Pas lirimit të shtetasit nga Kosova, Shuaip Zukaj, i cili ishte i dënuar me 20 vite burg, sot janë shkarkuar nga detyra tre inspektorë të burgut të Shën Kollit.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tha se për këtë çështje ka një hetim nga Prokuroria e Lezhës dhe sa i përket shkarkimit të tyre është gjëja më minimale që mund të bënte. “Duhet të respektoj deri në pikën e fundit një hetim që ka nisur tashmë. Është çështje që meriton hetim të plotë. Sa i takon shkarkimeve, as më dridhet dora fare, jo tre inspektorët e SHKB që kanë fjetur gjumë, por edhe të gjithë është minimumi që duhet të bëj, ti shkarkoj nga puna”, tha Manjani. Administrata e burgut në Shën Koll të Lezhës, liroi nga qelia pa vendim Gjykate një të dënuar me 20 vjet burg për akuzën e vrasjes në Kosovë. Shuaip Zukaj, i njohur ndryshe edhe me emrin Shaban Zukaj nga Deçani i Kosovës, është liruar nga burgu i Lezhës.



















