Majlinda KETA:Vetëm 41 ditë e ndajnë Shqipërinë nga zgjedhjet e 23 Qershorit

525
Sigal

Intervista/ Flet Majlinda KETA, pedagoge e Shkencave Sociale

A është e gatshme Shqipëria për to?

Më vjen mirë që ju datoni ndërsa unë përtej datimit them se Shqipëria po shkon më shumë se e gjymtuar në zgjedhje, por jo invalide. Ne ende kemi një KQZ të gjymtuar, pa anëtarët në normalitet kushtetues dhe me KOD, por të mjaftueshme në numër për vendimmarrje. Për mua është e pafalshme për ‘Politikën e Minutës së Fundit’, që kur për herë të parë Komisioni drejtohet nga një grua, politika e ngërçit gjen mënyrat dhe sebepet për të mos i ofruar lehtësim dhe mbështetje, por pengesa dhe bllokim. E ndërkaq  ajo zonjë, si çdo grua në drejtim e vendimmarrje, vijon me këmbënguljen dhe përgjegjësinë femërore për të na kujtuar ne të gjithëve që, “vetëm gratë” po e bënë këtë vend sepse burrat e përgjegjësive kanë humbur. Nën këtë gjymtim të institucionit përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve ne na është gjymtuar një Zë Institucional, Presidenca, që nuk foli as për verifikim figure të deputetëve dhe as për certifikatë të deklarimit të pasurive të deputetëve të parlamentit me më shumë miliarderë se kurrë, tash së fundmi dhe me kryepedagogun e procesit të edukimit “Si të bëhesh milioner”. Gjymtimi institucional, që ende vazhdon pas Kushtetutës dhe Kodit Elektoral të dhunuar në 2008-ën, ligjëroi Listat e dy Kryetarëve të dy partive të mëdha dhe koalicioneve të pazareve politike, të cilat përtej flakjes së normimit për përfshirjen e kuotuar të grave në përfaqësim kanë flakur dhe profesionistët për t’u kthyer për herë të parë në historinë e Parlamentarizmit Shqiptar si Listat që normojnë nepotizmin në Parlament. Pra u kap në nepotizëm të “ligjëruar”dhe i fundit pushtet pas atyre tre të tjerëve, ekzekutivit, gjyqësorit, medias në demokraci.

Ne pas 22 vjetësh shkojmë të gjymtuar në faktorin kryesor të cilësisë legjislative, loja parlamentare, pasi në Shqipëri nuk ka më Parti Demokratike Politike në konkurrim programor, por ka Privatizime të mëdha politike që synojnë të kapin tenderin e radhës në kohë krize. Pra, edhe kushtet e produktit të tenderimit janë të gjymtuara se janë produkte krize te brendshme ku po humb demokracia, vendimmarrja dhe dëgjimi i zërit publik po aq sa reklama false e mediave të blera dhe të tej dhunuara do helmatisë e gjymtojë mendjen e votuesit për zgjedhje. Kjo, filluar me dilemën “Të shkoj apo mos të shkoj për të votuar”, deri tek, “Vota për atë që paguan më shumë”.

Ne shkojmë të gjymtuar në produkt shërbimi nga deputetët dhe Parlamenti se Listarët e Kryetarëve janë përpjekur për t’i bashkuar në skuadër jo se kanë vlera për kandidim bazuar në ideal politik, fuqizuar nga profesionalizëm kontribuues në model shtetbërje dhe ligjrespektuese, tokëzuar ATJE, ku morali familjar, kontributi profesional e intelektual me zë publik, mbështetja publike, domosdoshmëria e përfaqësimit për fushë dhe vendlindje i takojnë individualisht dhe bashkëmbështeten tek njëra-tjetra. Një pjesë e tyre do shkojnë ‘Pa ZË’ po aq sa një pjesë tjetër ‘Pa TRU’.

E vetmja pjesë e bukur e pagjymtuar vazhdon të mbetet “Askush nuk jep llogari aty ku e mori mandatin”, “Pozita sfilon dhe ripremton”  po aq sa “Opozita domosdoshmërish pushtetin e kërkon” paçka se shifrat nga shpirti dhe letrat akuzojnë sfilatën e luksit të kësaj sojsëz politike në kohë krize të një popullate që po shkon drejt “anormalitet të qëndrueshëm funksional” nga arsimi tek mjedisi politik konkurrues me shpenzime, diskurse politike e kolona zanore institucionale larg kushtetutshmërisë dhe etikës në komunikim.

Personalisht ndjehem keq si votuese e listuar në një listë me gojëdhëna urbane të siamezëve dhe 999-ve, ndjehem tmerrësisht keq si grua, nënë, punonjëse e arsimit, po aq sa si preferente e programeve të majta për progres, nën shqiptarizmën e shekullit të 21 dhe proceseve integruese europiane në domosdoshmëri.

 Përtej këtij gjymtimi, çfarë janë për Majlinda Ketën e politikës rastet e mospërfshirjes dhe përjashtimit nga listat e partive respektive të Malaj, Isaraj, Demi, Bejo, Marku, Minxhozi, Gjoni etj….?

Ky është kryealarm, jo se disa vende në parlament nuk duhet të rifreskoheshin në emër të funksionalizmit të Parlamentit apo identiteteve të Partive Parlamentare, por sepse brenda atij Parlamenti të ardhshëm dhe qeverisjes të pas 23 qershorit ne nuk do të kemi mundësi t’i qasemi filozofisë obamiste që konkurrentët në parti të Kryetarëve Fuqiplotë të bashkëkountribojnë dhe bashkëqeverisn shtetin në stilin Obama-Hillari:

-Sepse pas 23-shit do ketë shumë më pak Zë Profesionistësh për ruajtjen e institucioneve te pavarura tashmë të kapura në pavarësinë e tyre nga pazaret politike të 2 të mëdhenjve;

-Sepse deri më 23 ne na ka humbur shansi për t’i besuar partitë si me demokraci funksionale e në identitet pasi zëvendësuesit e tyre në lista nuk janë më konkurruesit me identitet politik e profesional nga zëvendësuesit që i tenderuan Kryetarët, por janë të kapur pa u kapur edhe parlamentarisht;

-Sepse drejt votës nuk do na udhëzojë besimi për drejtësi e antikorrupsion, pasi në premisë Parlamenti është kapur nga nepotizmi dhe mostransparenca e subjekteve dhe parave të fushatës;

-Sepse unë dhe shumë si unë nuk do shohim të modeluar demokracinë, por autoritarizmin e injektuar dhe urdhëruar nga Kryetarët Fuqiplotë të partive;

-Sepse mua nuk do të mund të më gjenerojë më shumë se sot Parlamenti gjuhën e progresit  europian të vendit pasi erdhën jashtë standardit dhe antistandarde do prodhojnë;

-Sepse mua dhe studentëve të “Etikë në administratë e lidership” nuk do më prodhojë më referenca “casus” diskursi politik gjatë dhe pas fushate pasi procesi para dhe pas zgjedhje është kapur përfundimisht nga amoraliteti individual, si grup, partiak dhe kolaboracionist që si justifikim e mbështetje të së ligjshmes në bërje ka martesën part time për dhunimin e Kushtetutës dhe të Kodit Elektoral 2008-të, dhe që brenda saj gllabëroi moralin tim në protestën qytetare dhe të partive të vogla në sheshin “Skënderbej” dhe grevën e deputetëve tashmë të listuar të gjithë në këtë maskaradë të gjymtimit elektoral.

Ndjehem e tradhtuar moralisht, profesionalisht dhe politikisht për gjithçka bëra, thashë e shkruajta edhe këto 4 vite për të rishëndoshur Kushtetutën dhe Kodin e dhunuar në 2008-ën, për të demokratizuar të majtën time, për të fuqizuar mbështetjen e përfaqësimit të gruas në Parlament, për të mundësuar një qeverisje posparlamentare me moral e profesionalizëm që arsimin tim të dashur, nën këto kushte të gjymtimit individual, politik e shtetëror ta shohin e ta trajtojnë nën filozofinë e Kantit “…Djemtë (dhe vajzat, MK) duhet të edukohen jo pas cirkostancave të sotme të kombit (shtetit, MK) po pas nevojave te ardhshme të përparimit shoqëror” pasi e di që arsimi sërish do përfundojë tek politizimi dhe aprofesionalizmi i heshtanakëve të politikës së vjetër të ngërçit institucional, por “Pro Kryetarit” ndërsa unë do vazhdoj edhe në 4 vite të tjera të shprehem e shkuaj si Branko Merxhani “Jo mballoma”, pasi dhe ky radhës Parlament është i kapur nga mungesa e idealit, programit zhvillonjës në përgjegjësi palësh po aq sa nga mungesa e qytetarisë në komunikim dhe a profesionalizmi i listarëve heshtanakë në demokraci dhe militant në autoritarizëm Kryetari.