“Lulëkuqet mbi mure” rishfaqet në Sarandë

507
Sigal

Provokimet/ Militantët neonazistë grekë të “Agimit të Artë” mësyjnë Sarandën me parulla antishqiptare

Provokimet greke kundër interesave tona dhe integritetit tonë kombëtar po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Tri ditë më parë u zbulua Harta e Hapësirave Ekonomike Ekskluzive që Greqia ka dërguar në OKB, që ndryshe do të thotë se ajo nuk heq dorë nga hapësira detare në detin Jon, sipas marrëveshjes famëkeqe të rrëzuar nga Gjykata jonë Kushtetuese. Pardje ndodhi sërish një incident i paprecedent në jug të vendit: Pas paralajmërimeve të partisë neonaziste greke “Agimi i Artë”, pamë të materializuar filozofinë dhe agresivitetin e tyre në jug të Shqipërisë në fshatrat e rrethit të Sarandës. Posterat e neonazistëve grekë pardje në jug të vendit, e ndërlikojnë edhe më shumë situatën. Pas pretendimeve të hapura për hapësirën detare, mund të themi se tani grekët po mësyjnë edhe nga toka. Neonazistët grekë kanë paralajmëruar se do t’i shtrijnë degët e tyre në Shqipëri dhe realisht mësymja ka filluar. Ndërkaq, po pardje, gjatë një interviste shefi i diplomacisë greke Avramopulos përsëriti pretendimin për marrëveshjen detare që është rrëzuar përfundimisht nga Gjykata jonë Kushtetuese. Ai tha se Greqia nuk do të lejojë t`i ikë nga duart nafta e detit Jon. Konkretisht Avramopulos theksoi: “Të jeni të sigurt se qeveria nuk do të anashkalojë asnjë mundësi, siç është rasti i të dhënave për progres në kërkimet sizmike në Jon dhe jugun e Kretës”. Ndërkaq, dje natën, Saranda është gdhirë me parulla antishqiptare të shkruara nëpër mure, ku shkruhej se : “Saranda është Vorio Epir”, “Saranda është Greke” etj.. Prandaj dhe që në mëngjes herët dje janë mobilizuar punonjësit vendorë që me kova me gëlqere dhe me furça janë munduar të fshijnë parullat si në filmin e njohur “Lulëkuqet mbi mure”. Ngjarjet e filmit të famshëm dhe të njohur nga të gjithë kanë ndodhur në kohën e Luftës së Dytë Botërore, këtu e 70 vjet më parë, ndërsa imitimi i këtij filmi në ditët e sotme është tërësisht në sensin e kundërt dhe është dramatik dhe ogurzi. Ky është mbase incidenti më i rëndë dhe më i hapur provokativ që na vjen nga neonazistët grekë. Dhe pikërisht në këtë agresivitet absurd të grekëve, të bën përshtypje heshtja totale e palës shqiptare, më saktë e Tiranës zyrtare. Asnjë reagim nga Ministria jonë e Jashtme për këto deklarata dhe qëndrime që cenojnë drejtpërdrejt integritetin dhe interesat tona kombëtare.

 Saranda nën efektet propagandistike antikombëtare

Pas vendosjes së posterave në mjediset orientuese të autostradës Krane-Qafë-Botë, të forcës politike greke “Agimi i Artë”, rajoni jugor dhe pikërisht qyteti i Sarandës, është gjendur nën presionin e propagandës së nacionalizmit dhe racizmit të kësaj force politike të parlamentit grek. Në mjediset publike janë shkruar parulla si: “Saranda është Vorio Epir”, “Saranda është Greke” etj.. Propaganda nacionaliste greke është ulur këmbëkryq në qytetin jugor të Shqipërisë dhe ajo që vjen me humor të hidhur në këtë situatë të rënduar që shumëkush e sheh si horizontale, është roli i punonjësve të punëve publike të bashkisë Sarandë që fshijnë me gëlqere parullat e shkruara nga neofashistët, ngjarje që të kujtojnë episode nga filmat e LANÇ-it. E megjithatë edhe matanë bardhësisë së gëlqeres së bashkisë, bluja Vorioepirote jep mesazhet e saj.

 Deklaruan për  “Telegraf”

Ilir Gjoni, deputet i PS-së, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

Qeveria dhe diplomacia zyrtare nuk kanë se si të reagojnë ndaj këtyre provokimeve të neonazistëve grekë në territorin e Shqipërisë, derisa vetë qeveria shqiptare u shiti grekëve tokën. Pastaj, heshtja e imponuar nga qeveria e Berishës dëshmon më së miri sa “patriot” është Berisha, i cili retorikisht tha se Preveza është shqiptare, kur ai vetë nuk është i zoti të mbrojë territorin e shtetit shqiptar, nga neomonarkonazistët grekë, që vijnë në Sarandë dhe shpërndajnë postalet e tyre me mbishkrimin “Tokë greke”. Si ka mundësi që të veprojë tani qeveria e Berishës, kur për shitjen e detit, nuk u dënua asnjë, edhe pse Gjykata Kushtetuese e quajti të paligjshme atë marrëveshje!Kushishte përgjegjësi?Kushishte negociatori i asaj marrëveshjeje të turpshme? Mosreagimi zyrtar përballë provokimeve të neomonarko-neonazistëve grekë në Sarandë dëshmon që  ky shtet ka marrë fund”

 Fatos Klosi, ish-kryetar i Shërbimit Informativ

Nuk ka asnjë mundësi që SHISH-i të mos ketë njoftuar qeverinë për provokimet e neonazistëve grekë në Sarandë. Por për sa kohë që nuk veprohet, çështja është politike. Qeveria shqiptare dhe diplomacia e saj, mbase nuk duan të reagojnë e të veprojnë. Shteti shqiptar nuk do të veprojë, mbase nuk e shikon të arsyeshme. Jam i sigurt që shteti nuk do të veprojë kundër provokimeve të neonazistëve grekë. Ose i lë të lirë që të veprojnë, që nesër të ketë fakte që t’i bllokojë njëherë e mirë”.

 Stefan Çipa, Kryetar i Bashkisë së Sarandës

Provokacionet që vijnë nga “Agimi i Artë” nuk e kanë cenuar dhe nuk do ta cenojnë kurrë bashkëjetesën shembullore midis shqiptarëve dhe minoritetit grek në Shqipëri.Posterat që janë vendosur në ndonjë zonë, janë të dënueshme dhe ne nuk do të lejojmë që ato të prishin harmoninë tonë. Si pushtet vendor ne jemi kundër akteve të tilla dhe nuk do të qëndrojmë asnjëherë në heshtje, sepse akte të tilla janë të dënueshme. Ndërsa parullat se “Saranda është Vorio Epir” etj., janë tejet absurde dhe ne nuk do të lejojmë kurrë që ato të qarkullojnë as në qytetin e Sarandës dhe as në ndonjë vend tjetër. Ndërkaq, Kryebashkiaku i Sarandës nuk deshi të komentonte heshtjen e Tiranës zyrtare ndaj akteve të tilla provokative që vijnë nga neonazistët grekë.