Marko Bello: Për politikën tonë do të ketë “kërbaç” nga BE e SHBA për t’u ndarë nga korrupsioni

179
Ish deputeti socialist Marko Bello, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke theksuar rëndësinë e vizitave të emisarëve të lartë të BE dhe SHBA në Tiranë këto ditë, thekson arësyet përse BE, SHBA dhe Merkel u jep rëndësi Ballkanit Perëndimor, duke u nisur edhe nga konturimi i një rendi botëror, rigjallërimit të koncepteve perandorike të Rusisë, ambiciet e Kinës për të investuar në Ballkan, por më parë duhet siguruar për funksionimin e demokracisë në vendet ballkanike. Sipas Bellos, tani BE dhe SHBA do të përdorin edhe “kërbaçin”, ndaj politikës tonë për t’u ndarë nga korrupsioni e krimi. 
– Zoti Bello cilat janë domethëniet që i dha kancelarja Merkel politikës shqiptare në vizitën e saj në Tiranë?
– Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë ishte shumë e rëndësihme si për dinamizimin e marrëdhënieve bilaterale, ashtu edhe për perspektivën e anëtrësimit të vendit tonë në BE, ku Gjermania është motori kryesor i këtij unioni. Është hera e parë që një kancelar i Gjermanisë viziton Shqipërinë, çka tregon se vetëm tani Boni zyrtar i ka kthyer seriozisht sytë nga rajoni dhe duket se ka ndërmarr një rol parësor për t’i dhënë një shtysë proceseve integruese në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat duket se janë ngadalësuar për një sërë arësyesh që lidhen sa me krizën që ka përfshirë eurozonën, ku dominon ajo greke, ashtu edhe me paaftësinë e qeverive të rajonit për realizuar më shpejt dhe me më shumë efikasitet reformat e domosdoshme që do të na afronin me Brukselin. Shumë pak u bë e ditur nga bisedimet e znj.Merkel me politikanët shqiptarë, por shpresojmë se mesazhi i saj të jetë kuptuar drejt nga klasa politike ballkanike… 
– Këtë javë Shqipërinë e vizitojnë Schluz, Neëland, Kotzias. Cili është kontesti politik i gjithë këtyre vizitave të udhëheqesve të lartë të BE dhe SHBA në Tiranë?
– Kriza që ka përfshirë Greqinë, e cila bashkë me Italinë kanë qënë për 20 vjet dritarja e BE në Ballkan, kritikat e vazhdueshme, por sidomos mungesa e investimeve konkrete nga ana BE duket se i kanë shqetësuar vendet e rajonit, të cilët i tremben një bllokimi të procesit të integrimit. Nga ana tjetër, konturimi i një rendi të ri botëror, sidomos pas pranverës arabe, daljes në skenë të shtetit islamik, rigjallërmit të koncepteve perandorake të Rusisë që u demonstruan me marrjen e Krimesë dhe luftën në Ukrainë, ambicjet e Kinës për të investuar në Ballkan, por edhe dëshira e Turqisë për t’u rikthyer fuqishëm në hapësirat e dominuara dikur nga perandoria osmane, janë vetëm disa prej arësyeve që i kanë bërë aleatët tanë perëndimore, SHBA dhe vendet kryesore të BE-së që të jenë më të vëmendshëm ndaj atij që sot njihet si Ballkani Perëndimor. SHBA dhe BE e duan këtë rajon të integruar në Europë, por jo pa siguruar më parë funksionim të demokracisë dhe konsolidim të institucioneve demokratike në këto vende.
– Të gjithë faktorët ndërkombëtarë si kurrë ndonjëherë i kërkojnë me forcë politikës shqiptare reformën në drejtësi luftën kundër korrupsionit e krimit. Në të vërtetë përtej gjuhës politike e diplomatike çfarë i kërkojnë ata Tiranës?
– Shqipëria, njëlloj si Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia ka perspektivë europiane dhe qëllimi është që këto vende të ndihmohen të anëtarësohen brenda ndoshta një dekade. Që ky objektiv të realizohet duhet që reformat e kërkuara nga Brukseli të realizohen më shpejt dhe me mëshumë guxim. Në disa drejtime gjerat kanë ecur relativisht mirë, por simbioza e krimit me politikën i shqetëson realisht vendet perëndimore. Për hir të stabilitetet, shpeshherë janë mbyllur sytë për një sërë fenomenesh negative, ndërsa tani duket se toleranca do të alternohet me presione. Në vend të kulacit, do të ketë më shumë “kërbaç” me synimin për ta ndarë politikën nga krimi, për ta spastruar administratën dhe gjyqësorin nga të paaftët dhe të inkriminuarit, për të luftuar konkretisht krimin e organizuar, korrupsionin dhe të gjitha fenomenet që kanë cuar në polarizim të frikshëm dhe kontroll të jetës politike dhe sociale nga ana e oligarkëve, të cilët, me paratë e krimit dhe korrupsionit blejnë zgjedhjet dhe riciklojnë të njëjta figura të diskredituara që nuk punojnë për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë vendin dhe qytetarët, por vetëm se si të pasurohen gjithnjë e më shumë për vete dhe klientelën e tyre politike. Edhe mazhoranca që po qeveris Shqipërinë që nga 2013 është duke u vëzhguar dhe monitoruar nga afër prej SHBA e BE, që të kuptohet më mirë nëse ajo është realisht e përcaktuar për ta modernizuar Shqipërinë dhe anëtarësuar atë në BE, apo thjesht kërkon të hiqet si demokratike dhe të vazhdojë avazin e vjetër të politikës, jo si arti i së mundshmes, por si rrugë për tu pasuruar dhe sunduar. 
– Vërtet duhet të vlerësojmë që ngërçi i hapjes së negociatave të Shqipërisë në BE qenka thjesht miratimi në Kuvend i reformës në drejtësi, sikurse u zotua Kryeministri Rama në takimin me Merkel?
– Sigurisht që reforma në sistemin e drejtësisë është tejet e rëndësishme dhe kësaj po i mëshon fort BE dhe SHBA. Shqipëria ka nevojë urgjente për një paketë refromash cilësore që adresojnë realisht problemet dhe nuk kërkojnë thjesht ndërrimin e disa gjyqtarëve apo ndryshimin formal të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Neve na duhet një trupë gjyqtarësh dhe prokurorësh të aftë, që kanë të shenjtë ligjin dhe zbatimin e tij, që nuk ndikohen nga urdhërat partiake dhe nuk vihen në lëvizje nga paraja. Është fakt se deri tani ne kemi dështuar në këtë drejtim, ndaj kjo reformë kërkon konsensus, mbështetje dhe ndihmesë nga vendet partnere. Herët a vonë, Shqipëria duhet të japë prova se është në gjendje të qeveriset në mënyrë demokratike dhe sipas standarteve perendimore. Vetëm atëherë, do të pretendojmë se jemi gati të negociojmë anëtarësimin tonë të plotë në BE. 
– A mendoni se Shqipëria ka bërë progres në arritjen e standarteve që nga marrja e statusit e deri tani sa të pretendojmë ne se duhet të fillojmë negociatat për anëtarësim?
– Do të thosha se ka përpjekje pozitive për të riparuar një sërë difektesh të qeverisë së mëparshme, sidomos në drejtim të forcimit të organeve ligjzbatuese dhe ne ndërgjegjësimin e qytetarëve për detyrimet që ata duhet të përmbushin kundrejt shtetit. Por, vendi ka vështirësi serioze në shumë fusha të tjera, duke filluar nga infrastruktura, procesit i kthimit dhe kompensimit të pronave, rezultatet e dobta në dogana e tatime, mungesa e subvencionimit të bujqësisë, cmimet e larta të energjisë dhe karburantit, mosindeksimi i pagave dhe pensioneve për shkak të inflacionit etj., të cilat i kanë varfëruar më shumë shqiptarët dhe e kanë polarizuar më thellë shoqërinë. 
– A mund të pretendojë kryeministri ynë se duhet që BE të fillojë negociatat me Shqipërinë kur ndërkohë Shqipëria “prodhon” azilantë dhe kemi drejtësi të korruptuar?
– Rritja e numurit të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e BE është treguesi më kokëfortë se vendi përballet me probleme reale që lidhen me papunësinë e lartë, varfërinë dhe mungesën e perspektivës tek të rinjtë, të cilët shikojnë si shpëtim largimin nga vendi. Mjafton kaq për t’i bërë qeveritë shqiptare më modeste, më kokëulura në raport me zgjedhësit e tyre, të cilëve u kanë bërë premtime pa doganë. Shqiptarët dinë të bëjnë dallimin midis mundësive reale dhe demagogjisë elektorale, ata dinë edhe të durojnë e të presin disa vite për të parë rezultatin e reformave që duan kohë. Por, ata nuk mund të pranojnë politikat selektive, padrejtësitë dhe klientelizmin politik. Kryeministri dhe ministrat duhet të punojnë më shumë dhe të shfaqen më pak, duke gjetur ekuilibrin e nevojshmëm midis thelbit dhe formës. Një qeveri që punon, njëlloj si malli i mirë nuk ka nevojë shumë për reklamë.
– Pavarësisht apelit të ndërkombëtarëve që partitë të mos kandidonin persona të inkriminuar në 21 qershor sipas jush cila do të jetë tani e tutje kostoja politike? 
Kandidimi i individëve të inkriminuar ose me të kaluar kriminale në zgjedhjet e përgjithshme apo ato lokale është një nga papërgjeshmëritë më të mëdha të politikës që nga rënia e sistemit komunist, çka i ka sjellë vendit dëme kolosale, ndërsa shoqërisë modele që asnjë shoqëri tjetër demokratike nuk do të kishte guxuar as t’i mendonte. Partnerët tanë ndërkombëtarë ua kanë bërë të qartë drejtuesve të partive politike që t’i mbajnë sa më larg elementët me të kaluar kriminale, edhe pse duket se shqetësimi i tyre nuk është vlerësuar sa duhet nga ana e politikanëve që kujtojnë se janë të plotfuqishëm dhe të përhershëm…Kur gjerat të kthehen në shtratin e tyre normal, pra kur politika të kthehet tek qytetari që ai të zgjedhë lirisht midis kandidatëve të kulturuar dhe plot pasion për të shërbyer në sektorin publik, liderët që guxuan të nëpërkëmbin vlerat universale dhe stimulojnë veset, do të përfundojnë pa mëshirë në koshin e historisë.