PPP-ja e re: 281 milionë euro për 17 km rrugë, rekord evropian!

580
Sigal

zbardhen 2 koncesionet e pakërkuara të rrugëve, që do të miratohen pak ditë para diskutimit në Kuvend të projektligjit për ndalimin e PPP. Segmentit Milot-Balldren i shtohen 21 milionë euro nga projekti i parë dhe rrugës Orikum-Dukat 50.5 milionë euro për 14,7 km rrugë dytësore. Përveç kompanive koncesionare janë krijuar edhe 2 shoqëri aksionere

Zbardhen 2 PPP-të e rrugëve. Orikum – Dukat dhe Milot-Balldre, ku 21 milionë euro i shtohen nga projekti i parë

281 milionë euro për 17,2 km rrugë në fushë, rekord evropian!

Qeveria nuk ka të ndalur në dhënien e koncesioneve, edhe pse në sirtar ka një projektligj, që kërkon të ndalë koncesionet e pakërkuara nga muaji korrik 2019. Mirëpo, qeveria, deri në korrik të 2019 do të japë gjithçka që akoma ka mbetur nga pasuria e Shqipërisë pa u dhënë me koncesion, që pasandaj, të miratojë ligjin që çfarë krunde e thërrime që i kanë mbetur të shkretës Shqipëri, të mos e japë më me koncesion. Qeveria, nëse do të kishte transparencë në ligjet që harton e miraton, do ta kishte miratuar projektligjin e mosdhënies së koncesioneve të pakërkuara, që në vitin 2018, kur ishte planifikuar. Mirëpo, ndoshta ishin interesat e mëdha të disave, që detyruan qeverinë të mbajë të kyçur projektligjin për koncesionet, ndërkohë, të japë sa më shumë e çfarë të mundë koncesione të pakërkuara.

Rekordi: 16.6 milionë euro për 1 kilometër

Kohë më parë, nga ministria e Infrastrukturës kishin dalë informacione që kjo ministri kishte përgatitur një koncesion për të dhënë rrugën Milot – Balldren me koncesion, ku shuma ishte parashikuar që të kapë vlerën e 161.5 milionë eurove. Edhe pse zyrtarisht këto kontrata nuk konsiderohen si borxh publik, ato janë detyrime për të cilat Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera kanë kërkuar me këmbëngulje gjatë viteve të fundit që të llogariten në të. Reagimet e shumta e detyruan ministrinë e Infrastrukturës, që ta shtynte koncesionin. Mirëpo, këto ditë është bërë e mundur zbardhja e vendimit të qeverisë për ta zbatuar koncesionin. Projektimi, ndërtimi dhe mirëmbajtja 13-vjeçare për rrugët Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat do të kushtojë rreth 281 milion euro. Pra, për rrugën Milot Balldre janë shtuar 21 milionë euro më shumë nga projekti i parë. Televizioni SCAN ka zbardhur kontratat e Partneritetit Publik-Privat për 2 veprat e mësipërme, të cilat tashmë janë miratuar në qeveri. Askush nuk mund të shpjegojë kur u bë prokurimi, cilët ishin konkurrentët e këtij koncesioni. Sipas relacionit shpjegues për Milot-Balldren, pas negocimit të kontratës, vlera totale e projektit e dakordësuar ndërmjet palëve është 213,665,040 euro, pa TVSH. Ndërkohë që, kompania ANK Shpk, që do të zbatojë punimet u shpall fituese e projektit me vlerën prej 161.5 milion euro. Struktura e financimit për këtë vepër parashikon marrjen e një huaje bankare prej 70,000,000 euro, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare dhe do të përdoret tërësisht për të shlyer detyrimet që lidhen me ndërtimin e këtij aksi rrugor. Financimi nga furnitorët do të jetë në vlerën 19,500,000 euro, ndërkohë shoqëria do të investojë nga kapitali i saj shumën prej 52,000,000 euro. Sipas propozimit të rishikuar financiar, norma e interesit e llogaritur për gjitha burimet e financimit të përcaktuara më sipër është 5%. Në kontratën e propozuar për miratim përshkruhet ndërtimi i një rruge prej 17.263 km, e cila shtrihet përgjatë aksit të rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren, ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës. Ndërkaq, për aksin Orikum-Dukat,e fituar nga kompania “Gjikuria” me ofertë prej 50.5 milion euro, do të investohet nga kapitali i shoqërisë shuma prej 21 771 548 euro. Struktura e financimit përfshin një hua bankare prej 25 585 166 euro, e cila gjithashtu do të merret nga një ose më shumë institucione financiare. Pagesat vjetore nga buxheti i shtetit, që do të fillojnë në vitin e dytë të projektit, do të jenë 2 113 000 euro dhe deri në vitin e trembëdhjetë me 1 896 171 euro. Gjatësinë e rrugës së propozuar në këtë kontratë është 14.7 km. Ajo që bie në sy në të dy kontratat e nënshkruar është fakti se përveç kompanisë koncesionare, “Gjikuria” dhe ANK Shpk”, janë krijuar edhe shoqërisë aksionere, përkatësisht “Rruga Orikum-Llogara” dhe “Bardh Konstruksion”, të cilat janë palë në kontratat e nënshkruara me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkaq, sipas legjislacionit të ri, 2 dokumentet e miratuara në qeveri do të duhet të marrin edhe miratimin e parlamentit përpara se të hyjnë në fuqi.