Majlinda Keta: “Mungon alternativa opozitare për rotacionin e pushtetit”

545
Sigal

INTERVISTA/ Pedagogia, Majlinda Keta, aktiviste e “Lëvizjes Nano”: “Politika hesht,  ndaj raportit të OSBE-së, e fajësuar për realitetin e dështimeve”

E majta është në një provë të vështirë, sidomos pas 8 vjetëve të qeverisjes Berisha. E majta duket e pafuqishme që të fitojë, edhe me gjithë lodhjen e qeverisë, e konsumuar më shumë nga korrupsioni, se sa nga dështimet ekonomike. Pedagogia dhe aktivistja e “Lëvizjes Nano”, zonja Majlinda Keta, në intervistën për “Telegraf” argumenton se opozitarizmi i majtë po degjeneron në një opozitarizëm anti-Berishë. Kjo, sipas zonjës Keta, “aleatët strategjikë të PS-së brenda të majtës ndjehen të pakonsideruar nga Rama dhe  nuk pranojnë inkoherencë programesh e qëndrimesh në fusha e terrene, ku e majta sfidon bindshëm”. Nga ana tjetër, sipas zonjës Keta, vetë PS-ja është e përçarë, dhe ka filluar një lëvizje e re: “Duam PS-në, pa Edi Ramë”.   Zonja Majlinda Keta shprehet, se, ” më shumë se  PS-ja në elektorale, duhet filozofi e opozitës së bashkuar për 2013-n”.

– Si e shpjegoni, që ndonëse është publikuar raporti i OSBE-së për ecurinë e 12 prioriteteve, palët politike heshtin? Dhe ca më shumë, përse hesht edhe opozita?

– Publikimi është 1 moment, por përtypja është më e vështirë. Politika shqiptare ndjehet në vështirësi përtypje të kësaj cilësie raportimi. Edhe gjuha e tij kish ndryshuar nga të tjerët. Kjo heshtje zbuloi se palët nuk janë mësuar, ose më saktë, nuk e kanë pritur që të kishte më në fund një Raport Realist, tepër agresiv, që gishtin do ta vinte  në fajësimin e klasës politike, që zvarrit në teka e kokëfortësi përmbushjen e 12 prioriteteve. Ky lloj raporti është një letër lakmuesi edhe për gjendjen se si ndjehen ndërkombëtarët institucionalë, me cilësinë e ecurisë së përmbushjes institucionale të prioriteteve për Shqipërinë. Heshtin, pasi kanë lexuar qartazi fajësimin në të dy krahët e politikës dhe kjo nuk i ka dhënë shkas shumë që t’i hidhen deri në “kacafytje” njëri -tjetrit. Ato heshtin, pasi “duke heshtur” pas vdekjes, të mund të kapin të paktën vjeshtën me kushtëzime. Nga ana tjetër, gjuha e përdorur, shkalla e analitikes në të tregon “nervozitetin” që i ka shkaktuar ndërkombëtarëve thellimi në vazhdë  i hendekut mes  midis dëshirës maxhoritare të shqiptarëve për të jetuar ndryshe, me dhe në standardet e familjes europiane  dhe klasës politike, që përmes papërgjegjshmërisë për cilësinë e përmbushjes së 12 prioriteteve, tregon se është në kah të kundërt me këtë dëshirë. Mua personalisht më pëlqeu gjuha e ashpër e Raportit. Shkrimit nën anemizëm dhe me  ngjyra rozë nga ndërkombëtarët dhe Shqipërinë 2012 duhet të jenë të tejkaluara, e kanë humbur efektin mbi këtë lloj klase politike po aq sa dhe për shqiptarët e përgjegjshëm ndaj fateve të vendit. Të dy palët e politikës janë dhe duhet të ndjehen kokulur para këtij Raporti. Opozita foli me një ekspozitë në Bruksel! Absurde si konceptim në raport me gjuhën e Raportit dhe gjendjes në elektoral. E diskutueshme, kur raporti shpreh një shtet të brishtë demokratik, jo funksional në këtë 100 vjetor të pavarësimit të këtij kombi. Më duhet të bëj një pohim, pas kësaj analize empirike, pas 100 vitesh. NE jemi më të pavarësuar në qenësi identitare kombëtare, por më të varësuar nga cilësia e keqe e të bërit politikë nga kjo  klasë politike. Dhe kjo, në drejtim të kundërt me parimin e të  shërbyerit ndaj shqiptarëve dhe shqiptarizmit.

 – Mund ta vlerësojmë konstruktiv rolin e opozitës në dhënien e konsensusit për ato reforma që janë pjesë e 12 prioriteteve të BE, gjersa pohohet që, edhe pse u votuan, reformat nuk arrijnë standardet demokratike të dëshiruara?

– Opozita vazhdon me inkoherencën në qëndrim që nis me bllokim, zbutet me një komision dypalësh dhe e jep se e kërkojnë apo presionojnë ndërkombëtarët. Më thoni ju ku është opozita si alternative e pritshme e një rotacioni pushtetesh? Ku janë shqiptarët dhe dëshira e tyre, për të prodhuar dhe pranuar edhe standardin e të bërit opozitë për zhvillimin e vendit, si pjesë standardeve që duhen përmbushur për t’u pranuar në  familjen europiane? Më thoni se kujt i duhet një produkt, as djalë e as vajzë, kur kujdesi dhe angazhimi për hapat e radhës nuk pranojnë qëndrime dualiste, por vetëm 1 në të mirë të progresit të reformave? Standardet europiane, që  duhen shqiptarëve të përmbushin, nuk mund të jenë të ofruara në inkoherencë qëndrimesh dhe pazotësish opozitare, por duhen të tilla dhe aktive për ta kthyer situatën në favor të fitores së tyre. Unë them kjo cilësi opozite politike dëmton vetë opozitarizmin. Opozitarizëm gjen më shumë në gazeta, revista dhe institucione shkencore, se sa konceptimi i kësaj lloj opozite politike. Mbi të gjitha këto, duhet rivlerësuar koncepti i “Opozitar i majtë” pasi çdo gjë po tentohet të fokusohet dhe të shprehet vetëm  me një emër,  “Opozitë anti-Berishë”. Kjo, pas 20 viteve majtizëm në  demokraci, nuk ka sens, nuk mund të pranohet. Është diletantizëm politik.

 – Një status kandidat pa  arritje të standardeve demokratike, a u shërben shqiptarëve?

– Më tepër më duket si dhuratë e ndërkombëtarëve për 100-vjetorin e Pavarësisë, se sa shërbim për shqiptarët. Mjafton të ndjekësh çfarë shqiptarët shprehin në media dhe rrjete sociale, që të besosh se asnjë shqiptar nuk është i kënaqur me këtë ecuri të Shqipërisë, nga kjo klasë politike. Moneja i madhe pat këshilluar: “…për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve (në Europën e 2 luftërave botërore) duhet ndryshuar shpirtrat e njerëzve…..”. Ndaj, këtij ideali europian dhe dhënies së një statusi të kushtëzuar, ka shumë hendek, që do të duhen shumë vjet dhe do të na duhet të menaxhojmë edhe shpirtra të lodhur shqiptarësh në raport me idealin europian. Nga ana tjetër, do të jetë një alibi për politikën e Elektoraleve 2013-të. Krahas këtyre, duhet konsideruar edhe ulja e krediteve të ndërkombëtarëve në përgjegjësinë ndaj shqiptarëve, përmes një “Ok” debulant e me kushtëzime.

 – Fushata elektorale e 2013-s, ka filluar nga PS-ja me të ashtuquajtur “politikë e tokës së djegur”, e ndërkohë jepet premtimi (elektoral) që sa të marrin pushtetin, do të ndodhë ndryshimi i menjëhershëm ekonomik. Veç të tjerash, kjo politikë a dëshmon për mungesë vizioni të politikës ekonomike të PS-së?

– Më shumë se një frazë, ku lidhet gomari PS-së i duhet një filozofi e të bërit opozitë ndryshe këtë vit elektoral. Më shumë se  PS-ja në elektorale, duhet filozofi e opozitës së bashkuar për 2013-n.  Nuk ma ha mendja që kjo shprehje, “politikë e tokës së djegur”, do pranohet kjo filozofi e opozitës së bashkuar, të shprehur alternativën në konkurrencë me pushtetin 8 vjeçar të Berishës. Ndryshimin e menjëhershëm ta harrojë PS-ja dhe Berisha, pasi të dy palët duhet të jenë të orientuar drejt në masat antikrizë në kushtet e një deficit buxhetor në limit, apo tejkalim limiti. Nuk po ka ndryshim të menjëhershëm në Greqinë fqinje, ku është ngritur Europa dhe menaxhohet evitimi i dështimit të familjes euopiane, jo ne këtu që mbushim buxhetin dhe kalojmë “krizën” e momentit me shitje të mëdha të pasurisë tonë, por që mund t’i japin “imunitet ekonomik” Berishës me platformat e djathta të ekonomisë. Për një gjë më vjen keq që në Opozitën e Majtë, në PS-në që pretendon lidershipin e saj, akoma nuk thirren dhe nuk respektohen të gjithë bashkë ekspertët e provuar në sukses, duke bërë që diferenca mes tyre të vijë nga cilësia e ekspertizës. Meqenëse ekonomia është pjesa më e ndjeshme publike në këto kushte krize, duhet filluar me ato për të prodhuar një Platformë Koherente, të bashkëvotuar dhe konkurruese për Elektoralet 2013-të. Dhe kjo është një deficiencë e shprehur hapur për të gjitha fushat, sidomos aty ku sfidon një program i majtë, arsimi, shëndetësia apo shërbimet sociale.

– Cilat kritere politike do të përcaktojnë balancat e aleancave partiake në fushatën e 2013-s?

– Për mua kriteri i parë duhet të lidhet me Aleancat e Integritetit, që do të thotë aleat mund të pranosh këdo që në alternativë platformash prodhon jetën e sigurt dhe në prosperitet të popullatës shqiptare. Së dyti, atë që në vendime e në alternativë programesh bashkëngjitet për të falur  shpejtësi më të madhe në procesin në vazhdë atë të anëtarësimit të vendit në BE, përmes detyrave precize që ne kemi. Së treti , aleancat duhet të kenë moralitetin brenda spektrit politik. Rasti i Partisë Demokristiane, në këto momente që flasim, risjell edhe një herë në fokus faktin se qënia në pushtet përbën vlerën kryesore për është për këtë klasë politike dhe jo shërbimi përmes programeve e mbështetjes për to nga elektorati shqiptar.

– Siç është deri sot, mundet PS-ja, kryetari i saj, Edi Rama, të bashkojnë të majtën dhe të gjitha forcat politike që duan të largojnë Berishën nga pushteti, në një shumatore fituese në zgjedhjet e 2013-s?

– Juve ju rezulton kështu, ndërsa mua vetë PS-ja është e përçarë. Jam e surprizuar nga një lëvizje e djeshme në rrjet social “E duam PS-në pa Edi Ramën!”, kjo 8 muaj para ditës së zgjedhjeve. Një tjetër lëvizje, ajo “Për fitoren e socialistëve” që drejtohet nga Nano dhe ku unë u shpreha se do kontribuoj,  akoma bën analizë të riskut për të menaxhuar një përçarje të mëtejshme të PS-së dhe elektoratit të saj; aleatët strategjikë të PS-së brenda të majtës ndjehen të pakonsideruar nga Rama dhe  nuk pranojnë inkoherencë programesh e qëndrimesh në fusha e terrene, ku e majta sfidon bindshëm…

– Faleminderit!