. Nëse ndonjë prej tyre, sikurse ish-Kryeministri Berisha, abuzon me kohën dhe shkel etikën, mendoj se rregullorja duhet zbatuar me rigorozitet. Për fat të keq, ndodh që kryeministri apo ministrat bien ndonjëherë në “kurthin” e Berishës, duke banalizuar seancat plenare dhe duke iu larguar shumë debatit mbi problemet reale që preokupojnë qytetarët.

  U fol shumë për rrogën e lartë të Guvernatorit të Bankës Qendrore, a janë të miratuara dhe të kontrolluar këto rroga dhe a janë të justifikueshme ato?

Patjetër që edhe pagat e punonjësve në piramidën shtetërore janë rregulluar me ligj, duke nisur me Presidentin që ka pagën më të lartë, deri tek punonjësi i rangut më të ulët. Në rastin e institucioneve që gëzojnë me ligj autonomi, sikurse është edhe Banka Qendrore , duhet theksuar se ato organizohen mbi bazën e statutit të tyre, kanë bord apo këshill mbikëqyrës, i cili cakton edhe nivelin e pagave. Qëllimi është të sigurohet pavarësia e Bankës nga pushtetet e tjera. Pagat në këto sektorë mund të jenë të larta, por gjithnjë duhen mbajtur parasysh kapacitetet dhe fuqia reale e ekonomisë së vendit.

 Flitet në shtyp se e Majta është larguar nga elektorati, se deputetët mbyllin celularët dhe nuk marrin takime, sikundër po vendosen në punë ish -anëtarë të PD-së. A janë të vërteta këto?

 Nuk kam informacion të saktë dhe nuk e di nëse këto zëra janë të vërteta ose jo. Sigurisht që, ka probleme, ka pakënaqësi dhe fillimi për çdo qeveri nuk është i lehtë. Nëse diferenca midis premtimeve dhe realizimeve nuk është e madhe, qeveria mund të ballafaqohet më lehtë me elektoratin në betejën elektorale të radhës. Në të kundërt, rezultatet do të ishin zhgënjyese. Koha është treguesi më i mirë dhe nuk na ngelet veçse të presim dhe shpresojmë që reformat, për të cilat ka aq nevojë vendi, do të kryhen dhe rezultatet do të fillojnë të duken. Është ende shpejt, ndonëse koha në raste të tilla, duket se është e pamëshirshme.