Mandati i Arben Ndokës, Këshilli i Imuniteteve mblidhet javën e ardhshme

455
Këshilli i Rregullores dhe Imuniteteve do të mblidhet javën e ardhshme për të shqyrtuar çështjen e mandatit të deputetit Arben Ndoka. Kjo u bë e ditur sot nga nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi, në përgjigje të interesimit të deputetes së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Gjatë seancës së sotme, ish-nënkryetarja e Kuvendit pretendoi se Arben Ndoka, që e ka njoftuar dorëzimin e mandatit në fillim të muajit shtator, zyrtarisht nuk e ka dorëzuar atë në parlament. Topalli kërkoi shpjegime për këtë çështje nga kryeministri dhe drejtuesi i seancës së parlamentit.

“Nëse në fillim të shtatorit kemi pasur një dorëheqje nga një deputet, sot po e shohim se kjo dorëheqje nuk është depozituar në parlament. Si mundeni ta gënjeni opinionin politik e publik, por dhe partnerët ndërkombëtarë, pse kryeministri nuk jep shpjegime, pse maxhoranca hesht?’ pyeti Topalli, gjatë fjalës së mbajtur në seancë. Deputeti socialist Arben Ndoka, njoftoi më 7 shtator përmes një letre drejtuar grupit parlamentar, dorëheqjen nga mandati, pas akuzave të përsëritura ndaj tij si i përfshirë në trafikun e prostitucionit në Itali.
Sigal