Manipulimi i provave nga Kuvendi, Meta: Kriminale! Nesër padi në Prokurori

247
Sigal

Pas përfundimit të seancës në Gjykatën Kushtetuese dhe publikimit të fakteve që provojnë manipulimin e provave nga Kuvendi i Shqipërisë, presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për mediat. 

Kreu i shtetit paralajmëroi se nesër do të dorëzojë në Prokurori një padi ndaj Kuvendit.

“Kemi të bëjmë me një falsifikim të shkresës nga Parlamenti që është një gjë e rëndë dhe kriminale”, u shpreh Meta.

“Në orën 09:00, nesër, në faqen zyrtare të Presidentit do jenë të publikuara 72 pyetjet dhe përgjigjet. Do t’u përgjigjem disa prej tyre që besoj se kanë interes për ju. Ne do të dorëzojmë padi pasi është gjë shumë e rëndë dhe kriminale që në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vend Kuvendi të dorëzojë një provë gjoja të re, që është falsifikim për të justifikuar dhunimin e procedurave në këtë proces farsë që synon kapjen e institucionit të Presidentit”, tha Meta.

***

Më herët në një konferencë për shtyp, këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj akuzoi Kuvendin për shkelje të rënda të Kushtetutës, të ligjit dhe rregullores së Kuvendit, si dhe për falsifikim dokumentesh në procesin e nisur për shkarkimin e presidentit Meta.

Dervishaj tha se Kuvendi manipuloi provat shtesë që i paraqiti në gjykatë pa ia kërkuar njeri.

“Veç shkeljeve të rënda të Kushtetutës dhe ligjit dhe të rregullores së Kuvendit dhe të gjithë parimeve kushtetuese të kryera nga Kuvendi në procesin hetimor të iniciuar naj kreut të Shtetit një prej shkeljeve ishte dhe fakti që në datën 7 maj 2021 kur u zhvillua seanca plenare për miratimin e ngritjes së komisionit hetimor dhe miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve Kuvendi veç të tjerave kishte konsumuar dhe tre shkeljeve. Shkelja e parë kishte të bënte me përcaktimin e rendit të ditës dhe bërjen publik të tij më vonë se dy ditë përpara, kërkesë e rregullores së kuvendit. Rendi i ditës ishte caktuar nga ish-kryetari i Kuvendit në datën 6 maj 2021 për në datën 7 maj 2021. Kuvendi po thirrej për një afat më pak se 24 orë. Shkelja e dytë ishte se në rendin e ditës nuk kishte dy çështje por kishte një, ndërkohë që seanca plenare të nesërmen përpos shkeljes së parë mori dy vendime, duhet të kishte dy çështje në rend të ditës dhe jo një. Shkelja e tretë ka të bëjë me faktin se referuar rregullores së kuvendit nuk kishte kërkesë dhe as vendim nga Kuvendi që të vendoste shtesa në rendin e ditës”.

Dervishaj tha se më 6 maj 2021 u firmos urdhri për thirrjen e seancës plenare për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor. Që të thirrej në këtë datë duhet që raporti për këtë vendim të ishte miratuar 48 orë më parë, pra në datën 5 maj.

Sipas tij, mbledhja e Komisionit të Ligjeve është bërë më 6 maj 2021, ndërkohë që në dokumentin e dorëzuar të premten e kaluar është bërë një falsifikim dhe thuhet se urdhri për miratimin e raportit të këtij komisioni është bërë më datë 5 maj 2021.

“Kur Presidenca bëri parashtrimet me 3 shkurt 2022, Kuvendi e ndjeu veten të dobët dhe menjehërë aktivizohet me 4 shkurt 2022 dhe depoziton në Kushtetuese provë shtesë. Provat shtesë Kuvendi ia depozitoi Gjykatës pa ja kërkuar njeri. Ky është veprimi më i rëndë i Kuvendit që i gjetur disa herë në paligjshmëri në atë proces shkarkimi të nisur për Kreun e Shtetit tenton deri aty sa të manipulojë dhe një provë që nuk ja kërkon njeri, e bërë publike prej tij 8 muaj më parë. Institucionalisht jemi shumë të tronditur”.

Teksa publikoi dokumentet që sipas tij vërtetojnë këtë falsifikim ai tha se në urdhrin që Kuvendi e dorëzoi në datën 4 shkurt 2022 janë bërë disa ndryshime në thelb.

“Të gjitha këto veprime të Kuvendit nuk ka sesi që kemi të bëjmë me një manipulim prove. Kuvendi kërkonte të justifikonte në Kushtetuese se Presidenti gaboi me pretendimet se ishin në shkelje të afateve për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe për miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve”.

Përfaqësuesi i presidentit Ilir Meta, Bledi Dervishaj deklaroi se presidenti do ti drejtohet prokurorisë pasi Kuvendi depozitoi prova shkresore të manipuluara vetëm që të rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit.

“Pse ndryshimi i datës 6 dhe 5? Mos ishte lëvizje e Kuvendit për të rrëzuar pretendimet e Presidentit”.

*** 

Gjykata Kushtetuese u tërhoq sot për të marrë një vendim rreth kushtetutshmërisë ose jo të kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e presidentit Meta. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për shkarkimin ose jo të Presidentit të vendit, Ilir Meta do të jepet brenda 30 ditësh.